E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti pamor vuan nga mungesa e promovimit

Shumë piktorë shqiptarë janë jashtë tregut dhe nuk kanë një vlerë reale të emrit dhe të punëve të tyreTregu i artit pamor sot në vendin tonë është një treg i cili lë shumë për të dëshiruar. Pavarësisht se kanë teknika të mira për të realizuar punët e tyre por dhe talent, sot mungojnë shkrime vlerësuese nga kritika vendëse, por dhe neglizhenca e institucioneve përgjegjëse shtetërore, pasqyrimit të shitjeve të tyre, pjesëmarrjes në ankande dhe ekspozita, bën që piktorët shqiptarë të jenë jashtë tregut dhe të mos kenë një vlerë reale të emrit dhe të punëve të tyre

ashtu sikurse ndodh me çdo artist të artit pamor sot në botë. Nga ana tjetër mungesa e ekspozitave kombëtare për artistët e artit pamor, iniciativat për të rinjtë, por dhe galeritë e artit pamor në pjesën më të madhe ato private janë kthyer më shumë në një mjet fitimi se sa të jenë dhe në shërbim të artit dhe kulturës. Në këtë mënyrë jetesa për piktorët dhe artistët e rinj shqiptarë e kanë shumë më të vështirë të afirmohen dhe as që e mendojnë dot konsolidimin e emrit të tyre në treg në bazë të artit, talentit dhe vlerave që krijojnë. Në këto kushte sot është shumë e vështirë të flitet për një treg të artit pamor në vendin tonë. Nga ana tjetër shitja e pikturave jo cilësore në mënyrë masive në mjedise të ndryshme, ku në shumë raste nuk janë të denja për paraqitjen e veprave të artit bën që shumë artistë ata që krijojnë vërtetë një vepër të bukur me vlera artistike, të mos e gjejnë veten tyre në këtë treg kaq problematik. Shumë artistë të njohur të artit pamor ngrenë si shqetësim se sot në vendin tonë mungon promovimi për këtë gjini arti, por duhet të jenë dhe nisma të tjera të cilat të bëjnë të mundur që në këtë treg të mos ketë dhe abuzime ku një pikturë pa vlera ti serviret publikut si e tillë, në një kohë kur ajo mund të jetë vetëm një printim me ngjyra. Shumë artistë pohojnë se sot është e vështirë në Shqipëri, që të bësh biznes me artin dhe të mbijetosh në tregun e brishtë dhe pa rregulla loje të pikturës. Sipas tyre nëse veprat e artit do të certifikohen dhe shitjet e piktorëve do të publikohen nëpër katalogje në bazë të të dhënave dhe faturave të vërteta, atëherë kushdo mund ti blejë pa frikë pikturat. Sot mund të gjesh në galeri të ndryshme arti tablo pikture që variojnë në shuma disa mijëra euro, dhe megjithëse janë çmime të pabërballueshme për pjesën më të madhe të blerësve shqiptarë, në këto galeri pohojnë se ato janë vetëm për një pjesë njerëzish të cilët jo vetëm që dinë ta vlerësojnë artin, por dhe kanë mundësitë ekonomike për të pasur një tablo të tillë. Sot është niveli i artistëve profesionistë dhe ne të gjithë i njohim, pasi ata kanë hapur ekspozita dhe kjo është baza kryesore. Ato kanë vlera, por nuk vlerësohet asnjëherë niveli blerës këtu. Më pas është dhe niveli tjetër i mesëm që po hape një dyqan duhet të komunikosh, sepse nuk mbahet dyqani, pasi të shkosh dhe të blesh një pikturë 2-3 mijë euro, jo të gjithë kanë mundësi që ta blejnë. Më pas ka dhe nivele më të dobëta që punojnë. Por këtu është dhe ajo masive e madhe që futen dhe nga tregtarët nga jashtë dhe që nuk janë cilësore. Këto e dëmtojnë shumë tregun të paktën ky që është, pasi janë punë që duhet të kenë një masë parandaluese nga shteti. Gjatë këtyre viteve ka një lloj kërkese në rritje të publikut për të blerë piktura dhe më vjen mirë për këtë, por mungon shumë promovimi i artistëve, një gjë e tillë duhet të bëhet nga strukturat shtetërore, shprehte një piktor. Për piktorin të pikturojë është kënaqësi e një lloji të veçantë. Piktura është një mënyrë afrimi dhe shprehje e të vërtetave, të cilat nuk ka mundur t'i thuash ndryshe përveçse me anë të ngjyrave. Por në Shqipëri një piktor rrallë shijon lehtësisht rezultatin e punës së vet, pasi janë një sërë faktorësh të tjerë të cilët ndikojnë që krijimtaria e tij të marrë atë vlerësim që meriton. Nga ana tjetër mungojnë iniciativat që duhet të ishin ndërmarrë për artistët e rinj, ndërkohë që ka vetëm pak ekspozita dhe nuk ka një nxitje për këta talente të rinj. Në këto kushte shumë piktorë shqiptarë janë jashtë tregut dhe nuk kanë një vlerë reale të emrit dhe të punëve të tyre,pasi sot tregu në pjesën më të madhe është pushtuar nga piktura të cilat i serviren blerësve si të tilla.Nga Julia Vrapi   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›