Artan Karapici: Kategoria e Parë nuk e ka kapur ritmin

Artan Karapici, një emër i njohur i futbollit shqiptar, i shëtitur në shumë skuadra, tashmë në rolin e trajnerit tek moshat, ka bërë një analizë të Kategorisë së Parë. I pranishëm në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, ndër të tjera ka theksuar:
“Pas një periudhe të gjatë pushimesh, shikoj që skuadrat nuk kanë kapur akoma ritmin. Egnatia dhe Dinamo nuk mendoj se janë surpriza, po investove, po punove që në fillim, nuk janë surpriza”.
“Jo vetëm te ne, por në të gjithë botën, ku luhet futboll, ky është viti i çudirave. Nuk ka ndodhur më parë që në një kampionat të gjendesh në situata të tilla, të luash çdo tri ditë. Po shikojmë ekipe të mëdhaja që kanë probleme. Sidomos Kategoria e Parë këtu te ne, që erdhi pas një pauze, e përsëri tani ka pushim, edhe trajneri vet nuk e di se çfarë duhet të bëjë”.
“Besa? Superliga është një synim i atij qyteti që e meriton të jetë atje. Është vështirësia me stadiumin. Gjithashtu dhe mungesa e tifozëve, është e vështirë të luash pa praninë e tyre. Duhet edhe fat, është një komponent shumë i rëndësishëm. Unë i shikoj të dy grupet, janë tre apo katër ekipe që qëndrojnë shumë afër. Uroj që Besa të shkojë deri në fund, pavarësisht se edhe Egnatia ka bërë investime”.
“Burreli? Trajneri Samuel Nikaj është i duhuri për skuadrat që duan të ngjiten në Superligë. Mbi të gjitha, tani në Burrel është një ambjent që nuk është parë në vitet e mëparshme, kur synonte mbijetesën. Tani pretendohet një objektiv madhor, që është Superliga. Mendoj se Burreli mund të jetë një kockë e fortë. Me një trajner si Nikaj, çdo gjë është e mundur”.