E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama të heshtë, pasi kërkuan mosaplikimin për në BE”

30/04/2009  Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha shprehet ndaj qëndrimeve të opozitës

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka vlerësuar se aplikimi nga ana e qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian përbën një arritje të madhe të vendit në udhën e tij të integrimit. Kryediplomati shqiptar ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj pozicionit të shprehur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të kësaj force politike. Për ministrin Basha, muajt e fundit është kërkuar nga ana e tyre që qeveria shqiptare të mos aplikonte për statusin e vendit kandidat, me justifikimin se gjithçka po bëhej në funksion të fushatës elektorale. Por Basha i ka hedhur poshtë kategorikisht. “Zoti Rama dhe zëdhënësit e tij së paku duhet të heshtin sot, sepse gjatë 2 muajve të fundit kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që Shqipëria të mos aplikonte për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Me interpretimin elektoral që i bën zoti Rama datës së aplikimit, dëshmon se nuk njeh ABC-në e integrimit Europian”, - ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme. Kryediplomati shqiptar ka deklaruar se aplikimi i bërë në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar nga ana e Kryeministrit Sali Berisha është mirëpritur nga strukturat dhe institucionet më të rëndësishme të Bashkimit Europian. “Presidenca e radhës e Bashkimit Europian, Komisioni Europian kanë mirëpritur aplikimin e Shqipërisë nisur tërësisht nga suksesi i reformave të saj. Theksoj se kjo ka ardhur pas votëbesimit të këtyre reformave dhe arritjeve të Shqipërisë nga 27 parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nëpërmjet ratifikimit të MSA-së në një kohë rekord”, - ka deklaruar Basha. Në deklaratën për shtyp ministri i Jashtëm e ka cilësuar depozitimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat si një ngjarje historike për vendin tonë. Ai përmendi anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) në samitin e 3-4 prillit në Strasburg e Kehl. “Shqipëria në prill 2009 përjetoi 2 arritjet më historike që nga pavarësia e saj: anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Këto dy akte janë vlerësimi më brilant i reformave të mëdha dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo qeveri dhe nga kjo mazhorancë. Këto dy akte janë arritje madhore, historike për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike”, - ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha. Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Berisha i ka paraqitur Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Kryeministrit të Republikës së Çekisë Mirek Topolanek, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kërkesën për statusin e vendit kandidat. Gjatë kësaj ceremonie shefi i ekzekutivit shqiptar ka deklaruar se ky akt mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e Shqipërisë në familjen e kombeve europiane, nga e cila u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe. Ndërsa Topolanek është shprehur se pranimi për dorëzimin e kërkesës nuk u mor vetëm nga presidenca çeke e BE-së, por është një nga përparësitë e saj. Topolanek theksoi se Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe se ndihej i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Berisha.

Aplikimi

Dy ditë më parë Kryeministri Sali Berisha i ka paraqitur Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Kryeministrit të Republikës së Çekisë Mirek Topolanek, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kërkesën për statusin e vendit kandidat. Topolanek tha se pranimi i kërkesës nuk u mor vetëm nga presidenca çeke.

Basha

“Zoti Rama dhe zëdhënësit e tij së paku duhet të heshtin sot, sepse gjatë 2 muajve të fundit kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që Shqipëria të mos aplikonte për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Me interpretimin elektoral që i bën zoti Rama datës së aplikimit, dëshmon se nuk njeh ABC-në e integrimit Europian.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›