E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjedisi zhbllokon plazhet nga uji i zi, mbyll 400 tuba

Mjedisi, brenda 3 javëve vendos 600 gjoba për gropat e parregullta septike dhe kanalizimet e paligjshme

Bizneset private në zonat turistike, por edhe administratorët e banesave në bregdet, do të kontrollohen me imtësi për sa i takon zbatimit të rregullave të kanalizimeve. Nëse ata kanë marrë leje për sistemimin e kanalizimeve nëpërmjet gropave septike, duhet të përmbushin të gjitha rregullat e pastrimit, higjienizimit dhe përpunimit të mbetjeve. Po ashtu, të gjitha ato banesa që janë ndërtuar në bazë të projektit të kanalizimit, do të kontrollohen nëse ujërat derdhen në det apo shkojnë në vendin e duhur. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Administrimit të Ujërave, Alfred Deshati.

Përgjatë tri javëve të fundit, inspektorët e mjedisit, në bashkëpunim me autoritetin e pushtetit vendor dhe shëndetësor, kanë realizuar kontrolle në 7 qarqe, duke penalizuar, bllokuar e pezulluar ata që kanë shkelur ligjin, kryesisht që kanë ndotur plazhin nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të zeza në det.

Sipas mjedisit janë penalizuar rreth 400 subjekte dhe në det do të derdhen më pak ujëra të zeza, të paktën deri në përfundim të sezonit veror.

Kontrollet

Duke iu referuar problemit të ndotjes së mjedisit detar nga shkarkimet e ujërave të zeza, largimin publik dhe administrimin mjedisor të mbetjeve urbane, strukturat e Ministrisë së Mjedisit kanë njoftuar dje zyrtarisht për inspektimet e kryera gjatë tri javëve të fundit. “Për këtë qëllim, nga ana e strukturave kontrolluese të ministrisë është ushtruar kontroll i vazhdueshëm ndaj personave juridikë privatë e publikë që i shkarkojnë këto ujëra në mënyrë të kundraligjshme, duke marrë dhe masa administrative të dënimit me gjobë”, sqaroi dje drejtori i kontrollit të mjedisit, Alfred Deshati. Sipas tij është realizuar prishja e instalimeve dhe tubacioneve të kundraligjshme, si dhe detyrimi i subjekteve përgjegjës për marrjen e masave urgjente. Kjo për sa i takon pastrimit nga firma të licencuara që largojnë me pajisje teknologjike këto ujëra, që më pas kryejnë dezinfektimin e gropave septike dhe i dërgojnë ato në impiantet përkatëse të trajtimit.

Ndërtimet

Për disa zona bregdetare ku ka ndërtime masive godinash banimi, do kryhet verifikimi nëse këto godina në lejen e ndërtimit e kanë të miratuar skemën e shkarkimit të ujërave të zeza me gropa septike dhe a është zbatuar ky kusht në ndërtimin e objektit.

Objektet me veprimtari tregtare, si dhe godinat e banimit do të verifikohen nëse i kanë funksionale gropat septike dhe në parametra të lejuar, apo nëse kryejnë shkarkime direkt të ujërave të zeza në det. Për godinat shumëkatëshe të banimit, të cilat aktualisht janë me gropa septike, përgjegjësia e pastrimit është e administratorit të godinës. Në rast konstatimi të shkarkimit të paligjshëm në det të ujërave të zeza, do kryhet prishja e kanalizimeve që shkarkojnë në det dhe do merren masa administrative me gjobë. Në rastet që do konstatohet se kjo shkelje është e përsëritur, do bëhet kallëzim penal pranë organit të prokurorisë. Për objektet tregtare që do vazhdojnë shkarkimin e ujërave të zeza në det, nga organi shtetëror kompetent do bëhet bllokimi i veprimtarisë, si dhe do dërgohet propozimi për heqje të licencës për ushtrimin e veprimtarisë.

Në rastet që do konstatohet se drejtuesit e pushtetit vendor me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimin dhe kolaudimin e objekteve që kryejnë shkarkime të ujërave të zeza në mjedisin detar, do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për marrjen e masave përkatëse ndaj tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›