E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja zgjedh 16 emra nga 152 kandidatët për në pesë Gjykatat e Apelit, hap sërish 7 vende vakante

TIRANË- Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mes debateve dhe replikave të ndryshme për çështje parimore në lidhje me procedurat e emërimit dhe transferimit të gjyqtarëve, shqyrtuan listën e 152 kandidatëve konkurrues për 16 vendet vakante në Gjykatën e Apelit, Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër.


Pasi shqyrtuan këtë listë, mësohet se anëtarët e KLD-së vendosen me vota të hapura por në një mbledhje me dyer të mbyllura, t'i propozojnë Presidentit të Republikës Bamir Topit, dekretimin e 16 gjyqtarëve për këto vende vakante. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga zyra e shtypit pranë KLD-së, mësohet se është vendosur me vota të hapura dërgimi për dekret tek Presidenti emrat e 9 gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë për tu emëruar si gjyqtar pranë Gjykatave të Apelit, si dhe është vendosur transferimi i 7 gjyqtarëve nga një Gjykatë në atë të Apeleve përkatëse.


Sipas këtij njoftimi, pavarësisht faktit se këshilli vendosi plotësimin e këtyre 16 vendeve vakante, me vendimin e djeshëm të transferimit të 7 gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën anëtarët e KLD-së hapën sërish vende të tjera vakante pranë Gjykatave të ndryshme në vend. Gjithashtu, mësohet se për 10 vendet vakante të Gjykatës së Apelit në Tiranë kishin konkuruar 87 kandidatë, prej të cilëve u përzgjodhën vetëm 8 prej tyre. Ndërkaq, për tre vendet vakante të Gjykatës së Apelit në Durrës kishin konkurruar 43 kandidatë nga të cilët vetëm tre u përzgjodhën nga anëtarët e këshillit me vota të hapura. Ndërsa, për tre vendet vakante të Gjykatës së Apelit Vlorë, sipas njoftimit të KLD-së, kishin kandiduar 22 gjyqtar të Gjykatave të Shkallës së Parë, prej të cilëve u përzgjodhën vetëm tre prej kandidatëve, emrat e të cilëve tashmë do të dërgohen për dekret tek Presidenti i Republikës Bamir Topi.


Gjithashtu, dje u transferuan edhe dy gjyqtar të Gjykatës së Apelit Ushtarak të Tiranës, gjykatë kjo e cila është suprimuar, duke u transferuar njëri pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe tjetri pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Nga emrat e të "emëruarve" të djeshëm nga anëtarët e KLD-së bie në sy kryesuesi i treshes gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet që gjykon dosjen "Gërdeci" gjyqtari Ridvan Hado, që nëse dekretohet nga Presidenti duhet të zëvendësohet me një gjyqtar tjetër në gjykimin e kësaj dosjeje.


Ky ndryshim, pritet të sjell një tjetër zvarritje të procesit penal në ngarkim të 29 të pandehurve të kësaj tragjedie, pasi me largimin e kryetarit të trupit gjykues gjyqtari Hado, gjykata duhet të caktoj me short një tjetër gjyqtar për të vazhduar shqyrtimin e procesit penal. Krahas gjyqtarit Hado, anëtarët e KLD-së i propozuan Presidentit për dekret edhe ish-përfaqësuesin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genti Shala. Gjithashtu, me vendimin e djeshëm KLD-ja vendosi transferimin e anëtarit të këtij këshilli gjyqtarit Shkëlqim Miri nga Gjykata e Apelit të Durrësit pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Përveç këtyre, KLD-ja vendosi transferimin e ish-gjyqtarit të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarit Petraq Dhimitri dhe gjyqtares Valdete Hoxha për në Gjykatën e Apelit Tiranë.


Propozim për emërimin në Gjykatën e Apelit Tiranë:
Artan Broci, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
Astrit Haxhialushi, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Kavajë
Genti Shala, ish-anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor
Gramoz Levanaj, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Kurbin
Ridvan Hado, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë

Propozim për transferim në Gjykatën e Apelit Tiranë:
Edlira Petri, gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Berat
Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës dhe anëtarë i KLD-së
Valdete Hoxha, gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Shkodër

Propozim për emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës
Kliton Spahiu, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Kurbin

Propozim për transferim në Gjykatën e Apelit Durrës
Izet Dushaj, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër
Petraq Dhimitri, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër
Propozim për emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë
Andi Civici, gjyqtar i Gjykatës së Rethit Fier
Hysen Saliko, Inspektor pranë KLD-së
Skënder Damini, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Fier

Propozim për transferim në Gjykatën e Apelit Shkodër
Musa Halili, gjyqtar i Gjykatës Apelit Ushtarak në Tiranë, suprimuar tashmë

Propozim për transferim në Gjykatën e Apelit Gjirokastër
Ylli Minka, gjyqtar i Gjykatës Apelit Ushtarak në Tiranë, suprimuar tashmë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›