Artistët e grafikës mblidhen në Prishtinë

Ekspozita ndërkombëtare ‘Bienalet në grafikë’, e kuruar nga Rene Block, do të hapet sot (e hënë) në ora 19:00, në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistë të njohur nga vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Marina Abramovic, Dennis Adams, Nevin Aladag, Halil Altındere, Maja Bajević, Joseph Beuys, Barbara Bloom, Luchezar Boyadjiev, KP Brehmer, John Cage, Tony Cragg, Edi Hila, Alfredo Jaar, Ilya Kabakov, Nam June Paik, Dan Perjovschi, Anri Sala, Julian Schnabel, Peter Tyndall etj.
Në një komunikatë për media, të dërguar nga GAK, thuhet se Editioni Block, i themeluar në vitin 1966, gjithmonë e ka pasur në fokus interesin, dhe ende e ka të tillë, në grafikën dhe teknikat e ndryshme të saj. Programi plotësohej vazhdimisht me artistë të rinj dhe forma të reja të artit, si dhe gjithmonë kishte si vulë parimin e quajtur Fluxus, të Rene Blockut, si parim i rrjetëzimit artistik dhe të interesit të tij për artin periferik dhe ‘koleksionet artistike’.
Duke i kuruar vetë disa ekspozita bienale, Block kishte arritur që t’i bindë organizatorët që t’i futen rrezikut të botimit të portofolit të punimeve në ato bienale.
Në 1985 ai u pat zgjedh si drejtor artistik dhe organizator i Bienales ‘Art of Peace’, në Hamburg, që ishte bazuar në idenë e Robert Filliou dhe mbante titullin ‘Zugehend auf eine Biennale des Friedens’ (Duke shkuar drejt një bienaleje të paqes).
391 artistë nga 33 shtete të ndryshme morën pjesë në këtë projekt, duke u përpjekur që të kontribuojnë në definimin e fjalës ‘paqe’, si një nocion mjaft i komplikuar dhe një temë e ndjeshme, për ta shprehur përmes tingullit, formave dhe ndjenjës së paqes. Pasi që ky projekt kishte një buxhet të vogël, lindi ideja e botimit të portofolit të punimeve si një mjet që do të kontribuonte në financimin e projektit. Ky botim u quajt ‘Dem Frieden eine Form Geben’ dhe përmban një objekt të John Cage, një vizatim me laps të Robert Filliou, punët të shtypura në ofset të Joseph Beuys, Nam June Paik dhe Lawrence Weiner, gravura të KP Brehmer dhe Andre Thomkins, dhe një ‘screen print’ të Emmett Williams.
René Block filloi të punonte si kurator i pavarur pas eksperiencës 15 vjeçare në galeritë e tij në Berlin dhe New York (1964 – 1979).
Prej 1982 – 1992 ishte në krye të artistëve dhe kompozuesve në Berlin ‘Artist in Residence Program’, ku organizoi projekte të ndryshme, duke përfshirë ekspozita dhe festivale të muzikës.