Artie Shaw, premierë nga mbreti i klarinetës

Festivali i Muzikës në jubileun e pestë: reduktim koncertesh, program i cunguar, më pak bursa për studentët shqiptarë.
Hapet sonte me "Koncertin për klarinetë" të Artie Shaw. Premierë në 100-vjetorin e lindjes së muzikantit amerikan
Numri i koncerteve dhe programet e pasura binin në sy të parat në katër edicionet e kaluara të "Tirana Music Festival", një aktivitet që mbështet muzikantë të rinj në Shqipëri.
Festivali i ideuar nga Accademia Musicale Internazionale, me qendër në Peruxha, në bashkëpunim me Akademinë e Arteve në Tiranë, mbërrin në jubileun e pestë me një numër të reduktuar koncertesh dhe më pak bursa për muzikantët e rinj.
"Është numër më i vogël i masterclasse-ve dhe koncerteve, kjo për shkak të krizës që ka prekur Shqipërinë. Pa ndihmën konkrete të tri partnerëve kryesorë të këtij viti, festivali nuk do të zhvillohej fare", shpjegoi drejtoresha artistike pianistja Marsida Koni.
Koni, bashkë me presidentin e Accademia Musicale Internazionale Piero Vincenti-n, drejtoreshën e Institutit Italian të Kulturës Flavia Tibaldin, si dhe klarinetistin Fatos Qerimi, folën dje në një konferencë për shtyp për rolin e Tirana Music Festival: në forcimin e marrëdhënieve kulturore Shqipëri-Itali, shkëmbimin e eksperiencave, në mbështetjen dhe angazhimin e muzikantëve të rinj shqiptarë.
"Tirana Music Festival" hapet sonte, ora 19.00, në Akademinë e Arteve me koncertin e "Big Band"-it, me dirigjent Fatos Qerimin dhe mbyllet më 28 prill koncerti e violinistes Anila Kraja dhe pianistes Fatma Spahiu.
Klarinetisti Piero Vincenti dhe "Big Band" interpretojnë për herë të parë sonte, koncertin për klarinetë të Arthur Jacob ArShawsky-t (Artie Shaw), klarinetist amerikan i muzikës jazz.
Artie Shaw, i njohur prej epokës swing si mbreti i klarinetës, kujtohet nga "Big Band" dhe Piero Vincenti me rastin e 100-vjetorit të lindjes.
Koncerti i dytë i "Tirana Music Festival" i takon studentëve.
Më të mirët e master-classe-ve të drejtuara nga docentët Michele Rossetti (piano), Pietro Vincenti (klarinetë) dhe Marsida Koni (piano), interpretojnë në koncertin e 25 prillit, ora 19.00, në sallën "Çesk Zadeja" të Akademisë së Arteve dhe në Universitetin "Kristal".
Pas master-classeve për piano, klarinetë dhe për muzikë dhome, docentët interpretojnë në një "Grand Gala" pjesë të romantikëve Schumann, Schubert dhe Marcello. Nata e fundit e festivalit është 28 prilli, me duon Kraja- Spahiu.
Qëllimi kryesor si për organizatorët është angazhimi në trajnime i muzikantëve të rinj dhe dhënien e bursave për pjesëmarrje në festivale në Itali, apo edhe për vazhdimin e studimeve.
"Klima e festivalit është pozitive. Të gjithë studentët janë të angazhuar për kontakte me pedagogët që vijnë nga Italia dhe të interpretojnë në këtë festival", pohoi muzikanti Fatos Qerimi që mendon se bashkëpunimi i këtij viti sjell një repertor më të spikatur për instrumentin e klarinetës.
Këtë vit Tirana Music Festival jep tri bursa studimi për vitin akademik 2010, për në Shkollën Superiore të Muzikës pranë Accademia Musicale Internacionale. Për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar "Umbria Estate 2010" këtë vit do të jepen maksimumi 6 bursa studimi, që mbulojnë shpenzimet e regjistrimit në kursin përkatës.
Për këtë aktivitet do të shpërndahen maksimumi edhe tri bursa për grupet shqiptare që zgjidhen për të marrë pjesë.
U sigurohen shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit për aq kohë sa zgjat koncerti, si dhe një pagesë simbolike. Vështirësitë financiare kanë ndikuar edhe në numrin e pak të bursave për këtë vit.
Piero Vincenti bëri një retrospektivë në katër edicionet e zhvilluara.
"Gjatë master-classeve që ne kemi përfunduar në katër viteve të para, kemi mbi 600 muzikantë që kanë marrë pjesë. Në bashkëpunim me qeverinë italiane, kemi dhënë 60 bursa studimi", pohoi Vincenti.
Në vijim të kësaj, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibaldi, tha se "aktiviteti Tirana Music Festival është shumë interesant, duke njohur dashurinë për muzikën që shqiptarët kanë pasur edhe në periudha të vështira".
Duke zënë në gojë muzikantët italianë që kanë qenë në Shqipëri në kuadër të ngjarjeve kulturore që ka zhvilluar Instituti Italian i Kulturës, Quarta, Campanella, Ughi, Tibaldi tha se të gjithë kanë evidentuar aftësitë dhe nivelin e muzikantëve të rinj shqiptarë.
Kush është
Karriera e Arthur Jacob ArShawsky (1910-2004) u rrit në Nju Njork përgjatë vitve 1930, kohë kur interpretoi me shumë banda dhe orkestra, përfshirë ato të Johnny Caverello-s dhe Austin Wylie-t.
Për herë të parë ai tërhoqi vëmendjen e kritikës me "Interlude in B-flat" në një koncert në Imperial Theater në Nju Jork më 1935. gjatë epokës swing, big band i Shaw-t korri sukses me hitet "Begin the Beguine" (1938), "Stardust", "Back Bay Shuffle", "Moongloë", "Rosalie" dhe "Frenesi".
Ai ishte novator në përdorimin e orkestrimeve të pazakonta. Ai përziente jazz-in me muzikë klasikë dhe iu shtonte harqe arranxhimeve të tij, formoi grupe për "jazz dhome" të cilët përdornin tinguj të rinj klaviçembali ose nga muzika afro-kubane.
Punoi me zëra të jashtëzakontë si Billie Holiday, Helen Forrest dhe Mel Tormé; me bateristë si Buddy Rich dhe Dave Tough, kitaristë si Barney Kessel, Jimmy Raney, dhe Tal Farlow.
Në vitin 1954, reshti së luajturi në klarinetë, shkak u bë perfeksionimi i tij, për të cilin do të thoshte se edhe mund ta kishte vrarë. "Jetojmë në një botë ku kanë marrë fund perfeksionistët e pandreqshëm.
Duhet të jesh Lawrence Welk, ose në një nivel tjetër, Irving Berlin, dhe të shkruash të njëjtën muzikë, përherë të njëjtën. Këtë gjë unë nuk mund ta bëj", pat thënë në një intervistë ai.
Më 1981, organizoi Artie Shaw Band me klarinetist Dick Johnson solist, duke shpallur kështu tërheqjen nga skena.
Shumë nga regjistrimet e tij janë përdorur në kienema. "Stardust" është shfrytëzuar për filmin "The man who fell to earth". Martin Scorsese përdori temën e këngës "Nightmare" në filmin "The Aviator".