E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 4000 shqiptarë u vranë pa shkak

01/06/2010 Të dhëna historike për masakrën e tmerrshme të vitit 1945 në Tivar

Shovinistët serbë e malazez kryen vrasje monstruoze mbi ushtarët-rekrutë shqiptarë

Rekrutët shqiptarë nga Kosova në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u masakruan në afërsi të qytetit të Tivarit të Malit të Zi nga trupat ushtarake serbe. Numri i të vrarëve në këtë masakër nuk është saktësuar ndonjëherë, por bëhet fjalë për mbi 4000 shqiptarë të masakruar. Në vitin 1945 Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Populli shqiptar u rivendos pa dëshirën e tij nën Jugosllavi. Faktet historike tregojnë se për ta bërë më të lehtë gllabërimin e Kosovës njësitë vendore partizane të shqiptarëve të Kosovës – çetat, batalionet e brigadat – ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Pos kësaj regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem të Vojvodinës e kudo nëpër Jugosllavi. Por në frontet e luftës në muajt mars–prill 1945 shovinistët serbë, maqedonas e malazez kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët-rekrutë shqiptarë. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë: një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, u çarmatosën e ku u ndanë në njësi ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrëz, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Gjatë rrugës më këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim e duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë disa qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve-rekrutë shqiptarë. Atje janë vrarë pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi 4000 ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të gurosjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik) janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin e Trogirit në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 rekrutë shqiptarë. Numri i saktë i rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar në qytetin e Tivarit, të Raguzës e të Tregurit asnjëherë nuk është mësuar. Ishte thënë se mobilizimi po bëhej për plotësimin e njësive ushtarake të Armatës së Jugosllavisë për operacionet çlirimtare, por e vërteta ishte krejt tjetër.

Trupat kosovare

Rreth 44500 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës për të zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb (jugosllav) që do të vendosej në Kosovë. Pikëmbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficerë shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se, kur të mbërrinin në front, do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi, të ndarë në tri grupe. Grupi i parë, me 3700 veta u nis, më 24 mars 1945. Grupi i dytë, me 4700 veta, u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren–Zhur–Kukës–Puk–Shkodër–Tivar. Grupi i tretë, me 2700 veta, u nis me 27 mars 1945 dhe pas mbërritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baruti, me pasoja fatale për shumicën.

Detaje nga historia

Mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsejtë 4300 veta. Ish-diktatori komunist Enver Hoxha më 1955-n përmend 1000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Aleksandër Rankoviçi në kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë më 8-12 maj 1945 ka deklaruar se “udhëheqësit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “40 shqiptarë për një luftëtarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe vranë 300 shqiptarë”. Në Tivar në atë kohë ka qenë e vendosur Brigada X malazeze, rreth 100 luftëtarë të Komandës vendore, një pjesë e Mbrojtjes Popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit dhe një numër i madh i të plagosurve, të cilët ishin të armatosur, refugjatë dhe popullsi vendase.

Enver Hoxha

Ish-diktatori komunist Enver Hoxha më 1955 përmend 1 mijë të vdekur “në territorin shqiptar”. Historianët kanë shkruar se pas eliminimit të Koçi Xoxes, të cilin e shikonte si rivalin e tij për pushtet, Enver Hoxha dhe njerëzit e tij u kujdesën që të ngrinin një aureolë të zezë për ish-ministrin e Brendshëm, duke ia ngarkuar atij të gjitha krimet që ishin bërë në Shqipëri që nga përfundimi i luftës e deri në fundin e vitit 1948, kur Xoxe u shkarkua nga të gjitha funksionet e tij shtetërore dhe partiake. Po të ishte i vërtetë implikimi dhe bashkëpunimi i Koçi Xoxes me UDB-në për pushkatimin e mijëra kosovarëve të pafajshëm, do t’i ishte thënë Kocit që në kongresin e parë, kur ndaj tij u bënë sulme dhe akuza nga më të ndryshmet dhe nuk kishte pse të lihej kur ai ishte pushkatuar. Po ashtu si shumë krime të tjera, ku Enveri ishte i implikuar direkt, edhe masakrën e Tivarit ai u kujdes t’ia faturonte Koçi Xoxes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›