Besa, Alsid Tafili: Besa do të luftojë deri në fund

Alsid Rafili është një nga lojtarët më me peshë te skuadra e Besës së Kavajës. Mesfushori shkodran, i cili ka luajtur për disa skuadra të Kategorisë Superiore si dhe për Lirinë e Prizrenit në Kosovë, në këtë sezon zgjodhi të jetë pjesë e skuadrës kavajase në Kategorinë e Parë me objektivin për tu ngjitur në Superiore.
I pranishëm në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, mesfushori i skuadrës kavajase ka theksuar: “Kisha disa oferta, nga skuadra të ndryshme, por pas një bisede me presidentin Bizhdili, zgjodha Besën. Besoj se me kushtet që kemi, do i shkojmë deri në fund këtij edicioni duke pretenduar ngjitjen në Superligë”.
Në Grupin B, skuadra që udhëheq është Egnatia, por për Tafilin, diferenca prej katër pikësh nuk është asgjë dhe se skuadra ka potencialin të rivalizojë deri në fund.
“Egnatia është një rival, me të cilin jemi përballur si në miqësore ashtu dhe në kampionat. Nuk mendoj se ka diferenca, kemi dhe tri ndeshje direkte kundër tyre. Deri tani i kam parë të gjitha skuadrat, vetëm Egnatia duket një rival i fortë për të pretenduar për tu ngjitur. Besa dhe Egnatia do të luftojnë deri në fund”.
“Ndeshjet duhen marre me seriozitet maksimal, sepse kur humbasim pikë, ato do na penalizojnë në fund të kampionatit, prandaj kërkojmë nga lojtarët më shumë përgjegjësi. Mendoj se edhe fati nuk ka qënë me ne. Edhe në ndeshjen me Lushnjën kemi humbur shumë mundësi. Kur humbet pikë të tilla, rritet edhe presioni”.
Një problem për skuadrën e Besës është edhe fusha, kjo ka sjellë zhvendosjen e skuadrës në fushën e Luzit. Për Tafilin ky është një problem, sepse skuadra nuk mund të tregojë lojën e saj në një fushë të tillë.
“Në fillim ishte vendosur që punimet të nisnin në janar, por u shty. Gjithsesi, me bisedat që kemi patur, besoj se do të fillojnë shumë shpejt. Deri tani jemi penalizuar nga fusha, sepse fusha e Luzit ka përmasa më të vogla dhe nuk na lejon të bëjmë lojën tonë”.
Javën e ardhshme, skuadra do të ndeshet në transfertë me Pogradecin dhe për mesfushorin shkodran objektivi janë tri pikët. “Jemi përgatitur për këtë sfidë, për atë terren që na prêt në Pogradec. Do të shkojmë atje për të marrë tri pikët”, ka përfunduar Tafili.