E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët “e mërguar"i kthehen Operës

Sopranoja Inva Mula, dirigjenti Ermir Krantja, tenori Josif Gjipali janë disa nga artistët e njohur që do t’i rikthehen Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Do të jenë protagonistë në premierat e sezonit të ri artistik, tetor-dhjetor 2010

Inva Mula do të çelë sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sopranoja e njohur, e lakuar mjaft në mbyllje të sezonit artistik në operat botërore, do t’i takojë të jetë në Tiranë që në ditët e fundit të shtatorit. Kalendari i 2010-s i TOB-it lajmëron që më herët premierën e operës “Përrallat e Hoffmanit” me libret të Jacques Offenbach. Nga data 1 deri më 6 tetor do të jenë shfaqjet e para të kësaj opere që shënon një rikthim të madh të Inva Mulës në skenën shqiptare. Nuk kthehet vetëm si soprano, por edhe si regjisore. “Përrallat e Hoffmanit” do të shënojnë njëherësh premierë edhe për operën tonë si një pjesë që nuk i është ofruar më parë publikut. Më herët, drejtori Zhani Ciko pati bërë të ditur se Inva do të interpretojë tri rolet e sopranove, një ngarkesë e rrallë që pakkush mund ta përballojë. Ndërsa si soprano Mula e njeh edhe më parë këtë pjesë, është duartrokitur edhe për suksesin e saj, këtë herë do ta shohim edhe si regjisore. Në fakt, Inva Mula nuk do të jetë e vetmja artiste e njohur, suksesi i së cilës është tashmë në skenat ndërkombëtare, që rikthehet për publikun shqiptar. Një rikthim i mundshëm përflitet edhe për tenorin e njohur shqiptar Josif Gjipali, nëse nuk do të ketë ndonjë ngërç. Gjatë këtyre viteve, Gjipali është dukur në skenat shqiptare e veçanërisht me aktivitetin “Tre tenorët”. Mes artistëve që do të marrin rrugën për të qenë pjesë e sezonit artistik do të jetë edhe dirigjenti Ermir Krantja. Sipas kalendarit të TOB-it, dirigjenti do të vijë në Tiranë për të drejtuar orkestrën për një koncert që do të mbahet në nder të sopranos Tefta Tashko Koço në 100-vjetorin e lindjes. I parashikuar të mbahet më 25 tetor, ky koncert do të ketë në program repertorin e sopranos së madhe lirike shqiptare, që do të vijë i interpretuar nga artistët e TOB-it. Ermir Krantja është shpërngulur më shumë se 10 vjet më parë drejt Italisë ku vazhdon karrierën artistike. Në fakt ai nuk e quan veten një artist të larguar. “Unë nuk mund të quhem artist i larguar. Gjatë këtyre viteve që jetoj jashtë, rreth 4-5 herë në vit jam gjithmonë i pranishëm me produksione shtetërore apo private. Edhe po të isha këtu, nuk do të kisha bërë më shumë, ose do të bëja gjëra pa ndonjë interes. Ka një qëllim që më bën të vij. Së pari është im atë. Ai ka themeluar këto institucione artistike. Së dyti, unë si personazh u krijova këtu dhe autoriteti im u rrit në këtë vend. Janë dy gjëra shumë të forta që i përkasin traditës, të cilat nuk mund t’i mohoj. Nuk hyj në detaje nëse këtu kanë nevojë për mua apo të tjerë si unë. Pa asnjë xhelozi mund të them që Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë artistët, ndonëse është e vërtetë që janë larguar shumë artistë të zotë. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria bën pa ata që janë jashtë. Duhet të ketë ftesa të herëpashershme për t’i sjellë publikut zhvillime të reja”, na ka thënë në një bisedë të para disa kohëve dirigjenti. Drejtori Ciko ka thënë se këto rikthime mundësohen përmes Fondit të Ekselencës, një fond që vihet në dispozicion nga shteti shqiptar për artistët e njohur që jetojnë e punojnë jashtë. Në këtë kuadër, gjatë këtij viti u kthye dirigjenti Bujar Llapaj për shfaqjen "Delina", tenori Saimir Pirgu për recitalin që mbajti me rastin e Festës së Europës. U përfol edhe sopranoja Ermonela Jaho për operën “Anna Bolena”, por në fakt nuk ishte e pranishme në këtë premierë. Kalendari artistik deri më dhjetor të këtij viti parashikon edhe aktivitete të tjera, përfshirë këtu premierën absolute “Othello”, një produksion i përbashkët i teatrit “Verdi” të Triestes, Operës së Splitit dhe TOB-it. Pritet që në skenën e Teatrit të Operës të rikthehet edhe balerini Kledi Kadiu, ndonëse në kalendarin e hartuar në fillim të vitit ky aktivitet nuk parashikohet. Vet balerini ka thënë se do të sjellë në Tiranë shfaqjen “Jo vetëm Bolero”, me të cilën po organizon një turne në të gjithë Italinë që do të zgjasë deri më 24 gusht. Shfaqja me koreografi dhe regji të Mvula Sunganit do ta kthente balerinin Kledi Kadiu në skenën e TOB-it, 20 vjet pas herës së fundit që është ngjitur në të.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›