E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Hoxha zbulon letrat me SHISH: Smë dhanë dosjen e Sigurimit

Artan Hoxha me oficerin e gardes diten qe do te votohej per President

Kandidati për President publikon letrat për SHISH-in.
Hoxha: SHISH refuzoi të më japë dosjen e Sigurimit.

Letra për SHISH: A kam dhënë material komprometues?

“Unë arrita të kem akses privat në dokumente, por dua akses zyrtar në të dhënat e regjistruara për mua”
“Komentues anonimë në blogje hedhin akuza se kam dhënë informacion për persona familjarë”

Letra e parë për SHISH
Pasi paralajmëroi nisjen e një beteje për të zbuluar dosjen e tij në Sigurimin e Shtetit, Artan Hoxha, më 19 qershor i ka shkruar kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri, të cilit i kërkon të hyjë në dokumentet e tij. Në letrën që boton sot gazeta “Panorama”, Hoxha i ka parashtruar katër pyetje kreut të SHISH-it lidhur me aksesin që i lejohet atij për të mësuar për vitin 1981.
Drejtuar: Z. Bahri Shaqiri, drejtor i Shërbimin Informativ Kombëtar
Lenda: Kërkesë informacioni dhe akses në dokumente mbi të dhënat personale

I nderuar z. Shaqiri!
Më datë 11.6.2012, ndërsa u kandidova, me propozim të partive të maxhorancës qeveritare dhe mbështetjen e rreth 40 deputetëve për postin e Presidentit të Republikës, përfaqësues të opozitës ngritën në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit pyetje mbi pastërtinë e figurës sime, ndërsa mediatikisht u hodh akuza e bashkëpunimit tim me Sigurimin e Shtetit. Përgjatë 20 viteve të demokracisë unë e kam dëgjuar në rrugë të tërthorta disa herë këtë akuzë e së fundi, komentues anonimë në blogje të ndryshme hedhin akuza deri monstruoze për informacione a materiale të dhëna nga unë Sigurimit të Shtetit, deri edhe për persona familjarë.
Unë nuk u kam dhënë ndonjëherë rëndësi këtyre akuzave, por rrethanat e fundit më bëjnë të dyshoj se Sigurimi i Shtetit mund të ketë regjistrime, shënime a të dhëna lidhur me personin tim.
Duke konsideruar parimin se të dhënat personale të një personi janë të aksesueshme prej tij, parim ky i sanksionuar në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të ratifikuara edhe nga Shqipëria, si dhe në legjislacionin shqiptar mbi të dhënat personale, njëkohësisht duke mirëkuptuar kufizimet e arsyeshme të kësaj të drejte me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe/ose të interesave të palëve të treta, dëshiroj t’ju kërkoj për sa vijon:
1.     A mund të shoh, qoftë edhe pjesërisht, dokumente të Sigurimit të Shtetit që janë në ruajtje nga SHISH?
2.     A mund të marr kopje, qofte edhe të pjesshme, të këtyre dokumenteve?
Theksoj edhe një herë që kërkesa ime lidhur me këto dokumente a të dhëna që ndodhen në to shtrihet për aq sa aksesi im nuk do të dëmtonte interesat lidhur me sigurinë kombëtare a te interesat e palëve të treta.
Gjithashtu unë jam interesuar në një përgjigje të SHISH lidhur me pyetjet e mëposhtme:
3.     A ka dokumente në ruajtje nga SHISH, të kohës së Sigurimit të Shtetit, që do të tregonin se unë kam dhënë ndonjë material komprometues për ndonjë tjetër person?
4.     Nëse jo, a mund të më ktheni një përgjigje se nuk ka asnjë material të këtillë?
Për sa më sipër, do të doja një përgjigje në kohën më të shpejtë të mundshme tuajën, duke mbetur i gatshëm të vij për takim.
Me respekt
Artan Hoxha

Pas letrës së postuar në faqen e tij në “Facebook”, ku tregonte kontaktin me Sigurimin e Shtetit në vitin 1981 dhe përgjigjen negative për t’i shërbyer atij, ish-kandidati i maxhorancës për President, Artan Hoxha, ka nisur një betejë për të marrë dosjen e tij. Për këtë qëllim ai i ka shkruar një letër Shërbimit Informativ Shtetëror më 19 qershor, për të disponuar këtë informacion. “Nga SHISH mora përgjigjen zyrtare, që bazuar në ligjin për verifikimin e figurës së vitit 1995, ligj nga i cili ka mbetur në fuqi vetëm neni 16, se “…e kemi të ndaluar të kryejmë verifikime e t’ju japim informacion për sa kërkoni në letër”. Bashkëlidhur do të gjeni edhe përmbajtjen e plotë të përgjigjes së SHISH-it, që gjithsesi, nuk është më shumë se një paragraf e asgjë më shume në thelb se çka po citoj”, thuhet në statusin e Hoxhës. Gati një muaj më vonë, ish-ministri i PD-së në vitin 1992, i dërgoi një letër të dytë SHISH-it, ku parashtronte dispozitat ligjore se ku mbështetej në kërkesën e tij. Një kopje e letrës i ka shkuar edhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KMDP) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), nga të cilat nuk ka marrë ende përgjigje.

Hulumtime në dosjet e Sigurimit të Shtetit
Të nderuar miq në FB

ARTAN HOXHA

Siç kam premtuar publikisht, po përpiqem të krijoj një precedent për të drejtën e aksesit mbi të dhënat dhe regjistrimet personale në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Qëllimi im është jo vetëm të provoj juridikisht të vërtetën time që nuk i kam shërbyer atij institucioni dhune të një sistemi të dhunshëm, por edhe të mundësoj zbërthimin e një enigme që mbahet e këtillë, me apo pa qëllim, për interesa pushteti në demokraci.
Unë pata mundësi të lexoj, e zeza mbi të bardhë, ç’kishte shkruar, njëanshmërisht, Sigurimi i Shtetit për mua ende pa mbushur 17 vjeç.
Njëanshmërisht, ky institucion kishte vendosur të më regjistronte si bashkëpunëtor, pavarësisht përgjigjes sime mospranuese dhe familjes sime në shtator 1981, kur unë isha në fillim të vitit të tretë të shkollës se mesme. Po kështu, njëanshmërisht e pa asnjë dijeni, Sigurimi i Shtetit vendosi të më largojë si bashkëpunëtor në dhjetor 1982, kur unë isha në mesin e maturës, me motivin “inaktiv, i padobishëm… e që nuk ka dhënë asnjë material për qëllimin që u tërhoq…”. Pak më pas, në shtator 1984, Sigurimi i Shtetit vendos asgjësimin e dokumenteve të dosjes për mua me motivin e “mungesës së interesit material dhe historik”, dosje nga e cila kanë mbetur veç dy fije letër, të cilën lapangjozët, nga një fije floku, u përpoqën, jo pa sukses, ta shndërrojnë në tra.
Unë arrita, në pak ditë, të kem akses privat në dokumentet që edhe lapangjozët kanë shfrytëzuar kundër meje dhe plot njerëzve të tjerë fatkeq dhe dinjitozë. Jo vetëm kaq, por po shqyrtoj edhe plot materiale të tjera të Sigurimit të Shtetit, gjithnjë në rrugë private, për ta kuptuar më mirë këtë mekanizëm diabolik të atij sistemi, me qëllim që të orientohem më mirë në hapjen e rrugës procedurale për të drejtën e aksesit të kujtdo në atë çka ky institucion ka shkruar në atë kohë, pasi besoj se ky akses është hapi i parë, minimal e i domosdoshëm për vendosjen e drejtësisë dhe dinjitetit.
Ndaj, më datë 19.6.2012 iu drejtova me kërkesë me shkrim Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), për akses në regjistrimet e mundshme në arkivat e Sigurimit të Shtetit që janë nën ruajtjen e këtij shërbimi. Unë u tregova, siç më takon të jem, i arsyeshëm në kërkesën time, duke njohur që e drejta ime për akses në të dhënat e regjistruara për mua mbaron aty ku teorikisht a praktikisht fillon e drejta e sigurisë kombëtare apo e palëve të treta. Bashkëlidhur, në fund të këtij statusi, do të gjeni letrën time të parë.
Nga SHISH mora përgjigjen zyrtare, që bazuar në ligjin për verifikimin e figurës së vitit 1995, ligj nga i cili ka mbetur në fuqi vetëm neni 16, se “… e kemi të ndaluar të kryejmë verifikime e t’ju japim informacion për sa kërkoni në letër”. Bashkëlidhur do të gjeni edhe përmbajtjen e plotë të përgjigjes së SHISH-it, që gjithsesi, nuk është më shumë se një paragraf, e asgjë me shumë në thelb se çka po citoj.
Duke mos e paragjykuar, e deri diku duke e mirëkuptuar këtë lexim ekstrakonservator nga SHISH të një ligji të tejkaluar nga i cili ka mbetur në fuqi veçse një nen, i dërgova SHISH-it, më datë 11.7.2012, një letër të dytë, në të cilën kam ofruar një analizë të thelluar ligjore që mbështet të drejtën time e të kujtdo për të pasur akses në të dhënat personale që gjenden apo mund të gjenden në arkivat e trashëguara nga ish-Sigurimi i Shtetit. Bashkëlidhur me poshtë në këtë status do të gjeni letrën e dytë drejtuar SHISH-it.
Në këtë letër të dytë kërkoj që jo vetëm të më mundësohet aksesi juridik mbi të dhënat e mundshme të viteve 1981-1984, që lidhen me një regjistrim të njëanshëm si bashkëpunëtor, por edhe në të dhëna të mundshme në vite të tjera, veçanërisht në vitet 1989-1991, periudhë për të cilën kam arritur të mbledh, këto javët e fundit, të dhëna dhe indicie mbi të cilat kam ngritur hipotezën se Sigurimi i Shtetit mund të më ketë vëzhguar a survejuar për veprimtari të miat, që, sipas parametrave të kohës, mund të konsideroheshin veprimtari kundër regjimit komunist.
Në të njëjtën ditë, të njëjtën letër drejtuar SHISH-it, shoqëruar me një letër përcjellëse, ua kam drejtuar edhe dy institucioneve të tjera, funksionet e të cilave lidhen me çështjen në fjalë, e pikërisht: Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KMDP) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Bashkëlidhur do të gjeni njërën nga letrat shoqëruese, pasi të dyja janë identike dhe ndryshon vetëm emërtimi i institucionit të cilit i drejtohem.
Përmes këtij adresimi, unë synoj që të tria këto institucione, SHISH, KMDP dhe DSIK, ta trajtojnë bashkërisht çështjen time e të arrijnë në përfundimin që mua më takon e drejta për akses, qoftë edhe të pjesshëm, në të dhënat e regjistruara për mua në arkivat e trashëguara nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Përmes kësaj praktike dhe korrespondence, unë besoj se legjislacioni i zhvilluar në demokraci e pas vitit 1995 më jep të drejtën e aksesit te këto regjistrime si hapi i parë i domosdoshëm për zbardhjen juridike të së vërtetës dhe rivendosjes së drejtësisë.
Çështja ime nuk është vetëm e imja. Nga qindra e qindra mesazhe që kam marrë nga persona konkretë, përsëritet e njëjta shprehje, që “… ngjarja që ju keni kaluar është identike me atë që kam kaluar unë…”. Ndaj, çështja ime nuk është vetëm personale e private, por është një çështje publike, dhe për këtë kërkon trajtim nga këndvështrimi jo vetëm i së drejtës private, por edhe i shërbimit ndaj interesit publik në demokraci, në emër të të cilave interesa, private e publike, unë u vetëlargova nga kandidimi presidencial.
Nga këto tri institucione nuk kam ende përgjigje. Takimet dhe/ose komunikimet individuale me drejtuesit e këtyre institucioneve më japin shpresë se e drejta që kërkoj do të gjejë përgjigje pozitive. Nëse jo, do të vazhdoj me rrugë të tjera ligjore në kërkim të kësaj të drejte themelore në shërbim të së vërtetës sime dhe të interesit publik në demokraci.

“S’është vetëm çështja ime”
“Çështja ime nuk është vetëm e imja. Nga qindra e qindra mesazhe që kam marrë nga persona konkretë, përsëritet e njëjta shprehje, që “…ngjarja që ju keni kaluar është identike me atë që kam kaluar unë…”. Ndaj, çështja ime nuk është vetëm personale e private, por është një çështje publike, dhe për këtë kërkon trajtim nga këndvështrimi jo vetëm i së drejtës private, por edhe i shërbimit ndaj interesit publik në demokraci”, thotë Hoxha.

Hoxha, letër Komisionerit të të Dhënave Personale
Analisti i njohur u kërkon ndihmë dy institucioneve
“Kërkesa ime drejtuar SHISH-it është e bazuar në ligj”
Pas marrjes së përgjigjes negative nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ish-kandidati i maxhorancës për President, Artan Hoxha, i është drejtuar me një letër edhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Në letër sqarohet e gjithë situata, nga propozimi i maxhorancës te tërheqja e kandidaturës dhe akuzat për bashkëpunim me Sigurimin. “Lidhur me këtë të fundit unë i drejtova një kërkesë me shkrim SHISH-it më datë 19.6.2012 (shih kopjen e letrës bashkëlidhur) dhe mora nga SHISH përgjigjen negative për akses në të dhënat e mia personale (shih kopjen e përgjigjes së SHISH, datë 21.6.2012). Përgjigjja e SHISH më duket e pabazuar në ligj. Ndaj, i kam dërguar SHISH një kërkesë të dytë me shkrim, ku kam parashtruar edhe një analizë të thelluar ligjore, e cila, sipas vlerësimit tim, më jep të drejtën e aksesit, qoftë edhe të kufizuar, në të dhënat e mundshme që ekzistojnë në arkivat që ruan ky institucion nga ish-Sigurimi i Shtetit”, shprehet Hoxha. Ai kërkon nga këto dy institucione të ndërhyjnë për t’i bërë të mundur aksesin në dokumentacionin e Shërbimit Informativ Shtetëror. “Njëkohësisht, duke supozuar se përgjigjja e dytë e SHISH, aspak për ta paragjykuar, mund të jetë e njëjtë me të parën, mendova t’i drejtohem njëkohësisht institucionit tuaj dhe i jam drejtuar gjithashtu edhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), me një letër me të njëjtën përmbajtje si dhe për ju, e me të njëjtat dokumente bashkëlidhur, për të njëjtat kërkesa e me të njëjtin parashtrim ligjor si në rastin e kërkesës së parë për SHISH, ashtu dhe veçanërisht në kërkesën e dytë, ndaj këtu nuk po i ripërsëris”, thotë më tej Hoxha. Sipas tij: “Kërkesa drejtuar Juve dhe DSIK bëhet me qëllim që të më mundësohet një trajtim i integruar, i njëkohshëm dhe në bashkëpunim mes të tria institucioneve, pasi mendoj se e drejta ime buron e mbështetet qartësisht nga legjislacioni i pasuruar shqiptar pas vitit 1995. Gjithashtu, bazuar në shumë mesazhe të marra nga shumë individë, më rezulton se çështja ime personale mund t’u interesojë shumë personave dhe gjetja e rrugës dhe sigurimi i aksesit në rastin tim do të krijonte një praktikë të përshtatshme për adresimin e drejtë të rasteve të tjera e do të ishte njëkohësisht një shërbim ndaj interesit publik”.

SHISH: S’na lejon ligji t’ju japim informacion
Dy ditë pas letrës së Hoxhës, drejtori i SHISH i ka kthyer përgjigje me një letër që mban numër protokolli 78/1 dhe që është bërë në dy kopje. “Në përgjigje të kërkesës suaj datë 19.06.2012 për informacione apo akses në dokumentet arkivore, ju bëjmë me dije se në zbatim të ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, neni 16, e kemi të ndaluar të kryejmë verifikime dhe t’ju japim informacion për sa kërkoni në letër”, thuhet në përgjigjen e Shaqirit.

Takimi me sigurimsin
“Takimi zgjati ndoshta jo më shumë se 15 minuta, por ne kujtesën time është ngulitur si i pambarim. I vetëm përballë një mesoburri që dukej se e njihte zanatin e tij, në një mjedis të zymtë, të errët, dekurajues, m’u desh të përballesha me Sigurimin e frikshëm të Shtetit. Më shumë se sa përmbajtjen e bisedës, detajet e së cilës, por jo thelbi, m’u shuan shpejt nga kujtesa, sot ende ndiej reagimin e gjithë qenies sime: gjallërimi kundër ligështisë, inteligjenca kundër mendjelehtësisë; guximi kundër frikës. E gjithë qenia ime punonte në kapacitet të plotë për të thënë me fjalët e duhura ritmin, timbrin, gjestet dhe vështrimin, fjalën më të thjeshte – JO – një JO sa e qartë, aq edhe e pandëshkueshme. Ndërmarrje tepër, tepër e vështirë”, shkruante Hoxha pak javë më parë.

ARTAN HOXHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›