E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti utopik në Bosnjen e pasluftës

Lala Rascic ekspozon në Tiranë "Utopitë individuale". Përmes fotografive, vizatimeve, qeramikës, videos, artistja rrëfen për ndihmën absurde të ndërkombëtarëve në Bosnje.


Një libër i vogël, disa relieve në qeramikë, portrete në laps, dy video dhe një ide origjinale që i lidh të gjitha. Po t'i kundrosh me vëmendje, shpejt nuhat idenë ironike dhe satirën e artistes bosnjake Lala Rascic në ekspozitën "Utopitë Individuale", e hapur deri më 21 maj në galerinë "Zeta" në Tiranë. Rascic rrëfen përvojën e saj gjatë një trajnimi në një qendër të shëndetit mendor në Mostar, Bosnje-Hercegovinë.


Një përvojë që rezultoi e dështuar. Këtu ajo reflekton mbi situatën absurde dhe tragji-komike që po kalon sot Bosnje-Hercegovina, ku ndihma e ndërkombëtarëve nuk bie fare në sy dhe atëherë kur jepet është absurde. Këtë thekson Lala Rascic edhe në intervistën e mëposhtme, ku ndalet gjatë tek pozicioni, roli dhe mënyra e jetesës së një artisti në një vend që prej vitit 1995 jeton në mes tensioneve politike dhe vështirësive ekonomike. Të bën përshtypje tek Rascic idetë që ka mbi rolin e artit.


Artistja 33-vjeçare nuk e sheh artin si kënaqësi estetike, por si një pushtet që ka për detyrë të reflektojë mbi fenomenet shoqërore dhe t'i dokumentojë ato. Këtë kërkon të bëjë edhe ajo këto pak ditë që është në Tiranë, nëpërmjet trajnimit "Shkolla e imagjinatës", me njerëz 20-50 vjeç.


Këto dy punë në Tiranë janë pjesë e një projekti afatgjatë, i quajtur "Utopitë individuale në kohë", i realizuar nga Sarajevo Center For Contemporary Art (SCCA) dhe Tirana Institute of Contemporary Art (TICA). Projekti është mbështetur nga Programi Kulturor Zviceran në Ballkanin Perëndimor.


Lala Rascic është lindur në 1977 në Sarajevë. Studimet e larta i ka mbaruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb për pikturë dhe edukim arti. Jeton mes Sarajevës dhe Zagrebit. Ekspozon në galeri të ndryshme të Evropës, Francë, Gjermani, Angli, Itali, Austri, punën e saj në mediume të ndryshme: pikturë, skulpturë, video, instalacion.


Lala, përse ekspozita mban emrin "Utopitë individuale"?


Ekspozita është ngritur mbi një ngjarje të vërtetë që ngjau në vitin 2007 në Mostar, Bosnje-Hercegovinë. Merrja pjesë në një trajnim i cili është përshkruar në mënyrë satirike në libër dhe në video. Disa elementë janë pasqyruar edhe tek punët në qeramikë.


Një nga objektivat kryesorë të këtij trajnimi ishte të punonim në qeramikë me pacientët e sëmurë mendorë në qendrat terapeutike në Mostar. Askush nuk dinte ta bënte këtë. Të gjithë njerëzit që morën pjesë, janë personazhe në libër.


"Utopitë individuale" është një term specifik, i përdorur gjatë punës. Ne kishim një udhëheqës artistin italian Cesare Pietroiusti. Nuk mund të bënim asgjë në këtë trajtim. Askush nuk dinte të punonte me qeramikën, kishim vetëm një furrë. Kjo punë zgjaste vetëm pesë ditë.


Cesari tha që gjithsecili nga ne ka utopitë e tij individuale dhe të gjithë kishin vizionin e tyre sesi duhet të funksiononte trajnimi. Pacientët donin një gjë, italianët si organizatorë diçka tjetër, dhe ne si artistë donim një gjë tjetër. Çdokush ishte në kërkim të utopive individuale, në një situatë që nuk krijonte kushte për utopi. Mostari i ndarë në dy pjesë për shkak të tensioneve të thella politike në Bosnje-Hercegovinën e sotme.


Nisma kishte për qëllim ndihmën për njerëzit që vuajnë strese-postraumatike dhe çrregullime mendore që nga koha e luftës. T'u përçonim mendime më optimiste nëpërmjet artit.


Ç'rol kishit në këtë projekt?

Të punonim me këta pacientë, t'i mësonim të vizatonin, të punonin me argjilën.
Projekti im rrëfen pamundësinë që hasën gjatë këtyre ditëve për të bërë qeramikat. Më vonë unë realizova skena në qeramikë, foto, vizatime me portretet e pjesëmarrësve në atë trajnim. Në libër përshkruhet e gjithë satira e kësaj përvoje. Janë 28 personazhe, disa janë doktorë, disa artistë.


Kjo nuk është një ekspozitë që ti mund ta shijosh në pesë minuta. Gjithkush që vjen këtu, duhet të ulet, të lexojë tekstin që kam shkruar, të shohë personazhet, të mendojë për to, dhe të bëjë një lidhje me vizatimet dhe relievet. Është historia satirike e një grupi artistësh që shkojnë në një qendër të shëndetit mendor dhe duan të zhvillojnë një trajnim në një situatë të pamundur.


Arrihet deri aty sa një nga punonjësit tek kërkon të vejë në punë furrën e qeramikës, shkakton një masë elektrike.


Furra nuk u vu në punë asnjëherë, ata që e kishin sjellë e shihnin si pronë të tyren. Në njërën nga fotografitë simbolike të ekspozitës shihet se mbi furrën e qeramikës janë vendosur vazo me lule dhe kjo tregon se nuk është përdorur asnjëherë.


E gjithë ekspozita flet për ndihmën absurde të ndërkombëtarëve, ndihmën që duan të japin në vendet pas luftës, që është e pavend në një kohë kur ndodhin shumë gjëra të çmendura dhe absurde.


Shohim portrete nga më të ndryshmet, secili me një shprehi më vete.
Asnjeri nga portretet e vizatuara nuk ka emër. Portretet i korrespondojnë 28 karaktereve që janë në tekstin që kam shkruar. Disa prej tyre janë të sëmurë mendorë, të tjerë doktorë, disa janë organizatorë, disa artistë. Qëllimi im është të mos kuptohet kush është dhe kush nuk është i çmendur, kush është pacienti.


Me pak fjalë, këtë pozicion kanë ndërkombëtarët në kulturën bosnjake?

Duhet të bëjnë më shumë. Është e vështirë të gjesh para për artin në Bosnje-Hercegovinë. Jepen para sa për të ndjekur projekte të vogla, por ndërkombëtarët duhet të ofrojnë një mbështetje më të madhe për institucionet e mëdha të artit, muzetë, galeritë kombëtare. Arti nuk është prioritet. Projekti i vitit 2007-ta në Mostar nuk ishte për artin, arti ishte një mjet ndihmës në këtë rast, në çështjet dhe projektet e mëdha.

Ti vetë ia del të jetosh me art?


Për momentin jam në një pozitë të mirë sepse udhëtoj shumë dhe ekspozoj në vende të ndryshme.


Kam arritur në atë pikë të karrierës sime, kur nuk vuaj, por para pak vitesh ishte shumë e vështirë për mua të jetoja me artin tim. Kjo nuk ndodh as tani. Mendoj se pozita e artistit është si kudo gjetkë. Ke një punë të përditshme, ke një studio, apo ndoshta jo.


Por nuk mund të jetoj vetëm me artin. Për të qenë e sinqertë, jetoj nëpërmjet zemërgjerësisë së familjes sime (Qesh). Gjithashtu angazhohem me veprimtari të tjera, si ilustrimi, dizajni. Këto janë punët tipike për një artist. Por gjithmonë vjen diçka rastësore: projekte, bën muzikën e një filmi. Gjendet një mënyrë për të jetuar nëpërmjet artit, por shpesh është e vështirë.


Ju mendoni se detyra e artistit është dokumentimi i shqetësimeve të kohës që jeton?
Unë kaloj shumë kohë në Amerikë. Ndonjëherë çuditem sesi arti amerikan është më i shqetësuar për estetikën dhe për formën. Mua nuk më pëlqen ai lloj arti. Unë mendoj se arti ka "përgjegjësi" sociale.


Mendoj se arti duhet të jetë gjithmonë i lidhur me shoqërinë, të komentojë situatat sociale, fytyrën e shoqërisë së sotme, çështjet dhe probleme. Mendoj se ka një farë përgjegjësie. Arti ka pushtet dhe detyrime. Nuk po them që pëlqej punët që janë vetëm politike, apo që kritikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë shoqërinë. Thjesht duhet të ketë poetikë në çdo gjë.



Gjatë kohës së ekspozitës ke zhvilluar edhe një trajnim këtu në galerinë "Zeta". Me çfarë qëllimi?


Ideja e trajnimit "Shkolla e imagjinatës" është që të bëjmë bashkë njerëz të brezave të ndryshëm dhe të shohim cilat janë utopitë e tyre. Cila është për ta bota perfekte. Si e sheh botën një 20-vjeçar dhe një 50-vjeçar.


Unë u dhashë disa shembuj të artit bashkëkohor dhe në fund do të shohim rezultatin e përgjigjeve të tyre nëpërmjet punës së tyre. Të gjitha do të vendosen në një maket. Kjo është një përvojë e vogël për ta, një ekspozite me idetë e tyre për të ardhmen. Të vënë idetë e tyre në punë në lidhje me lumturinë njerëzore apo ekologjinë.


Po utopia jote artistike cila është?
Nuk më pëlqen të mendoj për gjërat që nuk mund të bëj, por për ato që mund të bëj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›