E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrësi: Isha nën urdhrat e Allahut

Eduart Rexhepi, pas arrestimit u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Fierit. I marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore ai ka pranuar gjithçka që ka kryer. Mësohet se ndërsa është pyetur lidhur me shkaqet që e çuan në një veprim të tillë, ai është shprehur se ka qenë "nën urdhrat e Allahut".


Burime nga policia bëjnë të ditur se pas marrjes në pyetje të të afërmve të 32-vjeçarit pritet një përgjigje zyrtare nga ana e spitalit psikiatrik të Vlorës lidhur me faktin nëse personi është kuruar në këtë institucion, ashtu si pretendojnë familjarët, si dhe dhe cila ka qenë diagnoza e dhënë për të.


Gjithashtu vijojnë hetimet lidhur me shkaqet e marrjes flakë të autobusit ku si fillim dyshohet se ka qenë fakti i ecjes përgjatë 10 kilometrave me frenat e dorës të ngritura. "Megjithatë hetimet vazhdojnë. Mund të themi se jemi ende në gjysmë të hetimeve",- u shprehën burime nga policia teksa deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar ende nuk ishin përcaktuar akuzat për 32-vjeçarin.

Drejtoresha e spitalit psikiatrik: Rexhepi nuk është kuruar te ne


Ndërkohë, drejtoresha aktuale e spitalit psikiatrik të Vlorës shprehet se nuk ka asnjë të dhënë për shtrimin e Eduart Rexhepit në institucionin që ai drejton. "Të paktën për tre vitet e fundit, mund të them me siguri që ai person nuk ka qenë kontigjent i spitalit psikiatrik të Vlorës",- thotë drejtoresha Antonela Agaj.


"Unë sapo e mora vesh për ngjarjen e ndodhur kërkova të bëhej një verifikim. Duke qenë se raporti i paraqitur prej vëllait të personit mban datën e vitit 2005, atëherë një verifikim më i hollësishëm do të bëhet nesër (sot)", përmbylli drejtoresha Agaj.

Nëna e rrëmbyesit: Im bir ishte i dhunshëm


Pas ngjarjes së ndodhur në Krastë të Tepelenës, policia ka mbërritur edhe në banesën e Eduart Rexhepit, në qytetin e Patosit, në lagjen e quajtur "Çamët" për të ushtruar një kontroll, duke dyshuar se mos në të kishte armë. Bëhet e ditur se 32-vjeçari jetonte me të ëmën dhe motrën.


E pyetur lidhur me ngjarjen nëna e Eduart Rexhepit, Hatixheja, tregon se djali i saj është një person me probleme mendore dhe se sa herë që vinte në shtëpi do të bënte sherre, madje edhe duke ngritur dorë ndaj saj.


"Ka bërë disa herë gjilpëra për t'u qetësuar, ndërkohë që pinte edhe kokrra, - rrëfen Hatixheja. - Këto ia jepja vetë, por kishte raste që nuk i pinte dhe atëherë bëhej shumë keq.


Largohesha nga shtëpia bashkë me vajzën derisa vinte djali tjetër që e bënte zap, ndërsa unë qëndroja jashtë". Ajo tregon se dy ditë më parë, pasi ka ardhur në shtëpi, ka ngrënë bukë dhe pjesën që mbeti, motra e tij Beria (e cila është gjithashtu e sëmurë) ia dha qenit të shtëpisë.


Por sipas nënës, duke parë një gjë të tillë, ai mori thikën nga tavolina dhe duke ulëritur i është turrur qenit dhe pasi e ka kapur nga qafa, e ka goditur disa herë në trup derisa qeni ngordhi. "Jam tmeruar dhe larguar me vrap. E kam parë nga larg kur ka marrë qenin e therur duke e varosur në oborrin e shtëpisë",- vijon gruaja.


Kur u largua sot nga shtëpia?


Ka qenë ora 6 e mëngjesit. I dhashë 200 lekë, kaq kisha dhe është larguar. Nuk më tha se ku do të shkonte. Rreth orës 9 erdhi përsëri në shtëpi, hoqi xhiboksin dhe veshi një xhaketë të zezë.


Nuk më tha se ku do të shkonte. U vonua dhe dola ta kërkoja se ndonjëherë qëndronte në qytet. Pastaj më erdhën të policisë dhe më pyetën për Eduartin. U frikësova dhe zemra më tha se diçka kishte bërë. Policia më tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe më pas më pyetën për jetën e djalit.


Çfarë u the atyre?


Të njëjtat gjëra i thashë edhe policisë. U tregova vendin se ku e kishte vrarë qenin, ndërsa policia bëri kontroll në shtëpi dhe jashtë saj. Ata bënë punën e tyre. Nuk gjetën gjë. Shihnin se mos kishte fshehur armë. Jam disi e lehtësuar që ai nuk ka ushtruar dhunë te pasagjerët, pasi bëhej i dhunshëm kur nuk pinte ilaçet.


Kur iku, ju tha se ku do të shkonte?


Jo, jo. Nuk më pyeste ku shkonte, por mendoj se kur ai ka ikur nga shtëpia, ka dalë te kthesa e Patosit dhe aty ndoshta ka hipur te ky autobus.


Vëllai: Eduarti është i sëmurë prej shumë vitesh


Ndërkohë, vëllai i tij Spartak Rexhepi thotë se Eduarti prej vitesh ka shfaqur probleme mendore dhe se për këtë kurohej. Sipas tij, 32-vjeçari rreth 10 vjet më parë ka pësuar një aksident automobilistik e që atëherë ka nisur të ketë probleme për shkak të tronditjes psikike të shkaktuar.


Ndërkohë prej 7 vjetësh ai është kuruar. I vëllai rrëfen se Eduarti ka qenë edhe në Greqi për disa kohë, por gjendja e tij e shëndetit mendor nuk e ka lejuar të punojë. Duke mbajtur në duar dy vërtetime, i pari i lëshuar nga komisioni i qytetit të Fierit dhe i dyti nga spitali psikiatrik i Vlorës, Spartak Rexhepi tregon problemet që mbart i vëllai.


"Në kushtet e krijura ai është shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës, - thotë Spartaku. Ai tregon një raport mjekësor, i cili tregon se Eduarti vuante nga skizofrenia, ndërkohë që ka treguar edhe një recetë mjekësore që tregonte daljen e tij nga spitali i Vlorës në vitin 2005. - Vëllai këto shenja i manifestonte edhe në shoqëri, ku në shumë raste ushtronte dhunë jo vetëm te njerëzit e njohur, por edhe në familje, - shprehet Spartaku.


TEPELENË- Tmerr dhe panik për gjashtë pasagjerë që udhëtonin në njërin prej autobusëve të linjës Tiranë- Sarandë, i cili u mor peng për pak kohë nga një person, që mendohet të ketë pasur çrregullime psikike.


Autobusi mori flakë gjatë kohës që ishte në lëvizje, ndërkohë që fatmirësisht asnjëri prej pasagjerëve nuk ka pësuar dëmtime për shkak të ndalimit në kohë të mjetit dhe daljes së tyre para se ai të shpërthente. Policia e Fierit ka vënë në pranga autorin 32-vjeçar, ndërkohë që vijojnë hetimet për ngjarjen e ndodhur.


Ngjarja


Ngjarja e rëndë ka pasur për protagonist një 32-vjeçar nga qyteti i Patosit. Mësohet se rreth orës 12:30 të së martës, autobusi i linjës Tiranë- Sarandë, me targë SR 4911 B kishte ndaluar në një lokal në fshatin Fratar në aksin kombëtar Ballsh-Tepelenë për të drekuar.


Pjesa më e madhe e pasagjerëve, gjithsej rreth 30, bashkë me shoferin dhe fatorinon ishin në lokal, ndërsa 6 persona vijonin të qëndronin brenda në autobus. Sipas dëshmive të shoferit dhënë për policinë dhe prokurorinë, ndërsa ishin në lokal i ishte afruar një djalë dhe i kishte kërkuar ta merrte deri në qytetin e Tepelenës pa pagesë, pasi nuk kishte para me vete. Shoferi ka pranuar dhe i ka thënë se do të niseshin sapo të mbaronin së ngrëni.


Por, për habinë e të gjithëve, duke krijuar edhe një rast të paprecedent, personi, që më pas është identifikuar si 32- vjeçari Eduard Rexhepi, banues në qytetin e Patosit, ka hipur në vendin e shoferit dhe ka nisur të drejtojë autobusin, duke tmerruar pasagjerët dhe duke vënë seriozisht në rrezik jetët e tyre.


Pas marrjes së njoftimit, forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier janë nisur për në vendngjarje, ndërsa uniformat blu të Gjirokastrës kanë ngritur postblloqe në rrugën kombëtare.


Autobusi në flakë


Në hyrje të territorit të qarkut Gjirokastër, vetëm 20 metër nga kufiri me qarkun e Fierit, në vendin e quajtur "Liqeni i Krahësit" Tepelenë, autobusi ka marrë flakë pasi 32-vjeçari e drejtonte mjetin me frenat e dorës të ngritura. Dyshohet se nga fërkimi dhe shkëndijat autobusi të përfshihej në flake.


Në këtë kohë mjeti është përplasur me një automjet tjetër dhe më pas ka ndaluar. Fatmirësisht gjashtë pasagjerët kanë mundur të zbresin të palënduar, ndërsa 32-vjeçari është larguar me vrap dhe pak pas ngjarjes është arrestuar nga policia.


Pasagjerët: Minutat e tmerrit në autobus


Kanë kaluar minuta tmerri, ndërsa autobusi në të cilin ndodheshin drejtohej nga një person, që nga veprimet të linte të kuptoje se mund të kishte probleme mendore. Pavarësisht kësaj nuk u ka folur apo kërcënuar ata. Gjashtë pasagjerët e linjës Tiranë- Sarandë kanë rrëfyer për "Shekulli"-n momentet e panikut.


Dorina Muho është njëra prej pasagjereve që udhëtonte drejt Sarandës. "Ishim duke qëndruar në autobus kur shohim një person që nuk ishte shoferi, i cili u ul në vendin e tij dhe nisi autobusin. Filluam t'i flisnim, po ai nuk na kthente përgjigje. Na zuri paniku, nuk dinim se çfarë të bënim. Pas pak kuptuam që autobusi po merrte flakë.


Filluam të bërtisnim dhe t'i kërkonim ta ndalonte autobusin, por ai nuk dëgjonte. Pastaj në një moment flakët filluan të përhapeshin më shumë dhe ai e ndaloi autobusin. U largua me vrap dhe ne zbritëm", tregon Dorina.


Fatbardha Bufi, nënë e 2 fëmijëve nga fshati Luzat i Tepelenës, ishte pasagjere në autobusin që u dogj së bashku me tre çantat e saj brenda. "Në autobus ishin rreth 20 veta. Autobusi u nis në orën 8:30 nga Tirana.


Në Fratar kur pasagjerët hanin drekë, pengmarrësi i kërkoi shoferit ta merrte deri në Tepelenë dhe i tha se nuk kishte lekë. Shoferi pranoi", thotë e tronditur Fatbardha.


"Përjetuam tmerrin. E kuptuam që në fillim që kishim të bënim me një njeri të papërgjegjshëm, pasi ai ecte keq. Falënderojmë një postbllok të policisë rrugore që u ndodh pranë, ata i bënin presion shoferit të ndalonte (me sirena).


Kjo e acaroi pengmarrësin, i cili nuk kishte ndërmend të ndalonte. Pjesa e pasme e autobusit u përfshi nga flakët. Kur zjarri u përhap në gjithë autobusin dhe pasi u përplas me një makinë, ai ndaloi. Humba gjithçka, humba mjetet e mia shëndetësore", tregon Fatbardha.


Një tjetër pasagjere në autobus ishte Renata Kosta, rreth 25 vjeç, nënë e një fëmije, nga qyteti i Sarandës. "Shoferi nuk foli me pasagjerët gjatë gjithë rrugës. Ne ulëritëm, por ai s'donte t'ia dinte. Fati ishte me ne. Falënderojmë policinë që iu vu pas dhe nuk e la të vazhdonte, duke bërë ndonjë aksident më të rëndë," thotë ajo.


Autobusi ecte me zigzage, u përplas me ne


Fatrie Halili, 50 vjeç, nga Saranda udhëtonte për në Tiranë me makinën e vajzës së saj. "Në hyrje të Krasit autobusi ecte në mënyrë zigzage. Në fillim u tmerrova. Autobusi goditi makinën tonë dhe 200 metra më tutje ndaloi.


Me ndalimin e autobusit, pengmarrësi u largua me vrap, por policia, që e ndiqte, e arrestoi. Falënderoj time bijë që na shpëtoi jetën. Ajo e hapi rrugën në ekstrem, por makina u dëmtua në pjesën e pasme", shprehet Fatria. Rreth orës 15:30 pasagjerët kanë vijuar udhëtimin e tyre me një tjetër autobus të vendosur në dispozicion.


Dëshmitari: Autobusi kishte marrë flakë


Në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës, të gjithë flasin për ngjarjen e rëndë. Në anë të rrugës nacionale qëndron autobusi i shkrumbuar që edhe pas shumë orësh vazhdon të nxjerrë tym dhe era e rëndë ndihet në ajër.


Aty janë edhe forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier e Gjirokastër, të Prokurorive të dy qarqeve dhe dhjetëra banorë të zonës. Agron Sinomema është një prej personave që ka parë skenën e djegies së autobusit. Ka qenë duke kullotur bagëtitë pranë rrugës nacionale.


"Po shihja nga rruga kur pashë autobusin që kishte marrë flakë në anën e djathtë nga prapa. Pastaj në një moment ndaloi, pasagjerët zbritën me nxitim, kurse ai personi iku me vrap drejt fshatit. Autobusi mori flakë i gjithi dhe më pas erdhi policia dhe zjarrfikëset që shuan zjarrin dhe arrestuan atë djalin", tregon Agroni.


Policia: 20 minuta ndjekje për të kapur autorin

Në orët e pasdites së të martës, policia e qarkut të Fierit dha edhe një deklaratë për shtyp lidhur me ngjarjen. Sipas bluve, rreth orës 12:30 të së martës, në sallën operative u mor njoftimi se në fshatin Fratar të rrethit Mallakastër ishte marrë peng autobusi i linjës Tiranë - Sarandë.


"Me marrjen e këtij njoftimi strukturat e Komisariatit të Policisë Mallakastër nën drejtimin e drejtuesve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore rezulton se në vendin e quajtur fshati Fratar i rrethit Mallakastër, shtetasi Eduart Rexhepi ka marrë peng autobusin me targë SR 4911 B të linjës Tiranë-Sarandë, i cili në këtë kohë ka qenë i ndaluar dhe është larguar më pas në drejtim të Tepelenës.


Në këto momente në autobus kanë qenë rreth 6 pasagjerë, pasi pjesa tjetër bashkë me drejtuesin e këtij autobusi kanë qenë të ndaluar në një nga lokalet aty pranë.


Si rrjedhojë, - është shprehur zëdhënësja e policisë, Valbona Meço, - policia ka organizuar punën duke ngritur postblloqe në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë në bashkëpunim dhe me shërbimet zjarrfikëse pranë prefekturës dhe shërbimet e spitalit rajonal për ardhjen në ndihmë të udhëtarëve.


Në vendin e quajtur fshati Krastë i rrethit Tepelenë, rreth 15 m në vijë kufitare Ballsh-Tepelenë, shërbimet e komisariatit të policisë Mallakastër pas një ndjekjeje për rreth 20 minuta, bënë të mundur kapjen dhe neutralizimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit Eduart Mustafa Reshepi, i vitlindjes 1978, lindur e banues në Patos të rrethit Fier.


Në këto kushte u konstatua se autobusi kishte marrë flakë dhe menjëherë shërbimet e policisë të këtij komisariati bënë të mundur evakuimin e pasagjerëve që ndodheshin në autobus pa pësuar dëmtime".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›