Çonte dy femra si prostituta në Kosovë, prangoset

TRAFIKU/ Njëra nga vajzat deklaroi se kishte punuar në Tiranë, ku merrte 150 euro për një kontakt seksual
KUKËS - Trafiku i femrave për prostitucion në mes Shqipërisë e Kosovës vazhdon, ndërkohë që policia ka ndaluar në pikëkalimin kufitar të Morinit një të dyshuar si trafikant dhe dy vajza.
Zv.drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Xhafer Elezi, ka bërë të ditur për "Shekulli"-n se mëngjesin e së martës rreth orës 04:00, policia ka ndaluar si të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore Përparim Kaçin, 41 vjeç, lindur në Lurë të Peshkopisë dhe banues në Domje të Tiranës, si dhe dy shtetaset E.S. 19 vjeçe nga Okshtuni i Madh i Bulqizës dhe M.M. 22 vjeçe nga Klobçishti i Dibrës.
Të dyja vajzat ishin nisur për në Kosovë ku destinacioni ishte një lokal në afërsi të Prishtinës në rrugën nacionale ku ato do të ushtronin prostitucion kundrejt pagesës, ndërkohë që fitimet do t'i ndanin përgjysmë me tutorin. Zyra e Luftës Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kishte informacion se Kaçi me banim në Domje të Tiranës rekrutonte vajza për të ushtruar prostitucion në lokalet e Tiranës, por edhe për t'i kaluar në Kosovë për të bërë të njëjtën gjë.
Të hënën në mbrëmje, ai së bashku me dy vajzat kishin hipur në autobusin e linjës Tiranë-Prishtinë, nderkohë që bashkë me ta ka udhetuar edhe një agjent i zyrë së antitrafikut të Tiranës. Sapo autobusi ka mbërritur në Morinë, policia ka ushtruar kontroll, ku i dyshuari për trafikant udhëtonte me pasaportë, ndërsa dy vajzat kanë qenë të pajisura me karta identiteti.
Policia ka kryer shoqërimin e të dyshuarit për trafikant dhe dy vajzat për në komisariatin e Policisë së Kukësit. Njëra prej vajzave, pikërisht, 19-vjeçarja E.S, ka pohuar se kishte ushtruar prostitucion edhe në Tiranë, ku paguhej rreth 150 euro për një kontakt seksual.
E njëjta ka deklaruar se në Kosovë, në lokalin për ku ishin nisur shërbenin edhe nëna e motra e saj. Ndërkohë që 22-vjeçarja M.M sapo ishte rekrutuar në rrjet, megjithëse kishte ushtruar prostitucion edhe më parë. Policia e Kukësit ka hyrë në lidhje me familjen e M.M, por vëllai i saj nuk ka pranuar që motra të kthehej në shtëpi.
Nga hetimet paraprake është mësuar gjithashtu se Përparim Kaçi mblidhte femra që vinin nga zonat e varfra të verilindjes të cilat më pas i grumbullonte në Tiranë për t'i nisur drejt Prishtinës.Viktimat e trafikut grumbulloheshin në një lokal në hyrje të Prishtines ku kishte edhe muzikë.
Në këtë lokal paraqiteshin klientët të cilët kryenin pagesën dhe më pas transferoheshin në një motel në afersi të këtij lokali. Në bazë të marrëveshjeve të tutorit me viktimat, 50 % të fitimit i merrte tutori.