E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhamia e Ballies fituese e çmimit ndërkombëtar për arkitekturën fetare, Rama ndan fotot

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Xhamia e Ballies në Elbasan është fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur Fetare në Botë, “Building of the Year 2025” të organizuar nga ArchDaily.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale foto nga kjo xhami me arkitekturë impresionuese.

ArchDaily është platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn ndërsa vlerësimi vjen pas shpalljes si finaliste para disa ditësh.

Xhamia e Ballies ndërthur arkitekturën tradicionale islame me elementët modernë, duke krijuar një hapësirë frymëzuese për besimtarët dhe një vepër arti arkitekturore të jashtëzakonshme.

Përdorimi i materialeve autentike si guri, druri dhe bakri, ndriçimi natyror dhe detajet simbolike e bëjnë këtë objekt kulti një model inovativ dhe një vlerë të çmuar për trashëgiminë fetare dhe kulturore shqiptare.

Si i vetmi objekt kulti në Evropë që ka fituar këtë çmim, xhamia tashmë është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke dëshmuar se trashëgimia dhe arkitektura shqiptare kanë një vend të rëndësishëm në skenën globale.

1 nga 12

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›