E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda përdhunon Italinë

Aq ishte e gjithë historia e mbrëmshme e kampiones Botërore, Italisë përballë Holandës.

Aq ishte e gjithë historia e mbrëmshme e kampiones Botërore, Italisë përballë Holandës. Histori hakmarrjeje e holandezëve ndaj Italisë, për eliminimin e pamerituar në Euro 2000. Historia u kthye mirë për holandezët që nuk fitonin me 4 herë kampionët e Botës, që prej vitit 1978 me golin e Ari Hanit, i cili sot udhëheq kombëtaren tonë. Tri gola fantazi të Rud Van Nistelrojit në 26’, Uesli Shnajderit në 31’ dhe të Xhovani van Bronkhorstit në 79’. Padyshim që ishte fitore e merituar jo vetëm sepse u arrit ndaj ngadhnjimtarëve në Gjermani 2006, por sepse u hap rrugën holandezëve që të paktën të jenë pranë 1 pike të mundshme kundër Francës në ndeshjen e ardhshme. Italia me mungesa të rëndësishme në mbrojtje gjeti përballë Holandën, gjithashtu me mungesa, sikurse janë për të dy palët Fabio Kanavaro apo Arjen Roben. Me një futboll plot ritëm holandezët thërrmuan idetë e Donadonit dhe ish-shoku i tij te Milani, Marko Van Basten ia kujtoi atë kohë që po me ritmin holandez, fitoheshin Kupat e Kampioneve. Megjithatë, botërorët italianë kanë shanse të mëdha sepse loja për ta as nuk fillon e as nuk mbaron në një ndeshje, andaj çdokush që i mendon se morën fund, duhet të kujtojë mirë historinë e t’i llogarisë deri në fund të kampionatit, me apo pa dëshirë. Ndërkaq, vetë Franca e trajnerit Rajmond Domenek bëri vetëm hije në fushë kundër Rumanisë në një barazim pa ngjyrë 0-0. Franca e thatë në mendime dhe e thatë në veprime, me lojtarë si Nikolas Anelka që më shumë është bërë për në muze. Franca ishte pa ide, pa raste, pa gola, përshtashmërisht si e tërë ndeshja me ballkanasit, pavarësisht se të dy palët kishin mungesa. Sido që të jetë, vetëm sa ka nisur europiani, kështu që pa u luajtur edhe ndeshjet e dyta, vështirë të thuash qartë se cilët do të mbajnë kokën ulur e cilët do të ecin kryelartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›