Amerikanët marrin ARMO-n

Kompania shtetërore e naftës, ARMO, brenda muajit do të jetë zyrtarisht në duart e amerikanëve. Kompania “Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”, e cila ofroi edhe vlerën më të lartë për blerjen e kompanisë së naftës, ka marrë pikët maksimale nga vlerësimi që ka kryer Ministria e Ekonomisë. Faza e vlerësimit financiar dhe teknik të kompanive sjell mbylljen e procesit të shitjes së kompanisë shtetërore, ku nga ana e qeverisë nuk do të kryhen më hetimi për kompanitë deri në lidhjen e kontratës më kompaninë fituese brenda muajit. Këshilltarja e kryeministrit për Çështjet Ekonomike, Suzana Guxholli, tha për gazetën “Korrieri”, se tashmë ka përfunduar hetimi dhe verifikimi i të dhënave për të gjitha kompanitë. Sipas Guxhollit, hetimi ka pasur si qëllim verifikimin e kapitalit të kompanive, si dhe kushtet teknike të tyre. “Nga ana e qeverisë janë kryer të gjithë hetimet dhe verifikimet e nevojshme për kompanitë të cilat kanë paraqitur ofertat në tenderin e ARMO-s. Po ashtu, hetimi ka konsistuar dehe në verifikimin e pastërtisë së kapitaleve të kompanive, si dhe në plotësimin e kushteve teknike”, tha Guxholli, duke shtuar se kjo fazë tashmë është e përfunduar. Për sa i përket letrës së dërguar nga komisioni i ofertave për firmën amerikane të publikuar në media, Guxholli ka pohuar se këto janë kërkesa që iu janë dërguar të gjitha kompanive pjesëmarrëse. Sakaq, këshilltarja e kryeministrit për Çështjet Ekonomike sqaron se kompania amerikane i plotëson të gjitha kushtet, duke nisur që nga investitori strategjik dhe funksionimin e aktivitetit të saj si përpunuese dhe shitje nafte për një periudhë më shumë se 3 vite. Po ashtu, Guxholli pohon se, parashikohet që afati për kryerjen e pagesës sipas kontratës është 2-3 muaj.
Vlerësimi i kompanive
Konsorciumi amerikan “Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”, pjesëmarrëse në tenderin për blerjen e 85 për qind të aksioneve shtetërore të ARMO-s, ka marrë pikët më të larta, 93.14 pikë, mes konkurrentëve të tjerë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri publik të hënën vlerësimin e ofertave që dhanë 4 kompani të huaja për privatizimin e 85 për qind të aksioneve shtetërore të ARMO-s. Në bazë të vlerësimit të komisionit, bëhet e ditur për median se në kualifikimin përfundimtar, kompania “Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” ka marrë 93.14 pikë, ndërsa kompania “Vitol, Euroil sh.a, NFS Partners sa and USBCF Inc” ka marrë 69.49 pikë dhe kompania e tretë, “Petrofac Energy Developements International Limited” ka marrë 30.52 pikë. Sipas vendimit të qeverisë, të tre kandidatët janë kualifikuar në bazë të ofertave financiare dhe teknike. Kështu, për ofertën financiare “Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” ka marrë 75 pikë për ofertën që paraqiti në tender, me vlerë 125 milionë euro. Kompania “Vitol, Euroil sh.a, NFS Partners s.a and USBCF Inc” ka marrë vlerësimin prej 58.2 pikësh për ofertën 97 milionë euro, ndërsa kompania “Petrofac Energy Developements International Limited” ka marrë 17.46 pikë për ofertën 29.1 milionë euro. Për vlerësimin teknik, kompania “Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” mori 18.16 pikë, duke u renditur e para, “Petrofac Energy Developements International Limited” me 13.06 pikë, duke u renditur e dyta dhe “Vitol, Euroil sh.a, NFS Partners sa and USBCF Inc” me 11.29 pikë. Komisioni vlerësoi gjithashtu dhe skualifikimin dhe ofertën e kandidatit “Penta Investmens Limited, Paraplynovy cyklus as, Bratislava and Duslo”.