Artim Pollozhani flet për ndeshjen e 24 marsit

Shkup – Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll i ka nisur përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të 24 marsit me Kroacinë në Zagreb. Nën drejtimin e sllovenit Srecko Katanec, kuqeverdhët po stërviten nga e diela në stadiumin e qytetit në Ohër, "Biljanini Izvori", me formacion jo të kompletuar. Futbollisti i vetëm shqiptarë në radhët e Maqedonisë, Artim Pollozhani ka thënë se që nga e marta pritet kompletimi i skuadrës. "Të dielën i filluam përgatitjet. Në fillim ishim grumbulluar 13 lojtarë,
ndërsa të martën do të jemi të gjithë në stërvitje. Nga e diela ka ardhur edhe trajneri Katanec. Po zhvillojmë nga dy seanca stërvitore dhe mund të them se atmosfera është shumë e mirë në kampin tonë", u shpreh Pollozhani. Ai thotë se në përballjen me Kroacinë do të jetë shumë vështirë, por megjithatë presin një rezultat pozitiv. "Barazimi nuk na bënë punë, prandaj do të luftojmë për tre pikë. E di se do të jetë shumë vështirë, por nuk do të dorëzohemi në asnjë moment", tha mesfushori shqiptar, i cili shpreson se në "Maksimir" do të përjetojë atmosferën e këtij takimi të rëndësishëm për të dy skuadrat. Ndryshe, Artim Pollozhani me lojë të mirë u dallua edhe në miqësoren që e zhvilloi Maqedonia kundër Shqipërisë (1:0), ndërsa na Zagreb, ai do të jetë në shënjestër të disa klubeve evropiane.
Reshat Ibrahimi