E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni: Shqiptarët përçahen deri në skajshmëri

Shkup – Kuvendi vjetor i Strugës përfundimisht i ka ndarë shqiptarët në dy blloqe. Prej 21 delegatëve 11 kanë përkrahur kryetarin Risteski, ndërsa 9 kanë dalë në anën e Këshillit Iniciativ për ndryshime. Delegati nga Struga, Mirac Hani ende nuk e ka dhënë fjalën përfundimtare, edhe pse ishte në Kuvend, pastaj e kishte braktisur hotelin
"Drim" në Strugë. "Më lini të qetë. E kisha punën ashtu", tha shkurt Hani pa dashur të japë komentin e tij për ngjarjet në Strugë. Ndërkohë Zylkadri Iseni, anëtar i KD në FFM thotë se kanë kaluar në anën e Këshillit Iniciativë për ndryshime, sepse Bozhinovski ua ka pranuar të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me shqiptarët.
"Kam pasur takime me Bozhinovskin. Në Këshillin Drejtues do të ketë 5 anëtarë e jo 4 si deri më tani, pastaj do të ketë edhe punësime të reja. Emili na i ka pranuar të gjitha kërkesat tona dhe kjo është arsyeja që kemi kaluar në Këshillin Iniciativ", u shpreh Iseni. Ai thotë se janë duke bërë përpjekje që edhe delegatët tjerë shqiptarë do t'i bindin të kalojnë në radhët e tyre. "Ne do të punojmë në drejtimin që edhe shqiptarët tjerë të vijnë me ne, edhe pse Rexhep Bexheti po frikohet se do ta humb pozitën e nënkryetarit. Edhe unë isha anëtar i Këshillit Drejtues por aspak nuk më interesonte detyra që kisha dhe iu bashkëngjita Këshillit Iniciativ", tha Iseni, të cilit iu ka ofruar posti i nënkryetarit të ardhshëm të FFM-së.
Në anën tjetër pohimet e Isenit i hedh poshtë nënkryetari i FFM-së, Rexhep Bexheti. Ai thotë se asnjëherë nuk do të bashkëngjitet me ata që kaluan në radhët e Këshillit Iniciativ për ndryshime. "Kur të shoh se ka njerëz të aftë atje, atëherë unë vetë do të jap dorëheqje. Mos më pyetni ashtu se unë nuk jam fëmijë. Kjo është punë e kryer ne kemi votuar dhe ajo është valide. Nëse prishet shteti, atëherë mund mos të ekzistojë kjo Federatë për të cilën e dhamë votën në Strugë", u shpreh Bexheti në pyetjen nëse është e vërtetë se do të kalojë në kampin e Bozhinovskit.
Ndryshe, të shtunë në Kuvendin vjetor të FFM-së, nga gjithsejtë 106 delegatë, 56 kanë marrë pjesë në votime, ndërsa 55 e kanë votuar kryetarin Risteski.

Reshat Ibrahimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›