Bujar Nishani zgjidhet President i Shqipërisë

-- Përfundon votimi në Kuvend, Bujar Nishani mori 73 vota "pro", 1 kundër dhe 2 abstenim
-- Arvizu dhe Wollfarth shprehin vlerësime për Bujar Nishanin
-- Ilir Meta: Shqipëria i ka shanset për statusin kandidat – në të kundërt përgjegjësit ndëshkohen në 2013-ën
UPDATE- Pas 4 raundesh, Kuvendi zgjedh presidentin e ri të vendit. Kandidati i propozuar nga mazhoranca, Bujar Nishani mori 73 vota “pro” nga 76 deputetë pjesëmarrës në votim, ndërsa 2 vota ishin të pavlefshme dhe 1 kundër. Më herët Nishani arriti të sigurojë mbështetjen e PD-së, duke marrë 26 firma, përfshirë edhe deputetë nga radhët e aleatëve Bujar Nishani, kandidat i paraqitur nga mazhoranca, arriti të sigurojë firmat e 26 deputetëve të PD si dhe në radhët e aleatëve. Konfirmim i tij kandidat zyrtar i mazhorancës, u bë pas mbledhjes së grupit Parlamentar demokrat. Pas mbledhjes së grupit kuvendor, deputetët e PD-së kanë firmosur raportin ku japin mbështetjen e tyre për një kandidaturë të tillë. Deputetët e selisë blu që dhanë firmat për kandidaturën e Nishanit janë, Florian Mima, Mark Marku, Aurel Bylykbashi, Rajmonda Bulku, Luçiano Boçi, Genc Strazimiri, Sherefedin Shehu, Genc Ruli, Arenca Trashani, Astrit Bushati, Mehmet Xheka, Ardian Turku, Sokol Olldashi, Flamur Noka, Selami Xhepa, Ndriçim Babasi, Sybi Hida, Kreshnik Çipi, Dashnor Sula, Dashamir Tahiri, Ylli Lama. Njëkohësisht në listën e firmëtarëve që mbështesin Nishanin ishin dhe firmat e anëtarëve të partive aleate në koalicionin qeverisës, përfshirë këtu, Shpëtim Idrizi, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Dashamir Tahiri, Vangjel Tavo.
Ilir Meta: Shqipëria i ka shanset për statusin kandidat – në të kundërt përgjegjësit ndëshkohen në 2013-ën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi sot për mediat, menjëherë pas votimit për Presidentin, se procesi ishte transparent dhe demokratik. Kreu i LSI-së vlerësoi figurën e Bujar Nishanit dhe se opozita duhet të jetë e kënaqur për presidentin e ri. “Ky proces ka patur vlerat më transparente. U bënë përpjekje për konsensus. Në fund ky ka qenë proces që ka sjellë një president për të cilin opozita do jetë e kënaqur. Mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet që të përfshijë opozitën në këtë proces, por nëse kjo e fundit do të ishte treguar më konstruktive, sot mund të kishim një president konsensual të pranuar të dyja palët”- u shpreh Meta. Ai theksoi se parlamenti ushtroi sovranitetin e tij, ndërsa vuri në dukje se tashmë është koha për bërjen e reformave. “Tani është koha të ecim përpara. U konsumuan të gjitha përpjekjet e mundura, për një proces edhe më konsensual. Por, ky ka qenë një proces tepër demokratik dhe transparent”- tha ai. Ndërkohë duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve sesi do të reagojë mazhoranca ndaj një bojkoti të mundshëm nga ana e opozitës meta tha: “Bojkoti nuk ka të ardhme dhe këtë e ka treguar historia. Pati përpjekje nga aktorë të ndryshëm për të arritur maksimumin në këtë garë, në fund demokracia është kompromis”.
Topalli: Bujar Nishani, në përputhje me Kushtetutën
Në nisje të seancës kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se kandidatura e mazhorancës është në përputhje me Kushtetutën. Pak minuta më parë u zhvillua edhe mbledhja e komisionit parlamentar të ligjeve, ku u zyrtarizua kandidatura e Bujar Nishanit.
Dule dhe Islami, votë për presidentin
Ndërkohë që, deputetët e Partisë Socialiste nuk morën pjesë në votimin për kandidatin e mazhorancës për president, Bujar Nishani nga ana tjetër aleati i socialistëve, Vangjel Dule iu drejtua kutisë së votimit. Po ashtu, edhe deputeti i pavarur Kastriot Islami mori pjesë në votimin për Presidentin.
Arvizu dhe Wollfarth shprehin vlerësime për Bujar Nishanin
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka dhënë bekimin kandidatit të ofruar nga mazhoranca për Kreun e ri të Shtetit, Bujar Nishani. Ambasadori amerikan i shpreh konsideratë të lartë ndaj figurës së tij. Emri i Nishani u propozua nga mazhoranca menjëherë pas tërheqjes nga gara e analistit, Artan Hoxha, si dhe një nga emrat e propozuar në tryezën e negociatave mes mazhorancës dhe Partisë Socialiste, e cila përfundoi pa konsensus. Edhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i ka dërguar një mesazh urimi kandidatit të mazhorancës për president, Bujar Nishani. “Urimet më të mira për ju. Kandidat dinjitoz për President”- u shpreh ambasadori Wollfarth, gjatë kohës kur kishte nisur votimi në parlament.
...