E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjoleka, djali i Abazit" bën për vete Torinon

TIRANE-Në datën 16 dhjetor u shfaq në Torino (Itali) filmi i Dhimitër Anagnostit "Gjoleka, djali i Abazit" në kuadrin e veprimtarisë "Një ditë në kinema" organizuar nga Piemonte Movie dhe shoqata Kulturore Italo-Shqiptare "Vatra".
Kjo shfaqje i paraprin festivalit "Local Film Festival" i Piemonte Movie që në 2011-tën në Torino do ti kushtojë një seksion të veçantë kinematografisë shqiptare. Komuniteti shqiptar dhe miqtë italianë pritën me shumë përzemërsi zotin Dhimitër Anagnosti dhe zonjën Roza Anagnosti që morën pjesë në këtë aktivitet dhe që natën e parë darka u trasformua në një bashkëbisedim të ngrohtë mbi artin e kulturës. Filmi u shfaq në një nga kinematë qendrore të Torinos: kinema Romano, por për fat të keq, salla e shfaqjes së filmit ishte tepër e vogël per dashamirësit e shumtë që kishin ardhur të shihnin këtë film dhe një pjesë e spektatorëve mbetën jashtë me shpresën që do të mund ta shohin një herë tjetër. Shfaqja torineze e filmit "Gjoleka, djali i Abazit" pritej të ishte po aq e suksesshme sa dhe shfaqjet e tjera të këtij filmi: Tiranë, Romë, Bruksel, Genova, Prishtinw etj. Dhe kështu qe: reagimi i spektatorit, kryesisht shqiptaro-torinez, qe i mrekullueshëm. Filmi në Torino pati një përjetim emocional e intelektual që rrallë herë ndodh në bashkësitë tona në botë, e veçanërisht në qendrat e mëdha siç është Torino; qytet me shumë kulturë e histori. Spektatorët jetuan dhe vuajtën me Gjolekën dhe pas shfaqjes i shprehën çiftit Anagnosti mirënjohjen dhe entuziazmin për këtë emocione që u dhuruan. Ishte ky, suksesi i vërtetë i filmit që duket se emocionoi dhe autorin. Përmes veprës së artit bashkësia e ndjen veten të personalizuar me vlera të vërteta njerëzore. Filmi, si dhe aktivitete të tjera artistike, por filmi më shumë, ka privilegjin të gëzojë e të emocionojë, e të mbushë me dinjitet e krenari si bashkatdhetarët, por në mënyrë të veçantë edhe të huajt, që gjejnë në këto vepra jetën e tyre, të djeshme po edhe të sotme.
Zoti dhe zonja Anagnosti falenderuan organizatorët e aktivitetit: zotin Rossi e Sclaverani organizatorët e Piemonte Movie; si dhe veçanërisht zotin Benko Gjata, kryetar i shoqatës Kulturore Italo-Shqiptare "Vatra" në Torino. Promovimi i artit shqiptar është një inisiativë e lavdërueshmë dhe shumë e vlerësuar e shoqatës "Vatra" e cila është bërë një pikë referimi për shqiptarët në veri të Italisë. Njëkohësisht falenderojnë dhe Arkivin Qendror të Filmit në Tiranë që ndihmoi në konkretizimin e këtij projekti. Gjoleka do të vazhdojë udhëtimin e tij nëpër botë aty ku dashamirësit e artit do të duan të shohin kinematografi të vërtetë. "Fletët mbi tavolinën e Dhimitër Anagnostit nuk janë asnjëherë të bardha. Gëzuar festat e fundvitit! Edhe një vit i mbarë për kinematografinë shqiptare!" shprehen Roza e Dhimiter Anagnosti.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›