E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vleresimet per Vllaznine time ne kete gjysme sezoni

Bilancet Trajneri Mirel Josa analizon repartet dhe efikasitetin e tyre

Vllaznia ka shënuar një rekord më vete në lidhje me ecurinë e saj në këto javët e fundit të Kategorisë Superiore. Kuqeblutë nuk humbasin prej 10 ndeshjesh, duke koleksionuar kështu vetëm rezultate pozitive, falë të cilave është katapultuar nga vendet e fundit në ndeshjet e para të fazës së parë, në vendin e tretë në klasifikim dhe duke u prezantuar si një pretendente e denjë për të luftuar për titull. Por ai që e kënaq më shumë trajnerin Mirel Josa pas një analize repart për repart, është manovra mbrojtëse e skuadrës, mbi të gjitha porta. “E rëndësishme është që ekipi nuk ka pësuar humbje në ndeshjet e fundit, duke marrë përgjithësisht rezultatet e duhura. E për këtë jam i kënaqur, ku mbrojtja ka funksionuar mirë, e në mënyrë të veçantë, porta është një repart shumë i sigurt. Nuk diskutohet edhe fati, por edhe për meritë të portierit Grima, ndaj Dinamos, kemi marrë një pikë shumë të vlefshme. Kështu që dita-ditës ka ardhur duke u konsoliduar, ndërsa duhet të presim dhe të bëjmë më shumë në vijën e parë, siç është sulmi. Por këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë rrugës”, është shprehur tekniku Josa. Por kritikat janë për repartet që organizojnë manovrën ofensive dhe me gojën plot ai kërkon më shumë nga mesfusha dhe sulmi, të cilët nuk kanë qenë pika më e fortë e kësaj skuadre. Edhe pse ka arritur në 10 ndeshje vetëm rezultate pozitive, Vllaznia nuk i rrezikon shumë portat kundërshtare. Në takimin e fundit ndaj Dinamos u regjistrua vetëm një gjuajtje e Vajushit në kuadrat, që është shumë pak që synon dy trofetë e kampionatit shqiptar. Gjithsesi, përpara është merkatoja e lojtarëve në janar, së bashku me një minifazë përgatitore dhe tekniku Josa i ka mirë parasysh këta elementë, që duhet ndërhyrë dhe përmirësuar, qoftë edhe duke operuar me dorë të “fortë” për të rregulluar diçka në sulm dhe mesfushë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›