E Diel, 1 Nëntor 2026

Më në fund Nano sulmon Berishën: Është përgjegjës për këtë krizë FATALE ku ka hyrë Shqipëria

Share

I vetëofruari si kandidat për president, Fatos Nano, më në fund ka lëshuar një deklaratë për mediat ku sulmon ashpër kryeministrin Sali Berisha. Nano thotë se Berisha faktoi se dashuria e tij për pushtetin e kalon dashurinë për shtetin. Nano bën Berishën fajtor për krizën aktuale, të cilën e quan fatale.

Nano e mbyll duke u bërë thirrje qytetarëve të mos lejojnë kryetarët e partive të nëpërkëmbin interesat e vendit.

DEKLARATA

Fatos Nano shpreh zhgënjimin e tij të thellë për këtë dështim të turpshëm ku e kanë zhytur Shqipërinë, kryetarët e partive politike.

Sidomos Fatos Nano shpreh zhgënjimin e tij të thellë për sjelljen e reagimin e liderit të shumicës qeverisëse Sali Berisha, i cili nuk ia doli dot që të shkëputet nga marifetet dhe llogaritë e ngushta partiake apo brenda koalicionit. Sali Berisha nuk ia doli dot mbanë që të sillet, flasë e veprojë si shtetar sikurse detyra e tij si ish-President Republike dhe Kryeministër në detyrë e kërkon.

Sali Berisha dëshmoi se dashuria e tij për pushtetin e tejkalon dashurinë e tij për shtetin, dashuria e tij për partinë e tejkalon dashurinë e tij për kombin, dashuria e tij për koalicionin e tejkalon dashurinë e tij për integrimin europian dhe partnerët tanë euroatlantikë.

Sali Berisha dëshmoi e po dëshmon papërgjegjshmëri totale ndërsa ka rënë në nivelet meskine të lojërave të pushtetit dhe si partiak i devotshëm çmontoi e po çmonton, vendosi dhe po vendos në rrezik tejet serioz të gjitha shanset e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm, e të shëndetshëm, për integrimin europian dhe për partneritet dinjitoz euroatlantik.

Sali Berisha u dëshmua i paaftë të sillet si shtetar, e si i tillë u dëshmua i paaftë për të vazhduar për ti udhëhequr shqiptarët në proceset e mëtejme integruese dhe zhvilluese.

Sot Sali Berisha u tregua i aftë vetëm të dështojë për herë të dytë me pamundësinë e tij për të zgjedhur një President të denjë me staturë e sprovim shtetari për të mirën e Shqipërisë, Kombit dhe Integrimit Europian. Sali Berisha po pluskon e po mbytet në qëllime e axhenda të ngushta partiake për ti dhënë Shqipërisë një President partiak.

Sali Berisha në të gjitha qëndrimet e tij dhe në sjelljen e tij të këtyre ditëve dëshmoi se ai është tashmë i paaftë që të bëjë marrëveshje shtetarësh për të mirën e shtetit dhe kombit, porse ai është i aftë vetëm për marrëveshje partiake në dëm të kombit dhe interesit publik.

Fatos Nano gjykon se Sali Berisha është përgjegjës i padiskutueshëm në këtë krizë fatale ku ka hyrë Shqipëria me procesin e zgjedhjes së Presidentit, ku numrat mund të bëhen për ta zgjedhur një President sipas Ligjit e Kushtetutës, por morali e vlerat janë zhbërë për të pasur një President sipas kërkesave, parimeve e vlerave Euroatlantike.

Fatos Nano i drejtohet opinionit publik se sot është dita të ndërgjegjësohemi të gjithë së bashku për të mos lejuar më partiakët e kryetarët e partive që të nëpërkëmbin fatet tona dhe të rrezikojnë partneritetet tona euroatlantike dhe integrimin europian.

Ne jemi vend anëtar i NATO-s, e duhet të lartësohemi si qytetarë të mëdhenj e dinjitozë si i takon qytetarëve të një vendi anëtar të NATO-s. Ne meritojmë shumë më tepër sesa kjo klasë politike meskine partiakësh dhe manovratorësh politikë na ofron.

Fatos Nano është i vetëofruar para publikut shqiptar që së bashku ta gjejmë forcën dhe mënyrën që ta ndryshojmë këtë realitet të trishtë. Së bashku duhet ta fitojmë Shqipërinë Europiane dhe duhet të bëhemi të denjë për Partnerët tanë Euroatlantikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›