E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artur Tashko Legacy: Shqipëria në sytë e tim eti

30/04/2009  Piktura e tij është konsideruar si një nga më të mirat të prodhuara në 40 vjetët e fundit të shekullit XX. Ndërsa ai vetë është cilësuar si një kubist i madh, edhe pse nga shqiptarët shumë pak është njohur. Emri i tij është Artur (Anastas) Tashko dhe është vëllai i sopranos Tefta Tashko Koço. Artisti shqiptar, që nuk mundi asnjëherë të vizitonte vendin e tij, prezantohet për të parën herë me publikun shqiptar. Këtë e bën përmes një ekspozite të çelur në galerinë "Zenit" në Tiranë më 28 prill dhe përmes kujtimeve të djalit të tij, Artur Tashko Legacy.

Tashko Legacy vjen për herë të parë në Shqipëri dhe sjell nga Amerika disa punë të të atit, riprodhime të cilat u qëndrojnë besnike përmasave të origjinaleve. Krahas tyre ekspozohet edhe një punë origjinale e Tashkos, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

- Është ekspozita e parë e babait tuaj këtu dhe është hera e parë që vini edhe ju në Shqipëri. Pse kjo ekspozitë dhe pse në këtë kohë?

- Gjëja më kryesore për pikturat është se jam shumë i interesuar për to dhe doja që të ishin në Shqipëri. Jam shumë i interesuar për Tiranën dhe po më tërheq nga çdo gjë, sepse qyteti po më pëlqen shumë. Mendoj se ky qytet po më bën t’i dua akoma më shumë këto punë.

- Urë lidhëse për këtë ekspozitë u bë kushëriri juaj Eno Koço. Kur komunikuat me të dhe si i vendosët lidhjet me njëri-tjetrin?

- Unë kisha disa incizime të Tefta Tashko Koços, që i dëgjoja shpesh. Dhe doja të shihja nëse ato regjistrime mund t’i gjeja në CD. Në internet zbulova se ishte dikush që i kishte këto incizime në CD. Kështu, kontaktova dikë që i kishte këto dhe doli se ky njeri ishte Eno Koço. Folëm disa herë, por ai nuk ishte i sigurt se kush isha unë për shkak të mbiemrit “Legacy”. Pastaj e kuptoi. Më tha se kishte kohë që më kërkonte dhe unë me shaka i thashë se në atë kohë fshihesha. U lumturova shumë që u lidha me të. Interneti i bashkon njerëzit dhe unë përmes tij e njoh Enon në disa mënyra.

- Djali i një piktori që udhëtoi shumë nëpër botë: nga Amerika në Kolumbi e në shumë vende të tjera. Sa e njohët nga afër babanë tuaj dhe sa kohë keni jetuar me të?

- E kam njohur shumë mirë. Ai udhëtonte shumë dhe ishim mësuar me largimet e tij, por e prisnim edhe që të kthehej. Shumë interesante ishte se ai udhëtonte për të kërkuar të vërtetën artistike. Por unë nuk isha dakord me kërkimin e së vërtetës artistike. Dhe ende nuk jam dakord me të. Mendoj se e vërteta artistike është aty ku je në një çast të caktuar, aty ku rri dhe nuk është e nevojshme të kërkosh për të. Mbase nuk isha dakord ngaqë më merrte malli shumë për të.

- Sa e njihni “të vërtetën artistike“ të Tashkos? Njihni vetëm pikturat e periudhës së parë të punës së tij, apo edhe ato që realizoi më pas?

- Pjesën e parë të pikturës së tij, periudhën e parë e njoh më mirë. Por më pas e di se pikturat e tij kanë ndryshuar. E pse të mos ndryshonin?! Ai ka kaluar shumë kohë duke u marrë me to dhe sigurisht njohuritë e tij janë përmirësuar. Perceptimi i gjërave me kalimin e kohës ndryshon. Ai u bë më i lumtur për jetën, gjithashtu. Dhe kjo duket edhe në piktura, aty pasqyrohet bukuria. Pikturat e periudhës së parë janë pak ndryshe, janë më shumë në kërkim të bukurisë sesa në shfaqjen e vetë bukurisë. E ndërsa koha kalonte, ai u poq dhe pikturat erdhën ndryshe.

- A ishit në kontakt me të pasi ai u nda nga nëna juaj?

- Po, kam qenë gjithmonë në kontakt. Por gjithmonë më thoshte se piktura e tij përmirësohej. Sa herë që flisja me të, pasi komunikonim me njëri-tjetrin, ai përfundonte duke më folur për pikturën e tij.

- Sa piktura të tijat ruani në shtëpinë tuaj në Amerikë?

- Kam rreth 10 piktura, që i ruaj në shtëpinë time në Nju-Jork.

- Si mund ta përshkruani babanë tuaj me pak fjalë?

- Mbase ai më shumë kuptohet përmes pikturës së tij. Ai ishte më i interesuar për kërkimin sesa për rezultatin, e kjo duket në veprat e tij. Kjo ishte në personalitetin e tij, qe një lloj shqetësimi për punën dhe jetën e tij. Them se është përpjekur që pikturat t’i sjellë me një lloj rregulli, ndërsa vetë ishte shumë i parregullt. Dhe kjo ishte një kontradiktë e tij.

- Ju vetë besoni se jeni kontradiktor si ai? Sa i keni ngjarë në personalitet?

- Po, i ngjaj. I ngjaj në shumë mënyra. Për shembull, ashtu si ai, edhe unë i dua gratë e bukura (qesh).

- Ai ishte shqiptar, edhe pse nuk e vizitoi kurrë vendin e tij. A ju ka folur për Shqipërinë?

- Më ka folur gjithmonë. Kishte shumë nostalgji, sepse nuk mundi të vinte këtu. Nëse nuk je i lirë të vish në Shqipëri, imazhi për të duhet të ndryshojë. Ndaj unë mendoj se ai ishte shumë realist, por kishte imazhe romatike për të, imazhe që jetuan me të gjithmonë, mbase sepse nuk qëndroi gjatë këtu.

- Po ju ndiheni shqiptar?

- Po, ndihem shumë shqiptar. Por mbase ngaqë jam pak i veçuar prej tyre, tani që i shoh e kuptoj se si janë shqiptarët.

- Megjithatë, nuk flisni shqip.

- Jo, nuk flas. Në fakt, nuk kam me kë të flas shqip. Unë nuk mund të flas me veten time, nuk është aspak e këndshme të flasësh me veten. Amerikanët nuk janë shumë të interesuar për origjinën e tyre. Edhe nëse do të dija shqip, nuk kisha me kë të flisja.

- Pak më lart pohuat se dëgjonit shpesh incizime të këngëve të Tefta Tashko Koços. Vetë babai juaj sa i informuar ishte për jetën e motrën së tij dhe për çfarë ndodhte me të?

- Nuk e di nëse dinte diçka. Ai ruhej shumë të fliste me mua dhe nuk donte të fliste për problemet që kishte me Shqipërinë, sepse isha i vogël. Mamaja i thoshte gjithmonë se isha i vogël e nuk duhej të më shqetësonte. Por unë kam pasur përshtypjen se do t’i mësoja gjërat, edhe pse ende nuk di shumë gjëra.

- Ju nuk jeni i vetmi fëmijë i Artur Tashkos. Sa jeni në kontakt me motrën tuaj, Ivone Tashko, që jeton në Bogota?

- Po, kemi kontakte dhe e kam takuar një herë në Bogota. Ishte vetëm 11-vjeçe dhe nuk mund të kisha një lidhje të fortë me të. I kemi shkruar njëri-tjetrit dhe në fakt unë prisja që motra ime të vinte në Shqipëri për ekspozitën e babait. Ajo nuk mundi të vinte.

- Së fundi, mund të rrëfeni diçka për veten?

- Unë kam punuar si profesor historie për 30 vjet. Nëse do të kisha edhe një jetë tjetër, sërish do të isha bërë profesor. Kam qenë dhe jam mjaft i interesuar për jetën e qyteteve dhe për qytetet. Kjo është një arsye tjetër pse me pëlqen të jem këtu, sepse dua të di më shumë për Tiranën. Tirana është një lloj tjetër qytetesh nga ata që unë kam studiuar deri tani. Ka më shumë larmi, është më i bukur. Dhe ajo që më pëlqen më shumë është se njerëzit nuk ecin sipas një masterplani dhe nuk janë rregulluar në mënyrë të tillë. Më pëlqen fakti që njerëzve nuk u tregon dikush se si të jetojnë. Kjo është një gjë e rrallë dhe është një përvojë e vërtetë evropiane.

- Kjo do të thotë se do të vini sërish në Shqipëri?

- Do të vij sërish, “nëse më lënë” (qesh).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›