E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libra të rinj në shqip

Besnik Mustafaj

“Legjenda e lindjes sime”

Botoi: “Toena”

“Legjenda e lindjes sime” është një përzgjedhje e krijimtarisë poetike së Besnik Mustafajt, e shkruar në dhjetëvjeçarin 1976-1986. Një pjesë e mirë e vjershave të përfshira në këtë botim pasqyrojnë lojën e mundimshme, aspak argëtuese, me censurën dhe me autocensurën. Ato shprehin dëshirën e autorit për të shndërruar në poezi jo gjithmonë parullat me të cilat ishte i mbushur realiteti përreth, por kontradiktat, tronditjet, zhgënjimet dhe shpresat që zgjoheshin brenda tij kur ballafaqohej ditë pas dite me historinë shqiptare, kur zbulonte e rizbulonte femrën, kur trembej apo ngazëllehej në përditshmërinë e tij. Ky është botimi i tretë për këtë antologji, i cili nuk është krejt i njëjtë me dy të parët.

Sali Bashota

“Rruzullimi i zjarrit”

Botoi: “Ombra GVG”

Janë 165 proza poetike të poetit Sali Bashota, që janë shkruar nga ai në 25 vitet e fundit e që janë përmbledhur në “Rruzullimi i zjarrit”. Vetë poeti Bashota, i cili njëherësh është drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, ka treguar qëllimin e këtij botimi. “Synimi ka qenë që ato të bëhen bashkë në një vend e në të njëjtën kohë të pasqyrojnë ndryshimin në realitetin tonë përgjatë këtyre viteve”, - ka thënë Bashota.

Këto proza poetike, në librin e ri të Bashotës janë zgjedhur dhe sistemuar sipas kronologjisë së botimit të librat të autorit, duke filluar nga viti 1986 e deri më sot.

Ian McLean & Alistar McMillan

“Fjalor përmbledhës i politikës”

Përktheu: Zef Simoni

Botoi: “IDK”

Konsiderohet fjalori më i mirë ekzistues i politikës. Është hartuar nga një grup akademikësh dhe specialistësh ndër më të njohurit. Fjalori i drejtohet si studentëve të shkencave politike, të historisë, të sociologjisë, ashtu edhe politikanëve, gazetarëve, apo dhe gjithkujt tjetër që mendon se ka nevojë për një udhërrëfyes në terminologjinë dhe konceptet e politikës.

Mbi 1 700 zëra, që mbulojnë konceptet më të rëndësishme të shkencave politike, me mjaft zëra të rinj në krahasim me botimin e mëparshëm, duke përfshirë mjaft prej temave të reja të aktualitetit, si kozmopolitizmi, globalizimi, terrorizmi, interneti, politika etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›