Artistët: Të shkëputemi nga sistemi komunist

Entuziastë e të gëzuar, ndonjëri ende e konsideron si një ëndërr, kështu e kanë përjetuar dhe pritur artistë e aktorë të humorit, personalitete të artit e kulturës, propozimin e Kryeministrit Sali Berisha në lidhje me ngritjen e një teatri të komedisë dhe përcaktimin e një godine për këtë institucion. Për këtë arsye, dje pasdreke, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, së bashku me një përfaqësi artistësh të kësaj gjinie, janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me këtë ide të hedhur nga kreu i qeverisë. Në vijim të kësaj iniciative, Xhaferaj, pasi bëri një vlerësim të institucionit të Estradës ndër vite, si dhe degradimin që pësoi në vitet e mëpasme, bëri të ditur që tashmë, ashtu si Cirku, edhe Teatri i Komedisë është duke u përfshirë në ligjin për artin skenik, i cili aktualisht është duke u rishikuar. Njëkohësisht ministri propozoi ngritjen e një grupi pune, i cili në bashkëpunim me ministrinë do të punojë për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni, si dhe përcaktimin e vendndodhjes së strukturës së tij. Bashkë me drejtoreshën e kulturës në ministri, Mimoza Sofroni, dhe drejtoreshën juridike, Alma Kokonozi, artistët vendosën që pjesë e këtij grupi të jenë dramaturgu Bashkim Hoxha, regjisori Mihal Luarasi, humoristi Bujar Kapexhiu dhe dramaturgu Ruzhdi Pulaha. Sipas Xhaferajt, ky grup pune për një kohë të shkurtër disaditore duhet të ketë gati të paktën tri pika kryesore në lidhje me ngritjen e këtij institucioni që kanë të bëjnë me përbërjen, vendndodhjen dhe mënyrën se si do të funksionojë ky teatër. Për sa i përket emrit, ministri bën me dije se duke u bazuar në komunikimet me një pjesë të madhe të artistëve, ata kanë rënë dakord që të quhet teatri i komedisë për të vetmen arsye sepse në këtë mënyrë përfshihen të dyja gjinitë, humori dhe satira. “është një vendim që shikoj se ka pasur një konsensus të gjerë dhe është pritur shumë mirë nga trupa e artistëve që kanë pasur lidhje me humorin në Shqipëri”, u shpreh ai. Pas një diskutimi të shkurtër në prani të mediave, mbledhja mes ministrit dhe artistëve pjesëmarrës (Mihal Luarasi, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Gëzim Kame, Reshat Ibrahimi, Bujar Kapexhiu, Vasillaq Vangjeli, Rita Lati, Behar Mera etj.),u vijua me dyer të mbyllura.
Bashkim HoxhaNe mezi presim që të fillojë sa më shpejt punën një teatër kombëtar i komedisë. Kjo jo vetëm për t’i sjellë një impuls të ri kësaj gjinie, për të sjellë sërish ato resurse që padrejtësisht janë lënë mënjanë në një kohë kur kemi nevojë për ta, por edhe sepse kjo do të jetë një nismë e mirë për t’i dhënë një impuls edhe vetë Teatrit Kombëtar. Ky teatër duhet të krijohet shpejt, por unë nuk mendoj që duhet të vijë me vështrimin në të shkuarën. Në të tillë mënyrë ne kemi të ndërtuar Teatrin Kombëtar, i cili po jeton midis dy sistemeve dhe ka mjaft problematika. Po na jepet mundësia të krijojmë një teatër të ri, sipas sistemit në të cilin jemi tani, pa ato trashëgimitë strukturore organizative të mëparshme, të cilat vetëm sa do t’i ngatërroheshin nëpër këmbë. Kam përshtypjen se vetë ligji do të implementohet të ngrejë themelet e një sistemi të ri funksionimi, që ky teatër i komedisë të jetë efektiv. Në këtë mënyrë ai do të vihet në garë me Teatrin Kombëtar, i cili në konstatimet e mia është disi i vjetruar, qoftë në mënyrën se si shpërblehen aktorët, ashtu edhe në mënyrën se si punohet apo edhe si është i organizuar. Mendoj që përvojat e këqija të mos i transferojmë në këtë teatër. Le të ndërtojmë diçka nga fillimi, me një mentalitet krejt të ri. Kjo do të ishte më e dobishme, ndaj duhet filluar sa më parë, sepse nuk kemi kohë për të humbur.
Teodor Laçoështë ndjerë prej vitesh domosdoshmëria e një teatri të komedisë, pasi një institucion i tillë ka munguar. Unë mendoj se hekuri duhet të rrihet sa është i nxehtë, ndaj menjëherë duhet të mendojmë si ta vëmë në funksion këtë teatër. Nëse ende nuk ka përfunduar salla e Piramidës, atëherë ekziston salla e vogël e Teatrit Kombëtar, ku ky teatër mund ta nisë veprimtarinë e tij. Kështu ne do t’i afrojmë spektatorit një gjini që ai e preferon dhe e mirëpret. Për këtë projekt mendoj se duhet të bëhet kalimi i disa aktorëve të Teatrit Kombëtar, që janë të profilit të komedisë, në Teatrin e Komedisë dhe të shtohen edhe dhjetë aktorë të tjerë, të rinj kryesisht, të cilët do të bëhen pjesë e këtij teatri në bazë të një konkursi e kurrikulave përkatëse.
Mihal LuarasiNe të gjithë jemi gati të kontribuojmë në ngritjen e këtij teatri, i cili duhet të jetë i ri në çdo aspekt. Grupi i punës duhet të mendojë për të krijuar një formë të re të një teatri që duhet të jetë i pranueshëm jo vetëm si strukturë, por edhe nga ana artistike e financiare. Unë mendoj se modelet për të ndërtuar një teatër të komedisë janë të gatshme. Vështirësia sipas meje qëndron në faktin se në çfarë niveli do të duam të jemi, ku do ta ngremë vizën e kapërcimit për të hyrë brenda. Ky teatër duhet t’i përkasë shoqërisë së sotme, ndaj në këtë drejtim duhet të jemi shumë kërkues edhe në marrjen në provë të atyre që do të jenë pjesë e tij. Për sa i përket punës së sallës, unë mendoj se të tilla ka plot për të filluar. Megjithatë mendoj se një sugjerim për më vonë do të jetë për Teatrin e Piramidës.
#