E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Celula, antiamerikanizëm i paguar dhe i organizuar

Në një intervistë për emisionin ‘Opinion’ të Blendi Fevziut ambasadori i SHBA-së shpreh ndër të tjera edhe qëndrimin për lëvizjet e fundit politike, por edhe i rikthehet çështjes së antiamerikanizmit në Shqipëri. Çfarë pret ambasadori i ShBA-së nga palët politike në vend dhe a mund të arrihet kompromisi për çështjet thelbësore? Si ndahet faji për progres raportin nga BE-ja, që pritet të jetë negativ? Sa ka ndikuar bojkoti i opozitës në gjendjen aktuale politike?

Intervistoi Blendi Fevziu

A nervozoheni ndonjëherë kur dëgjoni që njerëzit janë duke folur për ju si ambasador i ShBA-së apo duke ju kritikuar?

Kur mbërrita në fillim, në javët e para, e kuptoja që njerëzit bënin shumë komente… Isha pak nervoz, por tani jam mësuar paksa me këtë. Nuk mendoj se mund të mësohesh totalisht, por tani them ok, kur kam folur në aksh konferencë apo intervistë.

Ju diskutuat para disa ditësh në programin e Ilva Tares për një celulë antiamerikane. Ishte serioze? Mediat kanë shpenzuar orë të tëra mbi këtë temë…

OK, kanë qenë plot, siç themi ne. Artikulli i z. Zheji u riprintua dhe u daunlodua në masë, por përsëri ajo që vura unë në dukje ishte se nuk ka një celulë që mendon për mënyrat sesi ta kritikojë Shtetet e Bashkuara…Jo, kjo nuk është ajo që doja të thoja, fare. Por u mundova të përshkruaj atë që e shoh si antiamerikanizëm në varësi të rrethanave politike, mund të ketë një përpjekje për të dhënë detyra të caktuara, për të dalë në publik. Dhe ka interesa biznesi, liderë politikë të cilët janë përgjegjës për këtë. Dhe kjo është e ndryshme nga një opinionist që sheh një koment që kam bërë unë dhe thotë do ta kritikoj këtë, ose nuk jam dakord me këtë. E përsëris, kjo është e natyrshme. Po flas për diçka të natyrshme, krahasuar me diçka të panatyrshme. E natyrshme është: nuk jam dakord me atë që ka thënë Arvizu dhe do ta kritikoj. Ose, përsëri, mendoj se qëndrimi i tij është i gabuar, jam dakord. Por unë po flas për diçka që është më e organizuar dhe e drejtuar.

Keni informacion për këtë?

Kam informacion për këtë. Dhe kur dikush thotë: ja ku i ke 100 Euro, dhe kjo është ajo që duhet të thuash. Për mua, ky është aktivitet i drejtuar, po ta krahasosh me dikë që thotë: unë nuk jam dakord me atë që ai tha.

Dhe kush e drejton këtë?

Mund të vijë nga drejtime të ndryshme, në varësi të rrethanave.

Politike apo biznesi, apo të dyja bashkë?

Mendoj se ka një sinergji të natyrshme midis të dyjave...

Për interesa vetjake? Sepse personalisht nuk mendoj se kjo është në interesin e Shqipërisë…

Përsëri, mendoj… Nëse do të më duhej të bëja hamendësime, mund të ketë grupe të ndryshme që e bëjnë këtë në momente të caktuara. Ndoshta ata mendojnë se në mënyrën e tyre ata janë duke promovuar një interes të caktuar apo një mënyrë të caktuar, por kjo më duket pak e pahijshme. Është e pandershme. Nëse ke një problem, më telefono, telefono ambasadën. Mund të ulemi dhe të flasim për këtë. Nuk kemi nevojë për një fushatë shpifjesh në media. Kjo nuk është mënyra në të cilën unë operoj. Nëse unë kam problem me dikë, unë shkoj dhe e kontaktoj atë drejtpërdrejt.

A e mendoni këtë, sepse Shqipëria shihet si vendi më pro-amerikan në rajon, ky lloj kriticizmi mund të shihet si problematik? A jeni të sigurt se është e organizuar ose e drejtuar?

Nuk ka absolutisht asnjë dyshim në mendjen time. Por, paralelisht, nuk dëshiroj ta nxjerr jashtë përpjesëtimit. Sërish, dhe dua të ritheksoj se i ashtuquajturi kriticizëm organik ose natyral, jo vetëm që është në rregull, por është faktikisht i mirë. E kam thënë këtë përpara dhe e kam sinqerisht: ndihem jo mirë kur dëgjoj shumë gjëra të tilla si: “Amerika, shkëlqyeshëm kjo! Amerika, shkëlqyeshëm ajo!” Jo. Edhe në ambasadë njerëzit do të thonë: Ajo që ju keni bërë ishte e shkëlqyer!. Kjo është e këndshme. E dini, egoja ime e vlerëson këtë, por unë kam nevojë për dikë që të jetë i sinqertë me mua. Pasi e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar është kur dëgjon kriticizëm. Ndaj, kriticizmi jo vetëm që është në rregull, por preferohet. Pjesa e drejtuar është ajo që nuk më pëlqen.

Shumë kohë më parë, diplomatë amerikanë kanë thënë që Shqipëria është një vend shumë i thellë… Sa më shumë kujton se di për ta, aq më pak di në të vërtetë.

Kjo është shumë e vërtetë. Mendoj se çdokush që thotë se e kupton plotësisht Shqipërinë gënjen veten. Mendoj se është e pamundur të thuash se kupton çdo gjë. Kam kuptuar se shqiptarët janë shumë të hapur e të sinqertë me mua kur thonë gjëra. Ata mund të mos e bëjnë këtë para një grupi të madh njerëzish, por në qoftë se është takim kokë për kokë, janë shumë të sinqertë.

A shihni dallime midis gjeneratës së re dhe gjeneratës që u rrit në periudhën e komunizmit? Me ndershmëri?

Mendoj se njerëzit që u rritën në periudhën e komunizmit e kanë të pamundur t’i shpëtojnë krejtësisht ndikimit. Në qoftë se unë do të isha rritur gjatë periudhës komuniste, patjetër që do të isha ndikuar deri diku. Është e pamundur për ta ndarë këtë. Edhe pse ju keni disa udhëheqës mbresëlënës, mendoj se ai brez gjithmonë do të ketë një pjesë të tyre që ndikohet nga lloji i shoqërisë së mbyllur, mosbesimi themeltar te njerëzit e tjerë dhe institucionet.

Por, brezi më i ri, i lindur pas periudhës komuniste…

Dhe studiuan pjesët më të madhe të kohës jashtë?

E vërtetë. Mendo rreth atyre që kanë ndikuar mbi ta – prindërit, mësuesit. Ata janë produkte të sistemit komunist. Mendoj se do të duhet edhe një brez tjetër, për të qenë i sinqertë me ju.

Për të ndryshuar mentalitetin?

Që shqiptarët e zakonshëm të adaptojnë një përqasje të ndryshme për t’u marrë me problemet e shoqërisë.

Më lejoni t’ju pyes: Cili është problem më i madh që ne kemi si shoqëri?

Mendoj që problemi më i madh i shoqërisë është – një çështje sociale. Ka lidhje me arsimin. Ka lidhje me atë sesi uni, individi, sillet me pjesën tjetër të shoqërisë dhe sesi uni dhe njësia familjare sillet me pozitat e autoritetit. Mendoj se njerëzit shpesh janë ngurrues për t’u shprehur se ajo që ata besojnë është e drejtë, qofshin këto të drejtat e tyre vetjake ose të drejtat e tyre si qytetarë të shoqërisë. Ata janë thuajse të burgosur, ose robër, të fuqive më të forta rreth tyre. Jo për t’u rënë shumë në qafë partive politike, por qoftë PD-ja ose PS-ja ose bashkia, jo vetëm këtu, por qeverisja vendore, parlamenti, autoriteti, nëse është politika, zyrtarët e tatimeve, zyrtarët e doganave. Madje sistemi arsimor, hierarkia arsimore. Njerëzit ndihen të pafuqishëm për të kapur cilindo, pasi ekziston ndjesia që nëse do t’i kap ata, kam për të mërzitur dikë dhe ata do të më kthehen mua ose dikujt që unë dua. Por në të njëjtën kohë, për shkak se Shqipëria është ende në zhvillim – ka shumë probleme, mjedise mjekësore të papërshtatshme, mundësi shkollimi të pamjaftueshme –ndaj njerëzit janë të zemëruar, ata duan të bëjnë diçka, por kanë ngecur, pasi, nëse duan të bëjnë diçka, ata do të inatosin dikë dhe kjo vetëm se do t’i përkeqësojë gjërat. Dhe ata thonë, e di çfarë, është më mirë të mos thuash asgjë ose që pa zhurmë të gjejnë një mënyrë që ndoshta t’u bëhet një favor a diçka e ngjashme me këtë. Fatkeqësisht, ky lloj ndërveprimi mes individit dhe institucioneve të shoqërisë është shumë, shumë i dobët këtu.

Po, është një problem i madh...

Dhe për mua, ky është problemi më i madh. Dua të përpiqem të bëj diçka rreth kësaj dhe po mendoja…

Në ç’mënyrë?

Do të doja të përpiqesha – ne do të përpiqemi të bëjmë diçka këtë vjeshtë – do të përpiqemi të rigjallërojmë pak më shumë shoqërinë civile. Të përpiqem të fuqizosh njerëzit që ata të nxisin pjesëmarrje më aktive qytetare në fushata të ngjashme – për të sjellë vëmendjen te dhuna brenda familjes; grumbullimi i mbeturinave – ka plehra kudo; mënyra sesi njerëzit ngasin makinën – siguria dhe trafiku rrugor. Këto janë çështje të përditshme. Arsimi, shëndetësia, gjëra të tilla.

Gjithashtu shumë të rëndësishme.

Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, njerëzit e dinë që ato janë të rëndësishme. Por sërish, njerëzit ndihen pak të pafuqishëm ndërsa përpiqen të ngrenë zërin, të bëjnë diçka për to.

Pasi pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri mendon se është përgjegjësi e politikanëve, dhe jo e të gjithë shoqërisë. Si mendoni ju është raporti mes politikanëve dhe shoqërisë? Më kujtohet se një herë ju thatë se korrupsioni nuk është problem i politikës, por i të gjithë shoqërisë.

Në cilëndo shoqëri demokratike, qofshin Shtetet e Bashkuara, qoftë Shqipëria, të dyja janë demokraci, politika është gjaku i një shoqërie të hapur demokratike. Aftësia e njerëzve për të përzgjedhur drejtuesit e tyre – për t’i rizgjedhur ata ose për të mos i votuar më, si dhe për të sjellë në të një grup të rinjsh dhe politikanësh që supozohet të bëjnë fushatë për çështje të caktuara, personalitete gjithashtu. Duket thuajse si një premtim: Nëse do të zgjidhem, do të bëj këtë. Ose, ndonëse e kam bërë këtë në të shkuarën, do ta bëj ndryshe këtë herë. Kjo ka lidhje me sa bindës je. Dhe më pas, në fund të ciklit zgjedhor, njerëzit duhet të vendosin nëse ky person e ka bërë ose nuk e ka bërë mirë punën e tij, por në një shoqëri, gjithmonë do të ketë një hendek mes retorikës politike dhe asaj që ka ndodhur në të vërtetë në shoqëri. Ka një hendek në ShBA. Për këtë arsye njerëzit ndihen të pakënaqur. Vetëm 50 ose 55 për qind e amerikanëve votojnë gjatë zgjedhjeve të caktuara. Ata thonë: nuk ka rëndësi sesi votoj. Mendoj që kjo është e gabuar, pasi unë jam pjesëmarrës aktiv në jetën politike në Shtetet e Bashkuara, por e kuptoj se përse njerëzi ndihen të zhgënjyer. Këtu sigurisht njerëzit marrin pjesë shumë haptazi dhe në mënyrë shumë aktive, por zhgënjimi im është se kur vëzhgoj PS, kur vëzhgoj PD, nuk shoh të ketë shumë përgjegjshmëri ndaj elektoratit. Të dy palët dhe partnerët e tjerë të koalicioneve janë shumë të mirë në tubimin e bazës, janë të mirë në organizimin e tubimeve, është një nivel shumë i mirë i retorikës politike dhe i të bërit fushatë, është emocionuese dhe argëtuese kur e sheh, por do të doja që të kishte pak më shumë të prekjes së realitetit dhe të trajtimit të çështjeve që u interesojnë në të vërtetë njerëzve. Mendoj që të dyja palët kanë nevojë të bëjnë një punë më të mirë për këtë.

Të dyja palët do të thotë PD, PS, dhe të tjerë, apo këta dhe shoqëria?

Është e vështirë dhe kthehet sërish tek ajo që kemi folur më parë. Zhgënjehem ndonjëherë sepse njerëzit duhet të kërkojnë më shumë përgjegjshmëri, njerëzit duhet të jetë të gatshëm të shohin te njerëz si z. Berisha, z. Rama, z. Nano, cilido, dhe të thonë: e di çfarë, ju thoni këtë, por nuk ndodh asgjë. Dhe disa njerëz e bëjnë, e pamë këtë në garën për kryetarin e bashkisë për Tiranën. U kënaqa kur e pashë këtë. Disa njerëz i bërtisnin z. Rama, disa njerëz i bërtisnin z. Basha. Duhet të ketë më shumë nga kjo. Por në fund, njerëzit janë ende pak të frikësuar, pakëz ngurrues për të folur me zë më të lartë, ndaj ndihem i zhgënjyer dhe them: duhet të flasësh më shumë për këtë, por unë e kuptoj se është çështje trashëgimie. Kjo do të jetë e vështirë për t’u kapërcyer. Ndaj mendoj që Shqipëria ka nevojë për drejtues politikë të ndriçuar dhe kjo ka qenë një ankesë nga ana ime, nga Uashingtoni, nga Brukseli.

Më lejoni t’ju pyes mbi ofertën e re të opozitës për shumicën për një kompromis të madh mes dy partive. A i keni lexuar kushtet e tyre?

Kjo është lista prej dhjetë pikash që z. Rama ka bërë publike. I kam parë. Ajo që mirëprita është fakti që kishte shumë propozime specifike apo pika. Disa ishin shumë të thjeshta dhe elementare, disa të mëdha. Por, ato ishin propozime specifike dhe, krahasuar me gjëra të tjera që kam parë nga PS, këto ishin më specifike, më konkrete sesa gjërat e tjera në të shkuarën. Ndaj, mendoj se është një zhvillim pozitiv. Nëse ndonjëra ose të gjitha ato do të adoptohen, kjo do të mbetet subjekt debati, por mendova se ishte mirë që PS i paraqiti ato.

A keni ndonjë koment konkret për këto pika?

Nuk më kujtohen të gjitha ato, të jem fare i sinqertë, por mendoj se shumë prej tyre u përkasin hapave lidhur me funksionimin e Parlamentit.

Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës, kryetarit të ri të Kontrollit të Shtetit…

Avokatit të Popullit, mendoj, por edhe organizimin drejt rrugës së integrimit, hapave drejt integrimit. Këto janë të gjitha tema shumë të përshtatshme, disa prej tyre janë shumë të diskutueshme, por është mirë që PS-ja prezantoi një propozim formal dhe tani i përket PD-së që të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur ose që të vijë me një kundër-ofertë.

Ambasador, njëri prej diskutimeve më të mëdha në muajt e ardhshëm do të jetë zgjedhja e Presidentit në vitin 2012. Këto janë disa prej komenteve, edhe në Parlament, disa ditë më parë, opozita kërkoi një President që del nga kompromisi mes shumicës dhe opozitës. Çfarë mendoni për zgjedhjen e Presidentit?

E kuptoj interesin, jo vetëm i PS-së, por edhe të njerëzve në përgjithësi, për një President që mund të përfaqësojë disa pikëpamje më të gjëra. Kur sheh Kushtetutën, është interesante si çdo Kushtetutë. Nuk është tërësisht e qartë, pasi Presidenti ka pasur disa funksione të veçanta qeverisëse, si caktimi i gjykatësve dhe të ngjashme me to, shpallja e zgjedhjeve ose njoftimi i datës për zgjedhjet. Por presidenti supozohet që të jetë gjithashtu simbol uniteti për njerëzit, dikush që qëndron mbi punët e përditshme të qeverisë. Dhe, unë e kam përmendur këtë më parë. Për mua, ajo që është ideale, është ekuilibri. Nuk dëshiron të kesh një konflikt të hapur mes zyrës së presidentit dhe zyrës së kryeministrit, por gjithashtu nuk dëshiron që të kesh një president që është një miratues i çdo gjëje që propozon kryeministri. Kjo nuk është e shëndetshme. Ky nuk është një sistem i mirë kontrolli dhe barazpeshimi. Dikush që përfaqëson një pikëpamje tjetër, por dikush që është i angazhuar që ta bëjë qeverinë të jetë më efikase në atë që po përpiqet të bëjë. Vjen te zgjedhja e atij individi. Një president konsensual – nëse mund të bëhet, padyshim, por mendoj – sa realiste është kjo në këtë mjedis? Nuk jam i sigurt se kjo është një gjë shumë realiste. Ata pa dyshim mund të flasin për këtë, në të vërtetë mendoj se ata duhet të flasin rreth kësaj, por mund të vijë te kampi qeverisës që të jetë shumë i mençur në propozimet e tij drejtuar opozitës. Ndaj, mendoj se personi që përzgjidhet është i rëndësishëm, por shumë më tepër se vetë individi është procesi. A do të ketë konsultime me z. Rama dhe të tjerë në PS? A do të ketë ndoshta disa diskutime publike mbi këtë? Ndaj, mund të ketë një lloj konsensusi – në të vërtetë nuk më pëlqen fjala konsensus. Ndoshta mund të ketë një të kuptuar të gjerë mbi tipin e personit që duhet të jetë presidenti i ardhshëm. Mendoj se ky do të ishte një rezultat i arsyeshëm.

A ka ndryshime mes pikëpamjeve të BE-së dhe ShBA-së për Shqipërinë? Ka disa komente në gazeta që thonë se amerikanët janë më pro-qeverisë dhe pro-Berishës dhe se europianët janë më kritikues ndaj qeverisë.

Nuk mendoj se është e vërtetë. Ose, mendoj se ka një përputhje apo ngjashmëri mbresëlënëse në pikëpamjen mbi Shqipërinë, qoftë nëse është perspektiva europiane ose nëse është perspektiva e Uashingtonit/amerikane. Afërmendsh nuk mendoj se Europa është kundër qeverisë, se është pro-PS. Sigurisht nuk mendoj se pozicioni i ShBA-së është pro-PD dhe kundër-PS. Këto janë tejthjeshtëzime të mëdha dhe nuk janë të vërteta.

Ambasador, pyetja e fundit. Cila është axhenda juaj për muajt në vijim? A do të udhëtoni në Shqipëri apo diçka tjetër? Cili do të jetë fokusi?

Ka disa gjëra. Kam përmendur se pas 20-vjetorit do të mendojmë për nisjen e disa nismave që janë hartuar për të nxitur një pjesëmarrje më aktive, shoqërinë civile. Mendoj që është e rëndësishme që njerëzve t’u jepet shpresë. Ajo që më shqetëson mua më shumë mbi Shqipërinë është se ka shumë njerëz të mrekullueshëm, që mirëfilli duan ndryshim, ndryshim në mënyrën sesi bëhen gjërat këtu, ndryshim në mënyrën sesi trajtohen problemet e tyre, dhe nuk mendoj se palët politike po u përgjigjen kërkesave të njerëzve. Ata po përpiqen në mënyrën e tyre dhe po organizojnë konkursin e tyre, dhe kjo është pjesë e gjakut të cilësdo demokraci. Por, duhet të ketë më shumë përgjigje ndaj nevojave të njerëzve. Kështu që do të përpiqemi të formulojmë disa nisma, por sigurisht do të duhet të përfshijmë klasën politike. Mendoj që njerëzit po shohin nga Parlamenti, ka njëfarë optimizmi që opozita është rikthyer në Parlament. Kjo është shumë pozitive. Disa njerëz më kanë thënë – kjo është për shkak se opozita e ka bojkotuar prej dy vitesh, që ishte një politikë e dështuar, dhe tani janë rikthyer. Unë e kam thënë këtë, Tom Countryman e ka thënë këtë – bojkotet zakonisht nuk funksionojnë. Ato zakonisht nuk funksionojnë. Kanë kaluar dy vite tani që kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, së bashku me Kroacinë. Kroacia është pothuaj në BE. Perspektivat e Shqipërisë kanë rënë që atëherë.

Po, absolutisht.

Tani njerëzit thonë ne shpresojmë që progres raporti të mos jetë shumë negativ. Kjo është e tmerrshme. Ne shpresojmë që progres raporti të mos jetë shumë negativ, ku në fakt duhet të ishin hapat përfundimtarë që Shqipëria duhet të ndërmerrte për të fituar hyrjen në BE. Ndaj, shumë kohë është harxhuar kot.

Pjesën më të madhe të kohës.

Kam dëgjuar Kryeministrin të thotë këtë ditë më parë. Ai kritikoi opozitën për bojkotin e tyre. A duhet kritikuar opozita? Mendoj se është e drejtë. Mendoj se taktikat e tyre nuk kanë prodhuar rezultatet e nevojshme, por dua të përqendrohemi në të ardhmen. Por, mendoj gjithashtu se kampi qeverisës duhet të shohë atë që ka bërë gjatë dy viteve të shkuar. Nuk mendoj se është e drejtë që kampi qeverisës të thotë: jemi përpjekur të krijojmë një situatë kompromisi të mundshëm. Njerëzit kanë një përkufizim të ndryshëm mbi kompromisin. Nëse nuk ju vjen keq. Kjo është një nga lojërat e vogla të vajzës sime, por mendova t’ua tregoja. Këto janë copëra djathi. Këtu kemi pak qepë të kuqe, mund ta marrim me mend atë që ato përfaqësojnë. Kemi edhe disa blu.

Kujdes me numrat. Duhet të jenë saktësisht njësoj.

I kam numëruar nja dy herë, më beso. Këtu kemi disa prej floriri. Tani, le të themi se unë jam PD-ja tani, z. Berisha dhe hierarkia. Të gjitha këto janë monedha për të bërë pazar (fjala nga përkthimi pazarepsëse). Nuk ka rëndësi se çfarë janë, por këto janë gjërat që PS po kërkon dhe unë kontrolloj këto gjëra. Tani, nëse jam PD-ja, mendoj këto të tria qepët e kuqe - në fakt këto nuk kanë aspak rëndësi për mua, por po i mbaj si copëza për pazar. Këto dua t’i mbaj. Në fakt, le të përdorim këtë ngjyrë. Blu është PD-ja. Këto janë të rëndësishme për mua, por unë mund të jem në gjendje të bëj pak kompromis për to, por në të vërtetë nuk dua, dhe këto nuk mundem. Këto janë të një rëndësie themelore për mua. Kështu që sigurisht PS-ja nuk e sheh këtë. Unë nuk e shoh këtë. Kjo ndodh vetëm brenda kampit qeverisës. Tani, nëse i ofroni opozitës njërën prej tyre, këtë dhe atë – shpresoni që opozita të jetë e mençur mjaftueshëm për të dalluar sesi të bjerë në ujdi gjithashtu – por nëse kurrë nuk keni pasur ndër mend të flisni për këto gjëra, nuk është kompromis i vërtetë. Në anglisht u themi, këto janë të flakshme. Kjo është pjesë e bërjes pazar (pazarepsje) në politikë dhe nëse në fund vendosni t’i mbani të gjitha, ky është vendimi juaj dhe ne i themi z. Berisha ky është vendimi juaj, por ligjshëm ju nuk mund të thoni se jemi të gatshëm për kompromis, por që PS është e paarsyeshme, ata po bojkotojnë. PS ka qenë padyshim një nga armiqtë më të këqij të disa prej këtyre gjërave. Por, mendoj se kemi nevojë ta shohim nga ana e PD-së këtë…

Për gjërat e tjera...

Kemi nevojë për shpirtgjerësi. Shpirtgjerësi.

A mund të jeni më konkret? Nëse copat e vogla do të kishin një emër, cilat do të ishin ato, e kam fjalën për ato prej floriri?

Do të thoja se ato prej floriri janë disa masa për reformën zgjedhore, me disa pjesëmarrje aktive, me miq të Shqipërisë, të themi –Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias – ndoshta me disa dispozita detyruese. Sërish, Shqipëria është një vend Sovran. Askush nuk është në pozitë që t’i tregojë Shqipërisë se çfarë duhet bërë, por për shkak të ndasisë politike, nëse të dyja palët, veçanërisht qeveria, thotë “ne kërkojmë ekspertizën tuaj për masat e reformës zgjedhore dhe ndonëse kjo është diçka për të cilën nuk biem dakord, nëse kjo është ajo që Këshilli apo Komisioni i Venecias na rekomandon, do ta pranojmë. Kështu që për mua kjo është një prej tyre. Nëse mund të jepni edhe një tjetër, do të ishte edhe më mirë.

Por, cila është tjetra?

Nuk jam i sigurt. Më duhet të mendoj rreth kësaj. Por, ky është kompromisi në të vërtetë. Nëse je në PD, nuk dëshiron që të dorëzosh këto, por nëse je mirëfilli i interesuar në kompromisin dhe mbrojtjen e gjërave që kanë më shumë rëndësi për ty, atëherë je i gatshëm ta bësh këtë. Kjo është shenja e një politikani të mirë dhe e politikës së mirë. Kjo gjë? Kjo në të vërtetë nuk është kompromis. Dhe sërish, jo për ta lodhur këtë pikë, por a duhej që të kritikohej opozita për bojkotin, për bllokimin? Mendoj se është e drejtë. Sikurse e kam thënë, ndonjëherë ata kanë qenë armiqtë më të këqij të vetes. Por mendoj se është e padrejtë të thuash – e di, nëse opozita nuk do të kishte qenë… çdo gjë do të kishte shkuar mirë. Çdo gjë nuk është mirë. Ka shumë probleme në këtë vend që nevojiten të trajtohen. Dhe e vetmja mënyrë për t’i trajtuar ato është të kesh një ligjëratë të shëndetshme politike. Mund të kesh mosmarrëveshje, por fryma e kompromisit nënkupton të dorëzosh diçka që ka shumë vlerë për ty, por që je gati ta bësh për një qëllim më të madh. Marrë me shkurtime

Detaj

Politikisht korrekt

Ambasadori amerikan ka mohuar që të ketë mbajtur qëndrime të pabalancuara në lidhje me ngjarjet në politikën shqiptare. Në intervistën për ‘Opinion’ ai ka ritheksuar se, qoftë për “21 Janarin”, qoftë gjatë fushatës, qëndrimet e ambasadës nuk kanë anuar në krah të asnjë pale politike në vend.

Si shkruhen kabllogramet e ambasadës

Ambasadori Arvizu ka dhënë dje detaje interesante mbi mënyrën sesi operon një ambasadë dhe si shkruhet një kabllogram, apo kush mban përgjegjësi për të. Ndërsa ka mohuar sërish të flasë për Uikileaks dhe e ka cilësuar publikimin si shumë të dëmshëm, madje një e përshkruan atë “si ndjesi neveritëse”, ai ka dhënë një sërë detajesh për mënyrën sesi përpilohet një kabllogram dhe njerëzit që e kontrollojnë atë. Ai thotë se i takon të lexojë apo shkruajë vetë vetëm raportet më të rëndësishme ku kërkohet vëmendja e tij, por shpjegon se faktet kontrollohen edhe pse jo gjithçka kalon me detyrim nga ambasadori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›