Artistët e Metropolit, nga skena teatrore në teatrin e lëndinave
Artistët e Teatrit të Metropolit, duke filluar që sot për të vijuar në fundjavat e tjera veç shfaqjeve që ata do të shfaqin në skenën teatrore, ata do të jenë dhe në mjedise të hapura në natyrë. Kjo nismë e re e ndërmarrë nga drejtuesit e kësaj qendre kulturore bën që këto ditë pranvere në kryeqytet të jenë të mbushura me aktivitete të larmishme kulturore. Numra cirku,
shfaqje teatrore si dhe muzika nuk do të mungojë çdo fundjavë. Ky sezon artistik sipas drejtuesve të qendrës kulturore ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive. Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse, e ndërkohë që sallat e saj vazhdojnë që të jenë të pushtuara nga shfaqjet e ndryshme teatrore si për të rritur ashtu dhe për fëmijë. Për drejtorin e saj Kiço Londo, ky institucion tashmë po përgatitet që ta shtrijë aktivitetin e saj dhe jashtë sallave teatrore, ku pas nuk mbetet as Cirku i Tiranës. Teatri i Metropolit për Fëmijë do të jetë dhe Teatri në lëndinë ku për publikun do të shfaqen: "Druvari i mirë" dhe "Në ballon e luleve". Veprat do të jepen çdo të shtunë në ora 10.30 në parkun Rinia dhe çdo të diel në ora 10.30 në Amfiteatrin e Liqenit. Cirku i Metropolit paraqet Cirku në Lëndinë, ku për publikun do të shfaqet "Qielli pikon yje", ku publiku do të ketë mundësi të ndjeki performanca të kllounëve si dhe numra të ndryshëm akrobatik çdo të shtunë ora 10.30 në parkun Rinia dhe çdo të diel në Amfiteatrin e liqenit, hyrja e lirë. Gjatë sezonit të verës do të ketë aktivitete të tjera të larmishme, që nuk do të zhvillohen vetëm në sallat e Teatrit të Metropolit, por ato do të jenë dhe në mjedise të tjera. Kështu në Kodrat e Liqenit çdo të premte dhe të shtunë gjatë verës do të ketë grupe me muzikë rock, të cilët do të peformojnë për publikun. Për këtë është zgjedhur si koordinatore Linda në botën e çudirave, e cila do të merret me të gjithë këto aktivitete muzikore. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet të jetë komedia Testamenti i Ri nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re Glob me kapacitet prej 300 vendesh. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri.
Vepra të njohura botërore, të parat në lëndina
Në ballon e luleve përshtatur nga përralla Lulet e Idës së vogël e autorit H.K. Andersen dhe Druvari i mirë përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim, do të jenë të parat që do të shfaqen për publikun e vogël. Shfaqja Druvari i mirë vjen me regji nga Genti Deçka, skenografi dhe kostumografi Shpëtim Baca. Në shfaqje janë katër personazhe: Endri Çela-druvari, Ledian Papagjoni-vëllai, Arbër Islami-naratori. Ngjarjet fillojnë në një familje të varfër, duke bërë dru në pyll. Jeta e tyre ndryshon në momentin kur sopata druvarit i bie në lum dhe aty njihet me peshkun magjik. Shfaqja Në ballon e luleve vjen me regji nga Adelina Muça, përshtatur nga Milena Selimi, kordinatore Ada Ruçi, koreografia Llaqi Nako, kostumografia e skenografia Morena Vata e Olsida Murati. Personazhet në shfaqje janë: Drilona Zalli-Ida e vogël, Genti Decka-studenti, Lorenc Kraja-Adolfi, Ina Limani-Jona,Lindita Alliu-Mamaja e Ides, grupi i baletit për fëmijë-lulet. Ngjarjet fillojnë në një qytet të largët ku jeton Ida një vogëlushe dhjetë vjeçare sëbashku me lulet e sajë të kopshtit. Çdo mëngjes, ku dhe çdo mbrëmje ajo kujdeset për lulet dhe i tregon gjithçka i ka ndodhur gjatë ditës. Fantazia e vogëlushes shkon deri aty sa krijon Ballon e Luleve, ku mbreti dhe mbretëresha janë trëndafili dhe karafili dhe në këtë subjekt interesant përfshihen edhe miqtë e saj më të mirë, Jona dhe Adolfi.
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Premte, 23 Prill 2010 20:15