E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin bankën në autostradë

Persona të armatosur hynë në një bankë në periferi dhe morën nga sporteli rreth 350 mijë lekë

TIRANE- Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në kryeqytet nga persona të paidentifikuar, duke marrë me shpejtësi një pjesë të mirë të parave që ndodheshin në sportelin e bankës.


Ngjarja ndodhi dje paradite rreth orës 10:30, në rrugën dytësore në krahun verior të autostradës Tiranë- Durrës, pranë mbikalimit të Kamzës ku ndodhet një filial i një banke të nivelit të dytë që vepron në vend.


Autorët mësohet se kanë qenë së paku dy persona që kanë ndaluar përpara portës së bankës, me një automjet të markës "Seat". Më pas ata kanë hyrë në ambientet e bankës dhe nën kërcënimin e armëve iu kanë marrë punonjësve të sportelit një shumë prej 350 mijë lekësh të reja dhe më pas kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes me shpejtësi.


Veprimet e tyre autorët i kanë kryer në një hark kohor që nuk ka zgjatur më tepër se dy minuta, duke mundur të detyrojnë punonjësit e bankës që t'iu dorëzojnë paratë që ndodheshin në arkat e sportelit. Nga veprimet e para mësohet se autorët kanë mundur të marrin shumën e 350 mijë lekëve, në dy monedha, euro dhe lekë.


Gjithsesi burime jo zyrtare të policisë pohuan se shuma mund të jetë më e madhe dhe një vlerë e tillë është konkluduar në bazë të deklarimeve të punonjësve të bankës të cilët kanë pohuar sasinë e parave të vjedhura në këtë masë.


Hetimi


Menjëherë pas alarmit të dhënë, në adresën e bankës kanë mbërritur disa shërbime të një shoqërie të policisë private që merret me ruajtjen e saj, por mbërritja e tyre megjithëse e shpejtë nuk ka qenë në kohë për të bllokuar autorët për të kryer grabitjen.


Në bankë në momentin e ndërhyrjes së grabitësve ka pasur vetëm pak klientë, të cilët nuk janë dëmtuar apo sulmuar nga autorët e ngjarjes të cilët janë drejtuar menjëherë në sportelin e bankës, dhe duke iu drejtuar një automatik kallashnikov punonjësve, kanë mundur të marrin paratë.


Më pas, me shpejtësi ata braktisën bankën duke u drejtuar për në qendër të kryeqytetit, për të qenë në kundër kohë me policinë që drejtohej për në bankë. Veç shërbimeve të policisë private, në vendin e ngjarjes, kanë mbërritur në pak minuta edhe shërbimet e policisë së kryeqytetit që kanë nisur veprimet e tyre.


Nga veprimet paraprake, mësohet se autorët kanë qenë të maskuar me kapele dhe syze dhe mbanin veshur doreza. Në vendin e ngjarejs ekspertët kanë kryer këqyrje të ndryshme, ndërsa hetuesit iu kanë marrë me radhë deklarime punonjësve të bankës, personave që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes etj. Po kështu policia iu ka marrë deklarime edhe punonjësve të policisë private, që ishin disa të tillë në zonën që rrethonte objektin ku ishte vendosur banka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›