Arti si mjet për transparencë, çelet në Durrës ekspozita “Art me buxhetin”

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Në kuadër të projektit “Arti Grafik për Transparencë dhe Informim Publik”, Qendra Durrësi Aktiv ndërmori një nismë të re për të bërë buxhetin e Bashkisë Durrës për vitet 2024-2026 më të kuptueshëm për publikun.
Përmes artit grafik dhe ilustrimeve vizuale, kjo qendër organizoi një seri ekspozitash publike dhe përgatiti një manual praktik, duke sjellë një qasje inovative për transparencën dhe kuptueshmërinë e shpenzimeve publike.
Në kuadër të këtij projekti, është hartuar një analizë e thjeshtë e buxhetit të Bashkisë Durrës për periudhën 2024-2026, duke përfshirë fushat kryesore të investimeve.
Pikërisht për këtë arsye, projekti i Qendrës Durrësi Aktiv kërkoi një mënyrë të re komunikimi, duke e sjellë buxhetin aty ku ndodhen njerëzit, në hapësira publike dhe përmes gjuhës universale të artit.
Arti dhe ilustrimet vizuale janë përdorur si një mënyrë e re për të paraqitur të dhënat në një format më të kuptueshëm dhe më tërheqës.
Punëtoritë krijuese me artistët, ekspozitat publike dhe diskutimet me komunitetin shndërruan analizën financiare në një mjet konkret informimi për qytetarët e Durrësit, duke krijuar një hapësirë ku ata mund të diskutojnë, reflektojnë dhe të kërkojnë më shumë transparencë në përdorimin e fondeve publike.
Për të komunikuar shpenzimet publike në një formë më të kuptueshme, Qendra Durrësi Aktiv organizoi një seri ekspozitash nën titullin “Art me buxhetin”.
Ekspozita e parë u hap në Qendrën “Art dhe Aktivizëm”, duke vijuar më pas me ndalesa në Sheshin Liria, Shkozet, Ish-Kënetë dhe Spitallë.
Në secilën nga këto ndalesa, qytetarët jo vetëm që shihnin punimet artistike, por edhe diskutonin me organizatorët mbi mënyrën sesi përdoren fondet publike.
Përveç ekspozitës, një tjetër produkt i rëndësishëm i këtij projekti ishte Manuali “Si të kuptojmë buxhetin e shtetit”, një udhëzues praktik për qytetarët që duan të informohen mbi financat publike dhe të marrin pjesë aktive në vendimmarrje.
Ky dokument përmban një përshkrim të thjeshtë dhe të qartë mbi: Burimet e të ardhurave dhe shpenzimeve publike; procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit; si mund të angazhohen qytetarët në dëgjesat publike dhe mekanizmat që mund të përdorin për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie
Ky manual është një mjet i vlefshëm për këdo që dëshiron të kuptojë më mirë sesi funksionojnë financat publike dhe si mund të ndikojnë në mënyrën sesi përdoren fondet e bashkisë.
Ky projekt tregoi se angazhimi qytetar mund të fuqizohet përmes informimit të thjeshtë dhe të qartë. Duke i dhënë qytetarëve mjete për të kuptuar buxhetin dhe duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në dëgjesat publike, është e mundur të krijohet një kulturë e re e transparencës dhe llogaridhënies.
Ky projekt u realizua nga Qendra Durrësi Aktiv, me mbështetje nga skema e granteve “BAT Civil Society”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në partneritet me Faktoje dhe CRPM, financuar nga Bashkimi Evropian.
1 nga 6