Arta Dobroshi: Do zgjedh filmat e sinqertë
Që herët u fol se aktorja kosovare, Arta Dobroshi, do të ishte pjesë e jurisë së Berlinales në Gjermani. Ndërsa mysafirë nga e gjithë bota kanë shkuar në Berlin për të parë 390 filmat në kuadër të Festivalit të 59-të Ndërkombëtar të Filmit, Dobroshi është prononcuar në një intervistë për "Deutsche Welle" mbi ftesën që i është bërë. Suksesi i pjesëmarrjes në Kanë i ka siguruar asaj ftesa në aktivitete të rëndësishme të kinemasë. Pjesëmarrja në jurinë e filmit të shkurtër në Berlin është ftesa më e fundit pas Japonisë. "Është e vështirë të gjykosh filmat. Mundohem të shoh se kush është më i sinqertë, kush e ka treguar ngjarjen në mënyrë të sinqertë, të thjeshtë dhe njëkohësisht krijuese. Ka shumë rëndësi se kush fiton e kush nuk fiton. Ne ia ndryshojmë jetën dikujt me këto vendime. Përpiqem të jem sa më e hapur dhe e sinqertë me veten", ka theksuar Dobroshi. Edhe njëherë tjetër, aktorja kosovare i është përgjigjur kuriozitetit për hovin e shpejtë që mori karriera e saj, pas rolit të Lornës në filmin "Heshtja e Lornës" së vëllezërve Dardanne. "The internacional" ka qenë filmi që hapi edicionin e 59-të të Berlinales. Filmi i regjisorit gjerman, Tom Tykwer, është komentuar si një përafrim me trillerin politiko-ekonomik "Water Gate", ku shërbimet e fshehta e rrotullojnë botën sipas interesave të disa klikave politike. "Por kësaj i është shtuar edhe një aktor tjetër: ekonomia globale", thotë Tykwer. "Pjesëmarrësit e këtyre aktiviteteve janë grupe individësh që drejtojnë banka private, bizneset e të cilave kanë një ndikim të madh në politikën ndërkombëtare dhe arrijnë deri në të përditshmen tonë", ka vazhduar ai.