E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis gara për "pushtimin" e kozmosit

Nëse do të jeni të vëmendshëm
dhe sigurisht të pajisur me
disa mjete optike jo shumë të
sofistikuara, mund të vini re
në qiell lëvizjen e ngadaltë të një njolle
drite. Kjo njollë nuk është gjë tjetër veçse
sateliti i lëshuar pak ditë më parë në
hapësirë nga Irani, i pari i ndërtuar tërësisht
në vend, me emrin "Omid" ("Shpresa").
Ky satelit do të qëndrojë disa muaj
rreth Tokës në orbitë, derisa të shuhet në
atmosferën e planetit, me t‘i dhënë fund
misionit. Lëshimi i këtij sateliti, por edhe
i të tjerëve të ngjashëm me të, ka nisur
një epokë të re hapësinore. Zyrtarët iranianë
ishin shumë entuziastë me
lëshimin e satelitit dhe Agjencia Iraniane
e Hapësirës bëri të ditur se ky "ishte hapi
i parë konkret i vendit drejt aplikimit të
teknologjive të reja të hapësirës". Ndërsa
Presidenti i vendit, Ahmadinexhad, u
shpreh se më në fund Irani kishte shënuar
praninë e tij zyrtare në hapësirë dhe se
ky ishte një hap shumë i madh përpara.
Por Irani nuk është i vetmi në këtë aventurë
qiellore. Emri i tij i është shtuar listës
prej 10 vendesh që kanë përdorur
teknologjitë e tyre për të lëshuar satelitë
në hapësirë. Me gjithë pretendimet, një
gjë është e qartë, që arritja e Iranit nuk
është tërësisht personale. Thuhet se për
ndërmarrjen e guximshme iranianët
kanë marrë shumë informacione e ndihmë
teknike nga Koreja e Veriut dhe Kina.
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e një
tabloje shumë të madhe bashkëpunimi
mes vendesh të ndryshme të botës në
fushën e kërkimeve hapësinore. Dërgimi
i sondës iraniane në hapësirë ngjalli
shqetësime te perëndimorët, për shkak
të ambicieve bërthamore të vendit. Me
teknologjinë e fundit, Irani mund të godasë
me armë bërthamore cilindo vend
të botës. Kjo për shkak se teknologjia e
hapësirës është si një monedhë me dy
anë: njëra paqësore dhe tjetra ushtarake.
Megjithatë, për sa i përket sondës
"Omir", ajo është shumë e vogël dhe pavarësisht
arritjes së madhe të dërgimit të
saj në hapësirë, bëhet fjalë për një akt që
më së tepërmi mbart vlera simbolike, sesa
realisht kërcënuese. Nëse do të bëhej
fjalë për lëshimin e një koke mbushjeje
bërthamore në distanca ndërkontinentale,
atëherë për këtë do të duheshin raketa
më të fuqishme dhe një teknologji
shumë më e sofistikuar. Për sa i përket
fazës në të cilën ndodhet teknologjia e
Iranit, ajo nuk është e atij niveli dhe për
ta arritur atë do të duheshin vite të tëra.
"Omir", në fakt, më shumë se një sondë
është një mesazh, mesazhi që Irani më
në fund i është bashkuar grupit të
vendeve që konsiderohen si fuqi hapësinore.
Dikur bëhej fjalë për një klub
shumë ekskluziv, anëtarët e të cilit ishin
vende shumë të fuqishme ekonomikisht
dhe ushtarakisht. Gjithsesi, ky është një
realitet që u përket dhjetëvjeçarëve të
shkuar. Themeluesi i këtij klubi ishte
Bashkimi Sovjetik, me lëshimin hapësinor
të "Sputnik 1" në tetor të vitit 1957. Ai
u pasua nga amerikani "Eksplorer 1", që
u lëshua në orbitë në janar të vitit 1958.
Vendi i tretë që u bë anëtar i këtij klubi
shumë ekskluziv ishte Franca, në vitin
1965, e pasuar nga Japonia në vitin 1970,
Kina në 1970, Britania e Madhe në 1971,
India në 1980, Izraeli në 1988, Ukraina në
1995 dhe së fundmi Irani. Përgjatë gjithë
këtij rrugëtimi ka pasur edhe dështime. I
tillë ishte eksperimenti i Afrikës së Jugut
për të prodhuar satelitin e saj, një përpjekje
që nisi në vitet ‘80, por që u konsiderua
si e dështuar në vitin 1994. Edhe
Brazili u përpoq të ishte anëtar i klubit,
por të treja përpjekjet i dështuan njëra
pas tjetrës. Koreja e Veriut deklaroi në
vitin 1998 se kishte lëshuar satelitin e saj,
por analistë të ndryshëm nuk e besojnë
një njoftim të tillë. Në fund të këtij viti,
vendi komunist pretendon që t‘i bashkohet
zyrtarisht klubit me lëshimin e një
sateliti të dytë. Ato teknologji që dikur
janë konsideruar shumë sekrete dhe
simbol fuqie për vendet që i kishin, sot
janë pjesë e njohur e shumë vendeve të
ndryshme. Të mos harrojmë se që nga
koha kur "Sputnik 1" u lëshua në hapësirë,
ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli.
Në ditët tona, thuajse çdo vend me
paratë dhe mbështetjen e duhur mund
të arrijë të ketë teknologjinë e ndërtimit
të satelitëve dhe dërgimit të tyre në
hapësirë. Anëtarësia e Iranit në këtë klub
të vendeve që janë "fuqi të hapësirës"
është fillimi i një epoke të re dhe sigurisht
i zgjerimit të klubit me anëtarë të rinj.
Gjatë viteve të ardhshme pritet të
lëshojnë satelitë në hapësirë vende si
Indonezia, Koreja e Jugut, Brazili dhe pse
jo Australia, Rumania, Kazakistani, Pakistani,
Malajzia dhe Turqia. Ky nuk është
një klub i përbërë vetëm nga kombe të
ndryshme, por edhe nga kompani të
vendeve të ndryshme, që bëhen bashkë
në realizimin e këtij misioni. Kështu, 5
kompani amerikane janë duke projektuar
raketa të afta për të nxjerrë satelitët në
orbitë. Kur dëgjojmë për kaq shumë përpjekje,
pyetja lind natyrshëm: Cili është
qëllimi i gjithë këtyre dërgimeve, i gjithë
kësaj gare, që mbi të gjitha kërkon shpenzime
të stërmëdha? Përse vendet duhet
të ndërtojnë raketat e satelitët e tyre kur
mund t‘i huazojnë ato për qëllimet e tyre
nga Shtetet e Bashkuara apo Rusia? Arsyeja
kryesore që nxit shumë vende të
bëhen pjesë e klubit është ajo e prestigjit
kombëtar. Sateliti i lëshuar nga Irani, për
hir të së vërtetës nuk është shumë i domosdoshëm
dhe i dobishëm. Iranianët
kanë ndërkohë raketa me rreze të shkurtra
veprimi, të afta për të mbërritur
edhe deri në Izrael, por mendohet se
qëllimi më i rëndësishëm i lëshimit të
"Omir" në hapësirë është pakësimi i
rëndësisë së përpjekjes bërthamore të
Iranit. Pas këtij lëshimi, Iranit nuk i duhet
që për hir të krenarisë kombëtare të
tregojë se është një vend i fuqishëm nëse
prodhon armë bërthamore, sepse tashmë
ai i përket listës së vendeve të fuqishme
të botës. E gjithë "xhiroja" e
"Omir" do të jetë shumë e përkufizuar
dhe pas rrotullimeve të tij të përcaktuara
orbitore, ai do ta përfundojë misionin,
ndërkohë që për vende të tjera ky mision
është në të nisur. Shumë shpejt pritet të
hyjnë në lojë lojtarë të rinj, aleanca të reja
dhe mbi të gjitha projekte të reja, të cilat
vite më parë konsideroheshin të paimagjinueshme.
Amerikë
Kufiri i ardhshëm i Obamës
Për vite të tëra, përpjekja hapësinore
amerikane ka qenë e vazhdueshme, por
jo shumë frymëzuese. Anije hapësinore
"Shuttle" ka hyrë e ka dalë nga atmosfera
e planetit, ka bërë rrotullimet e saj në orbitë,
për t‘u rikthyer sërish nga ku është
nisur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës
prekën me dorë "historinë", duke vënë
këmbën e njeriut të parë në Hënë, por nuk
i vazhduan më aventurat e përmasave të
tilla në hapësirë në vitet në vijim. Ajo çka
mungonte ishte destinacioni i përcaktuar,
pra objektivi për t‘u arritur. Nëse astronautët
do të vendosnin të shkonin diku,
atëherë edhe imagjinata e njerëzve të
planetit, por edhe mbështetja politike e
financiare do të ishin kthyer në mbështetëse
të planit. Kështu, në janar të vitit
2004, Shtetet e Bashkuara, duke e kuptuar
një gjë të tillë, deklaruan se kishin vendosur
objektivin e tyre hapësinor. Në vitin
2010, anija "Shuttle" do të "dilte në pension"
dhe anije të tjera do të ndërtoheshin,
me qëllimin e përcaktuar të rikthimit në
Hënë në vitin 2020. Jo të gjithë e pëlqyen
këtë ndryshim. Shkencëtarët e hapësirës
druheshin se mos nuk do të jepeshin para
mjaftueshëm për mbështetjen e projekteve
të tyre. Dhe ata kishin të drejtë. Largimi
i "Shuttle" nga fluturimet në vitin 2010
zgjoi shqetësimin, pasi pasuesja e saj,
"Oron", nuk do të mund të jetë gati deri në
vitin 2014 ose 2015. Fatkeqësisht, plani
për t‘u mbështetur te Rusia në ndërtimin
e anijes së re dështoi dhe në këto kushte
NASA vendosi që të kërkonte ndihmën e
kompanive private. Kështu, gjatë viteve
të ardhshme do të shohim futjen e kompanive
private në lojën e kombeve për
të "pushtuar" hapësirën. Në Shtetet e
Bashkuara njerëzit po presin Presidentin
e ri që të prononcohet edhe në lidhje me
objektivat hapësinore të Amerikës.
Zgjedhja nga ana e tij e një administratori
të ri të NASA-s do të jetë një tregues i rëndësishëm
i ndryshimit. Një pjesë kërkojnë
që shteti të mos shpenzojë shumë para
për hapësirën, por të rikthehet në Tokë,
ku situata e rëndë financiare i ka futur të
gjithë në krizë; ndërsa të tjerët janë pro
krijimit të objektivave konkrete dhe vazhdimit
të përpjekjeve për të "pushtuar"
qiellin.
Rusia
Trashëgimi sovjetike
Pasi humbi garën për Hënën, Bashkimi
Sovjetik duket se e humbi interesin
për hapësirën kozmike, duke mos u
kushtuar shumë vëmendje dhe para
përpjekjeve të astronautëve, derisa arriti
që të instalonte në orbitë stacionin e
parë hapësinor, "Mir", në vitin 1986. Pas
përmbysjes së komunizmit, përpjekjet
hapësinore thuajse shkuan në zero, por
si shumë gjëra, këto vitet e fundit, edhe
ato që kanë të bëjnë me hapësirën, kanë
nisur të ndryshojnë për mirë. Ekonomia
ruse pësoi një bum të vërtetë me rritjen e
çmimeve të eksportit të naftës dhe kryesisht
gazit dhe kjo bëri që Parlamenti rus,
Duma, të aprovonte një fond prej 6 miliardë
dollarësh për Agjencinë Hapësinore
Ruse për vitet 2006-2015. Përmes këtij
plani 10-vjeçar, buxheti do të rritet me 5-
10% çdo vit, duke furnizuar kështu agjencinë
me një fluks të madh financiar. Kjo do
të bëjë që të riaktivizohen dhe krijohen
shumë projekte. Rusia do të ketë shumë
shpejt disa misione hapësinore të klasit të
parë, të tilla si lëshimin e "Phobos-grunt",
që do të marrë materiale nga satelitët e
planetit Mars. Ky do të jetë edhe misioni i
parë ndërplanetar rus, që nga ai që dështoi
në mars të vitit 1996. Nëse gjithçka do
të shkojë mirë, por për këtë nuk ka asnjëherë
garanci të plota, kjo sondë do të
sjellë materialin e parë jashtëplanetar nga
Planeti i Kuq, që pas atij që u soll nga Hëna
prej misionit "Luna 25" në vitin 1976.
"Phobos -Grunt" është një mision hapësinor
që nuk do të përbëhet nga njerëz që
do të studiojnë Marsin dhe satelitët e tij.
Rusia është në mesin e një projekti për
përmirësimin e teknologjisë së anijes
"Soyuz", që kryen gjithmonë misione ku
marrin pjesë njerëzit. Ajo pritet të kryejë
fluturimin e radhës në vitin 2011 dhe do
të mbajë në bordin e saj dy shkencëtarë
dhe dy pasagjerë. Përveç ndalesës te stacioni
hapësinor "Mir", ajo do të fluturojë
edhe përreth Hënës, para se të kthehet në
Tokë. Një kompani e posaçme ruse merret
edhe me turizmin hapësinor, që ka siguruar
të ardhura shumë të mira. Nëse do
të blinit me 100 milionë dollarë një biletë
të posaçme, mund t‘i vinit rrotull planetit
sa të lodheshit. Megjithatë, objektivi kryesor
për rusët, edhe pse kanë kaluar vite,
mbetet sërish Hëna.
Evropë:
Kontinenti i bashkuar
Ka mundësi që 18 anëtarët e Agjencisë
Evropiane të Hapësirës të ndërmarrin një
iniciativë hapësinore në të cilën të përfshihen
edhe njerëzit. Kjo nuk është një ide
e re. 20 vjet të shkuara evropianët kishin
idenë e krijimit të një anijeje të vogël për
njerëz me emrin "Hermes", një projekt që
pavarësisht buxhetit të bollshëm të agjencisë,
nuk u realizua ndonjëherë. Nga ana
tjetër, agjencia ka një kuadër shumë të
përgatitur prej 16 astronautësh të gatshëm
për të shkuar në hapësirë, ndërkohë
që është duke përzgjedhur mes mijëra
e mijëra kërkesave edhe 4 të tjerë.
Kina:
Liderja e fuqive të reja
Deri tani ka realizuar tri misione
hapësinore me njerëz dhe programi
hapësinor i Kinës është shumë ambicioz.
"Shenzhou 7" ishte misioni i parë i daljes
në hapësirë që nxori në kozmos për një
shëtitje edhe astronautët që ndodheshin
në raketë. Ky mision u realizua një vit më
parë. Mbi këtë përvojë kinezët kanë ngritur
objektivat e tyre të ardhshme për
misione të tjera me njerëz, një prej të
cilëve është edhe krijimi i një stacioni
hapësinor të vogël. Vitin e ardhshëm
pritet fillimi dhe realizimi i pjesshëm i
kësaj ambicieje. Teknologjia fillestare
është marrë nga rusët dhe stacioni do të
ndërtohet në bashkëpunim të ngushtë
me ta. Objektivat e Kinës për nga përmasat
janë shumë të ngjashme me ato të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
mbi të gjitha Kina aplikon një filozofi
shumë bashkëpunuese me vende të tjera
të botës. Ajo kërkoi që të përfshijë edhe
vende të tjera në misionet e saj, me kusht
që drejtuesja të jetë ajo. Kështu, pritet një
bashkëpunim me Korenë e Veriut, Iranin,
Pakistanin. Ambiciet hënore të Kinës
janë gjithashtu të qarta. Ajo ka lëshuar
ndërkohë një satelit hënor, që dërgon
vazhdimisht pamje. Sipas zyrtarëve kinezë,
e ardhmja përbëhet nga disa faza:
orientimi i Hënës, një mision pa njerëz në
satelitin tonë dhe më pas rreth vitit 2020
një mision me njerëz. Ambicia kineze
shkon edhe më tej me satelitin tonë. Astronautët
kanë në plan, edhe pse afatgjatë,
ngritjen e një baze fluturimesh në
Hënë si një hap shumë i rëndësishëm në
realizimin e fluturimeve drejt Marsit, apo
planetëve të tjerë të sistemit tonë diellor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›