E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: Kush e drejtonte "Gërdecin"

Veiz Muça, ish brigadieri i fabrikës së Gërdecit, i arrestuar dy ditë më parë në sallën e gjyqit, në dëshminë e tij ka hedhur dritë mbi njerëzit që kontrollonin çdo lëvizje në fabrikën e vdekjes. Brigadieri ka shpjeguar me saktësi se cili ishte pozicioni i njerëzve të afërm të Rrahman Selmanllarit si dhe detyrat e tyre.

Ai është marrë në pyetje tre herë jo vetëm për funksionimin e fabrikës së demontimit të armëve por dhe njerëzit që për afro një vit kanë drejtuar realisht këtë biznes prej miliona eurosh fitim për kompanitë private.

Dëshmia në prokurori e Veiz Muçës mbi rolin e njerëzve të afërt të Rahman Selmanllarit
Pyetje: Në deklarimin e datës 21.04.2008, të bërë nga ana juaj ndër të tjera keni thënë se ."Di t'ju them se Mihal Delijorgji, ka ardhur rreth dy tre here në muaj gjatë projektit të parë, ai merrte kontakt me Dritanin dhe shikonte çdo proces pune që zhvillohej aty.

Po ashtu gjatë gjithë kohës kanë qenë prezent 6 persona, të cilët quhen Seran Maçi, Haxhi Mara, Endri Osmani, Nazmi mbiemri nuk me kujtohet, Bernard mbiemri nuk me kujtohet dhe Klejdi mbiemri nuk me kujtohet.

Ju sqaroj se këta persona unë nuk e di se çfarë përfaqësonin, por di t'ju them se ata merreshin me evidentimin e sasisë dhe llojit të municionit që hynte në ndërmarrje. Ju sqaroj se ata rrinin tre vetë deri në orën 07.00 të darkës dhe tre të tjerët rrinin deri të nesërmen në mëngjes."

Na sqaroni edhe një here në ç'rrethana jeni njohur me këta persona, ç'përfaqësonin personat që ju keni përmendur më lart, cili ishte roli i tyre në firmë, koha kur ata kanë punuar, puna që kryenin dhe gjithçka që ju keni mësuar rreth këtyre personave?

Përgjigje : Sqaroj se personi qe unë kam deklaruar me emrin Endri Osmani, realisht është Endri Dvorani dhe është një gabim nga ana ime. Me të gjithë shtetasit e mësipërm jam njohur nëpërmjet punës në firmën Albademil në Gërdec dhe në lidhje me rrethanat e njohjes, ju sqaroj:

Në kontratën e parë të demontimit të fishekëve në Gërdec, unë nga personat e mësipërm fillimisht kam njohur Seran Maçin, Haxhi Maren, Endri Dvoranin, Nazmiun, Bernardin dhe Klejdin, të cilët ishin personat prezent gjatë shkarkimit të makinave të ushtrisë, numërimit dhe marrjes në dorëzim të arkave me municione nga ana e firmës.

Krahas këtyre personave, prezent gjatë këtij procesi, kam fiksuar Kastriotin dhe Dashin, mbiemrat e të cilëve nuk i kujtoj, por di që këto të dy ishin punonjës të firmës së sigurimit. Në lidhje me njohjen me personat e mësipërm dua t'ju sqaroj si më poshtë për secilin prej tyre.

Seran Maçi, ishte magazinier i ndërmarrjes MEICO dhe përfaqësonte këtë ndërmarrje, gjatë marrjes në dorëzim të municioneve nga repartet ushtarake tek firma Albademil. Dua të sqaroj së Serani, çdo ditë vinte në punë me makinën e tij, ku me vete merrte edhe Nazmiun, sepse banonin pranë njëri-tjetrit.

Në kontratën e dytë të demontimit të predhave, kam konstatuar se Serani nuk punoi me si magazinier i MEICO, por kryente të njëjtin proces pune të numërimit të arkave me municione dhe evidentimit të tyre në një libër magazine, por që nuk ishte për llogari të ndërmarrjes MEICO apo to firmës Albademil, sepse magazinier për ndërmarrjen MEICO, ishte caktuar shtetasi Artur Ballabani, ndërsa magazinier i firmës Albademil, ishte caktuar shtetasi Endri Dvorani. Di të them se shtetasi Seran Maçi, ka punuar në Gërdec deri ditën e ngjarjes.

Për Haxhiun di që ai kishte punuar si nënoficer në ushtri në Maminas, në mos gabohem. Në kontratën e dytë Haxhiu merrej me numërimin e arkave me municion dhe çdo të dhëne, pasi rakordonte me shokët ia jepte Seran Maçit, i cili mbante evidencën. Mund t'ju sqaroj se Haxhiu ashtu si dhe Serani, në kontratën e dytë të demontimit të predhave, nuk ishin as punonjës të ndërmarrjes MEICO dhe as të firmës Albademil.

E them këtë sepse emri i tij në kontratën e parë ishte në borderotë e Albademil, ndërsa në kontratën e dytë ai nuk ishte i regjistruar në borderotë e Albademil. Endri Dvorani, në kontratën e parë ka qenë në përbërje të grupit të personave që merrej me numërimin dhe evidentimin e municionit.

Ndërsa në kontratën e dytë të demontimit të predhave, ai ishte në rolin e magazinierit të firmës Albademil dhe evidentonte sasinë dhe llojin e municionit, po ashtu ai merrte në dorëzim këtë municion dhe ishte i ngarkuar me evidentimin e lëvizjes së nënprodukteve jashtë firmës Albademil si dhe të evidentimit të materialeve ndihmëse për procesin si thasë, kuti, karburant, etj.

Në lidhje me kalimin e shtetasit Endri Dvorani tek firma Albademil, gjatë kontratës së dytë të demontimit të predhave, ju sqaroj se ai është zëvendësuar me shtetasin Muhamet Hoxha (Baxhanaku i Sali Berishës).

Ndërsa Jusufaj unë e kam gjetur në Gërdec, kur kam filluar punë, në kontratën e parë. Ai ka punuar në numërimin dhe evidentimin e arkave me municion, por ju sqaroj se ky shtetas nuk punonte as për

ndërmarrjen MEICO dhe as për firmën Albademil, pasi nuk ka qenë në asnjë rast i regjistruar në borderotë e Albademil. Edhe gjatë kontratës së dytë ky shtetas punonte me grupin e Seran Maçit. Ju sqaroj se Nazmiu ka qenë në punë prezent edhe ditën e ngjarjes.

Bernardi, edhe këtë shtetas e kam parë të punojë në të dyja kontratat, ai ka punuar së bashku me Nazmiun, pra as në ndërmarrjen MEICO dhe as në firmë. Klejdi, edhe këtë shtetas e kam parë të punojë në të dyja kontratat, ai ka punuar së bashku me Nazmiun. Klejdi qëndronte gjithmonë vetëm natën.

*********************

Minxholli urdhëroi brigadierin e Gërdecit: Mos u merr me ta por vazhdo punën
Konflikti me kunatin e Berishës

Muhamet Hoxha ka filluar punë diku nga fundi i janarit 2008 edhe këtë shtetas e kam parë të punoje gjatë kontratës së dytë, me grupin e Seran Maçit. Në lidhje me këtë shtetas ju sqaroj se në një rast Muhameti, po lante makinën në vendin ku linte makinën Dritani.

Dritani e pa dhe më ka thënë mua personalisht "...po nuk e hoqi ai makinën për pesë minuta (për Muhametin), atëherë je i pushuar nga puna.", kur unë ia thashë këtë gjë Muhametit, prezent aty ka qenë dhe Haxhi Mara, i cili i tha Muhametit që ta hiqte makinën që të mos bëheshim me llafe. Në lidhje me grupin e këtyre personave dua të sqaroj se unë në një rast, gjatë realizimit të kontratës së dytë, kam debatuar me ta për probleme pune.

Më konkretisht këta gjashtë persona ishin shqetësues për mua për faktin se në momentin që vinin makinat e ushtrisë për të shkarkuar municionet, ata ende pa u renditur makinat në vendin ku do të shkarkoheshin, hipnin sipër makinave për të evidentuar sasinë dhe llojin e municionit.

Në lidhje me këtë shqetësim që unë kisha me ta, këtë fakt e kishte mësuar dhe drejtori Dritan Minxholli, nëpërmjet tyre, ku ai më ka takuar dhe më është shprehur tekstualisht "...mos u merr me ta." , unë e sqarova se si ishte problemi, por ai përsëri më urdhëroi që unë të mos merresha me ta dhe ta vazhdoja punën.

Në lidhje me personat e mësipërm, krahas meje këta persona njiheshin edhe nga punëtorë të tjerë të firmës Albademil. Po ashtu ata njihen edhe nga ana e personelit të dy firmave të sigurimit privat.

************************

Hetuesit dyshojnë se dëshmitari kishte marrë shenja nga i pandehuri për të mos treguar se kush drejtonte në Gërdec

Prokuroria: Muça instruktohej nga Minxholli

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka regjistruar dje procedimin penal ndaj ish-brigadierit të fabrikës së Gërdecit, Veiz Muça, i njohur nga punëtorët edhe me emrin "Vangjel". Ai akuzohet për dëshmi të rreme. Për momentin ai është i arrestuar por do të jetë gjykata që do të shprehet për masën e sigurisë ndaj tij.

Gjatë ditës së djeshme, ai është shoqëruar nga ambientet e Komisariatit 3 në qelitë e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, ku i është komunikuar urdhri i ndalimit si dhe janë mbajtur dy procesverbale, ai i kontrollit personal dhe procesverbali i komunikimit të urdhrit të arrestimit. Gjithashtu, po dje, i arrestuari ka kërkuar mbrojtësin ligjor, avokatin Arben Prifti, i cili në procesin e Gërdecit mbron Dritan Minxhollin.

Prokuroria ka pohuar se gjatë dëshmisë së Muçës, Minxholli kryente lëvizje e shenja të ndryshme me kokë duke instruktuar dëshmitarin për ato që duhet të thoshte. Këto instruktime dhe ndryshimet e thënieve të tija nga ato të dhëna në prokurori, bënë që prokurorët e çështjes së Gërdecit të urdhërojnë arrestimin e ish-brigadierit të fabrikës së "ferrit" në Gërdec.

Në dëshminë e tij Muça kishte thënë se kishte dijeni për personat e cilësuar si "grupi hije" që drejtonte punët në fabrikë, ndërsa para gjykatës mohoi njohjen me ata si dhe nuk mbante mend se sa grupe pune kishin qenë ditën e shpërthimit, kur në prokurori kishte deklaruar se ishin rreth 15 grupe.

Ndërkohë, avokati i tij mbrojtës i kontaktuar nga "Shekulli", u shpreh se arrestimi i tij është i paligjshëm si dhe një mjet presioni për dëshmitarët e tjerë që do të thirren në gjykatë. "Qëndrimi i ynë është lirimi i menjëhershëm i tij nga burgu, pasi ky është një presion i hapur që i bëhet dëshmitarëve të kësaj çështjeje.

Në asnjë rast Gjykata nuk konstatoi se dëshmitari po gënjente dhe për këtë ajo e la të lirë dhe nuk urdhëroi arrestimin e tij, ndërsa, prokuroria sapo mbaroi ai dëshminë i vë prangat për akuzën e "dëshmisë së rreme",-tha avokati Prifti për "Shekullin".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›