Artet pamore kërkojnë dialog politik

Raporti mbi gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri jep disa rezultate dhe sugjeron rrugët që duhet të ndiqen: për një "Onufër" transparent, për statusin e veçantë të artistit, për rishikimin e legjislacionit për sponsorizimet dhe për fondacionet e arteve me fonde publike dhe administrim privat
Nga konferenca e 29 janarit për "Gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri: zhvillimet e ardhshme" doli një raport që do t'i përcillet për dijeni ministrit të Kulturës, Parlamentit dhe institucioneve që kanë në dorë politika dhe buxhete për kulturën, për artin pamor në veçanti.
Të pranishmit, kryesisht të rinj u njohën me çështjen e ditës, konkursin ndërkombëtar të artit pamor "Onufri" dhe me problemet që dalin në mbyllje të tij.
Të ftuar në diskutim, Parid Teferiçi kurator i "Onufrit", Gëzim Qendro ish-drejtor i Galerisë Kombëtare dhe historian arti, artisti Alban Hajdinaj etj.
Tema për rolin e kuratorit në këtë edicion të "Onufrit" e çoi diskutimin tek përgjegjësitë që ka një institucion që funksionon me fonde publike, për të qenë transparent me proceset për zgjedhjen e kuratorit dhe të jurisë.
Sado që "Onufri" ka një statut siç duhet ta ketë çdo konkurs kombëtar apo ndërkombëtar, sado që zgjedhja e kuratorit aty parashikohet me konkurs dhe mbi bazën e një platforme, sado që zgjedhja e jurisë po ashtu duhet të njihet nga një këshill drejtues i institucionit, asnjë prej këtyre ligjeve të brendshme të Galerisë Kombëtare nuk zbatohen dhe kanë vite që injorohen rregullisht.
Sjellja e drejtorit të Galerisë Kombëtare si tutor nuk ka parasysh ndonjë sjellje skandaloze siç mund të mendohet skandali, i demonstruar dhe me zë të lartë, por duke shkelur me të dy këmbët, pa zhurmë, punën që do duhej ta bënte me vullnet të lirë një grup njerëzish të zgjedhur prej drejtorit, dhe jo ai vetëm dhe i vetëm për çdo vendim.
Moderatori dhe iniciatori i konferencës me shoqatën "Art Kontakt", Andi Tepelena, ngriti dyshime në mënyrën e ndarjes së çmimeve të "Onufrit", por nga Galeria Kombëtare e Arteve nuk pati të pranishëm në konferencë. Asnjë specialist edhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministria nuk ka drejtori apo qoftë edhe një ekspert për artet pamore që mund të ndiqte projektet në këtë fushë dhe të bënte të ashtuquajturin "monitorim".
Sipas raportit që Tepelena ka përpiluar pas konferencës, "Onufri" duhet të zhvillohet në bazë të "rregullave të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe transparente për përzgjedhjen e kuratorit, nisur nga CV, aftësia për të pasqyruar zhvillimet e vendit dhe ato ndërkombëtare dhe nga njohjet ndërkombëtare të kuratorit." Duhet të ketë "rregulla te qarta dhe transparente në përcaktimin e jurisë të "Onufrit"".
Pretendime të tjera për këtë ekspozitë kanë lidhje me mbështetjen financiare të kostos së punëve të artistëve pjesëmarrës; realizimin e detyrueshëm të katalogut, dhe prezantimin e tij përpara ose ditën e inaugurimit; me përzgjedhjen e artistëve nisur nga cilësia e veprës së artistit, nga tematika e ekspozitës, nga novacioni artistik në aspektin e mediumeve, apo nisur nga reflektimi i zhvillimeve shoqërore-estetike domethënëse të vendit dhe ato ndërkombëtare.
Si mund të përgatiten kuratorë të rinj të cilët do të ndikonin në ekspozimin dhe qarkullimin e ideve në artin pamor shqiptar i cili duket si një entitet i ngrirë?
Raporti, në bazë të diskutimeve në konferencë, sugjeron "dhënie bursash për kuratorë të rinj në institucione perëndimore të artit që do t'u jepte atyre mundësi të krijojnë përvojë profesionale duke rritur cilësinë artistike të eventeve të artit".
Qartësimi i statusit të artistit është një nga çështjet që analizohet në raport dhe merr një përgjigje si zgjidhje.
"Në tranzicionin shqiptar, kategoria e artistëve ka mbetur shumë e papërcaktuar në thelbin legjislativ. Artistët duhet të kenë avantazhet e tyre si shoqërore, si fiskale, dhe një çertifikim është më se i nevojshëm sipas kritereve të vendosura nga specialistë të fushave përkatëse." Është një çështje që nuk mund të zgjidhet pa një dialog politik. Prandaj propozohet krijimi i dy këshillave të pavarur të njohur nga Qeveria.
Njëri nga organet të ketë si funksion mbështetjen ndaj administratave publike në krijimin e programeve shumëvjeçare për artet (të paktën 10 vjet) dhe tjetri të jetë për garancinë e aplikimit të programeve dhe për transparencën e procedurave.
Propozohet "shtimi i mundësive të pranisë jashtë të artistëve shqiptarë, ashtu sikurse praninë e artistëve dhe veprave të huaja në territorin shqiptar."
Propozohet "financimi i një reviste të specializuar arti që do të ishte e domosdoshme për orientimin e shijeve estetike të publikut dhe vlerësimin e ofertave nga artistë dhe organizata artistike. Kjo revistë mundëson informacionin dhe pasqyrimin e zhvillimeve të artit në Shqipëri dhe Europë dhe do të krijonte kushtet për krijimin e kritikës së specializuar në këto arte."
Propozohet gjithashtu krijimi i hapësirave për programe dhe debate televizive të artit bashkëkohor në televizionet kombëtare.
Rishikimi i legjislacionit për fondacionet e artit në Shqipëri (arte vizuale, danc modern, teatër eksperimental, muzikë) me natyrë gjysmë publike dhe gjysmë private. Në raport thuhet se "krijimi i Fondacioneve për artet me fonde publike dhe menaxhim privat garanton një fluks financimi publik sipas ligjeve kombëtare dhe lokale bazuar në kontribute financiare vjetore.
Detyra e tyre do të ishte financimi i ngjarjeve artistike të cilat janë të rëndësishme për brandy-n e qyteteve, si dhe mbështetjen e shoqatave dhe artistëve kryesisht të rinj që nuk gjejnë hapësirë në tregun komercial të artit."
Ekonomia e artit është çështja e fundit që trajtohet në këtë raport i cili mbetet gjithsesi një raport paraprak para se të shkojë në institucionet qendrore. Në këtë pikë pretendohet që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të luajë "rolin e një rregullatori të promovimit të artit për të shtuar investimet private në art, kulturë dhe komunikim.
MTKRS dhe Ministria e Financave duhet të krijojnë një klimë të volitshme për sponsorizimet, duke inkurajuar kompanitë publike apo private në Shqipëri që të financojnë aktivitetet, projektet, artistët, dhe të kenë si kundërshpërblim ulje të taksave.
Shteti nuk duhet të shihet si i vetmi burim financimi por duhen diversifikuar burimet financiare dhe menaxherët apo producentët të orientohen në fondacione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në përfaqësi të huaja të cilat mbështesin artin.
Kjo do të siguronte pa asnjë dyshim një jetë të gjatë për organizatat, pamvarësisht krizave ekonomike apo vendimeve politike të institucioneve publike apo përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë."
Pas këtij raporti fillestar që ka nevojë të përpunohet, shtrohet pyetja: Kush do të luftojë për këto të mira dhe të drejta?
"2 705 baci..." nga Sislej Xhafa
Sislej Xhafa ekspozon për herë të parë në Goteborg. Artisti nga Kosova që jeton në Nju Jork, prezantohet nga kuratori Edi Muka. Të dy kanë një përvojë të gjatë bashkëpunimi në Bienalet e Venecies dhe të Tiranës dhe e projekte të ndryshme me studentë të Akademisë së Arteve.
Ekspozita e fundit quhet "2 705 baci...". Hapet më 6 shkurt dhe mbyllet më 18 prill.
"Röda Sten është krenare që prezanton për herë të parë në Suedi, 2 705 baci...", thuhet në njoftimin për shtyp.
Një ekspozitë personale nga artisti i njohur ndërkombëtarisht Sislej Xhafa i famshëm për veprat e tij të diskutueshme dhe provokative dhe ndërhyrjet që ai preferon t'i etiketojë si "aksione". Provokimet e tij rrinë si sfida përballë institucioneve, paragjykimeve dhe stereotipeve.
Me "2 705 puthjet..." ai shqyrton një model të ri i përhapur me situatën e fundit politiko-ekonimike në Itali, ku shteti është reduktuar në një makinë që plotëson dëshirat për hir të një njeriu të vetëm, kryeministri italian Silvio Berluskoni.
Tek "Silvio", vepra e re realizuar për Röda Sten-in, Xhafa na paraqet një bust gjigant në skulpturë të Berluskonit.
"2 705 baci..." prezanton edhe punë të hershme të Xhafës "Again and Again" (2000), "Beh-rang" (2004), "Future of Old" (2001), "Skinheads Swimming" (2002) "Volare" (1999).