Hijena dhe minj, një projekt interesant tek Onufri
Në kuadrin e ekspozitës së përvitshme të artit bashkëkohor Onufri, që zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, nga 24 dhjetor 2009 deri më 25 janar 2010 po prezantohet projekti me titull Hijena dhe minj, i cili ngacmohet nga vënia në pikëpyetje e dinjitetit human nëpërmjet mediave elektronike në ditët e sotme, por që trajtohet në formën e një përralle klasike të përshtatshme për fëmijë. Ky projekt nga Robert Aliaj (Dragot) do të angazhojë si fillim disa klasa
fillore të shkollës 8-vjeçare Edith Durham, duke i përfshirë ata direkt në një projekt edukues dhe krijues si fazë thelbësore në realizimin e këtij projekti. E gjitha kjo ka për qëllim të nxisë kreativitetin e fëmijëve dhe ndjeshmërinë e tyre artistike, duke i sjellë më pranë institucioneve të artit dhe anasjelltas. Kjo do të shërbejë edhe në sensibilizimin e prindërve për të kuptuar fenomene të mprehta sociale nëpërmjet rezultatit të punës së fëmijëve. Pra një projekt me vlera artistike dhe me përmbajtje të thellë sociale. I gjithë ky proces artistik, që do të realizohet në auditoret e shkollës, dhe do të finalizohet me ekspozimin punëve të nxënësve në ambientet e Galerisë Kombëtare në mbyllje të evenimentit do të shoqërohet me një katalog ose një dokumentar DVD. Ky është një projekt pilot që në vitin 2010 synon shtrirjen në të gjitha shkollat e tjera 8-vjeçare të kryeqytetit, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, për të rritur edukimin masiv artistik të brezit të ri. Projekti ka mbështetjen në formë bashkëpunimi edhe me qendrën Art Kontakt (www.art-kontakt.org) në kurimin e Andi Tepelenës. Ndërkohë që Onufrika ngjallur kureshtjen e vizitorëve , të cilët nuk kanë munguar këto ditë janari në sallat e GKA. Kurator i këtij edicioni është Parid Teferiçi, poet, piktor, njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të artit. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa temë, duke kërkuar ndryshimin në pikëpamjen mbi këtë konkurs të arteve pamore, që jo pak herë ka rënë edhe në klishenë e ilustrimit dhe të paracaktimit teorik të produktit artistik pamor të vendit. Kjo ekspozitë është një hulumtim i hollësishëm i skenës (apo siç thotë vetë kuratori Teferiçi edhe i prapaskenës ) së arteve pamore në vend. Me pjesëmarrjen e artistëve të brezave dhe qëndrimeve të ndryshme artistike Dëshmi dhe Dëshira reflekton produktin artistik real të një skene sa problematike aq edhe produktive, që tenton pjekjen dhe rritjen cilësore përmes luhatjeve dhe zhvillimit komunikues të një gjuhe shprehëse në kushtet e transformimit të vazhdueshëm. Këtë vit ai është i gjithi shqiptar, me pjesëmarrjen e 31 artistëve. Vëzhgimi i prurjeve studentore i është lënë në dorë Gentian Shulit, që sipas Teferiçit, është një artist shumë aktiv, i njohur për synimin e veçantë që ka për të pikasur talentet e reja.