E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi shpall partinë e re: Vazhdoj të jem aktiv dhe i fortë

Kur mbetet edhe më pak se një vit nga përfundimi i mandatit, presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpall ambicien e tij për krijimin e një partie të re politike që do t’i përkasë qendrës së djathtë. Presidenti i Republikës i përgjigjet edhe akuzave të Berishës drejtuar atij pas 21 Janarit: “Një humbje e kontrollit, një mungesë totale e etikës qytetare. Kur del nga kontrolli, duhet ta mëshirosh dhe kjo është akoma më e rëndë kur vjen nga një ish-koleg”

Intervistoi: Sokol Balla

Sa mendoni që ndryshimet kushtetuese sollën këtë situatë të dy viteve të fundit politike dhe institucionale?

...Pas tre vitesh kemi një të penduar dhe ky është z.Rama, është një refleksion i tij. Është interesante të shikosh sesi pendohen. Dikush tjetër nuk është penduar...

A duhen rishikuar këto ndryshime të Kushtetutës?

Unë jam shprehur para pak kohësh që nuk do të jem pjesë e debatit politik për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, por duke vazhduar këtë intervistë do të thoja që nuk ka tabu. Në rast se partitë politike, institucionet dhe miqtë ndërkombëtarë mendojnë se diçka duhet të ndryshojë, që duhet të jetë kompatibël me ndryshimin e një kuadri ligjor të caktuar unë besoj se mund të ndryshohet...

I qëndroni idesë për zgjedhjen nga populli?

...Pjesa më e madhe e rajonit është me votim nga populli... unë i qëndroj atij varianti. Modeli i zgjedhjes se Presidentit nga populli është modeli më i mirë dhe demokratik... Nuk e di pse ekziston kjo lloj fobie te politikanët shqiptarë...

Duket se ndryshimet kushtetuese dhe situata politike që u reflektua më pas kështu siç janë do t’jua pamundësonin zgjedhjen tuaj në krye të shtetit për një mandat të dytë. Në rast se Presidenti zgjidhet nga populli, ju a do të merrnit pjesë në garë qoftë edhe jashtë propozimit të dy partive të mëdha?

...Unë jam në politikë dhe çdo lloj sfide politike është e pranueshme për mua dhe është një vendimmarrje e cila merret në funksion të kohës...

Ju mendoni se presidenti duhet te jetë konsensual apo legal?

Çështjen e zgjedhjes se Presidentit të ri, debatin për këtë çështje kanë filluar ta bëjnë vetëm pak muaj pas zgjedhjes sime si President... Zgjidhja më e mirë në kushtet e Shqipërisë do të ishte President nga populli në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në obsionet e mia do të ishte zgjedhja me demokratike zgjedhja e Presidentit nga populli.

Bensik Mustafaj ka qenë një nga deputetët e PD-së që ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe ka votuar haptazi...

Po e vërtetë dhe madje është konsideruar një nga të ashtuquajturit deputetë të pakicës bllokuese dhe pastaj më vonë u pa qartë që kishte edhe një lloj hakmarrje që këta njerëz që patën kurajën për të thënë mendimin e tyre të mos përfshiheshin më në listat për deputetë në zgjedhjet e 2009-ës. Së paku kështu është komentuar dhe mesa duket kështu është.

Megjithatë, prapë flitet që ka një minilistë deputetësh kësaj radhe nga të gjitha kampet politike, përfshi edhe nga PD-ja, të cilët në momentin e zgjedhjes së Presidentit të ri nën influencën politike tuajën mund të shërbejnë edhe ata si një tjetër pakicë bllokuese në vitin 2012?

Ndonjëherë ju të medias dini më shumë sesa ne që për një mijë arsye punojmë në kushte shumë formale të zyrës. Unë kam miq në Kuvend, kam kolegë shumë të mirë. Asnjëherë raportet tona nuk kanë qenë kondicionale për t’i detyruar ata që të veprojnë ndryshe karshi obsionit politik, përkundrazi duke qenë një parlamentar me një stazh të gjatë në Kuvend i di fare mirë rregullat e funksionimit në grup, madje unë inkurajoj gjithmonë që vendimet politike të grupeve parlamentare janë vendime që duhet të respektohen, pastaj janë obsionet individuale që demonstrojnë edhe një lloj karakteri të individëve të veçantë, madje kjo ka ndodhur edhe në praktikën e mëparshme edhe me mua personalisht... do të thoja që vërtet kam marrëdhënie miqësore, por jo kondicionale sa i përket votës së tyre në Kuvend. Do të jetë gjithçka e hapur sigurisht.

Çfarë raportesh keni me Edi Ramën?

Me Ramën kam pasur në mënyrë konstante marrëdhënie të karakterit shumë institucional. Nuk kam pasur ndonjë miqësi me Ramën as kur kam qenë në Kuvend. Në detyrën time si President takimet tona kanë qenë publike dhe kam qenë i parimit që çdo takim i këtij niveli duhet të prezantohet dhe të bëhet i dukshëm për publikun. Ka qenë një marrëdhënie e dukshme... Kontaktet me Edi Ramën kanë qenë të pasqyruara nga zyra e shtypit.

Dikush tjetër më 27 Janar ka menduar ndryshe. (Deklarata e Berishës për Topin: Ata që flasin për ngjarje bulevardi nuk janë gjë tjetër veçse horra dhe lavire të bulevardit). Si u ndjetë kur e dëgjuat këtë deklaratë?

Së pari, një humbje e kontrollit, një mungesë totale e etikës qytetare, që do të ishte patjetër e kritikueshme edhe për një qytetar të thjeshtë pa pozicion. E thënë nga një pozicion nga një ambient e marrë në kontekstin e sulmit për kreun e shtetin dhe për kryeprokuroren, pastaj kalon çdo lloj limiti. Kalimi në sulme kaq virulente natyrisht të bën që tjetrin ta mëshirosh, ta mëshirosh sepse kur del nga kontrolli duhet ta mëshirosh dhe kjo është akoma më e rëndë kur vjen nga një ish-koleg, njerëz që kemi ndare aksione politike dhe kemi punuar së bashku për gjëra mjaft të rëndësishme dhe të ndryshosh se paku fjalorin, komunikimin, kjo nuk do të ishte e absorvueshme për askënd. Nuk jam i pamësuar në politikë. Kam parë shume situata sesi janë larguar personalitete mjaft të rëndësishme nga bashkëpunëtorë shumë të ngushtë që janë hedhur elozhe pa fund të nesërmen kane dalë tradhtarë, është një lloj mendësi e një mentaliteti arkaik. Sot, sa kohë që flasim për një komunikim evropian, duhet ta demonstrojmë në radhë të parë politikanët e vijës së parë...

Komenti juaj për vrasjen e gjyqtarit Konomi?

Ai atentat në formë, në realizimin e tij i ngjante atyre atentateve që jemi mësuar të shikojmë nga mafia në Italinë e viteve të terrorit. Ishte një trishtim i madh që ndodhte në mes të qytetit si për të demonstruar që ne të ekzekutojmë...

A i keni tërhequr vëmendjen për mënyrën sesi nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, po vepron jashtë profilit të tij?

KLD-ja ka funksionuar me funksion të plotë. Aty kane qenë të pranishëm ministrat e drejtësisë në një kohë relativisht të gjatë, ka qenë i pranishëm zv-ministri dhe të gjithë anëtarët e KLD-së për të përmbushur detyrat e tyre. Duhet thënë dhe kuptuar që Presidenti me cilësinë e kryetarit të KLD-së në mënyrë të vazhdueshme në KLD është respektuar aspekti formal i funksionimit, debati dhe marrja e vendimeve që janë bërë prezente edhe në publik. Lidhur me pyetjen mund t’ju them që ka pasur komunikim me z.Spahiu... përgjigjja e tij ka qenë që vërtet jam nënkryetar i KLD-së, por jam edhe qytetar dhe këtë do ta realizoj në kohen e pushimit në fundjavë. Spahiu është koshient për pozicionin e tij, është personazh publik i zgjedhur nga Kuvendi dhe, sipas tij, e gjithë veprimtaria lidhet me një aktivitet sekondar vetëm jashtë orarit zyrtar.

Cili është komenti juaj për Aleancën “Kuq e Zi”

Një lëvizje vullnetare qytetare... është aluduar që pas kësaj është Presidenti. Ka mjaft aludime dhe nxitime, por janë totalisht paragjykime. Unë kam demonstruar një kompatibilitet shumë rigoroz në funksionet e mia si President. As nuk kam qenë, as nuk jam dhe as nuk do të jem pjesë integrale e një lëvizjeje të tillë që është anatemuar...

Do riktheheni në politikë?

...Vazhdoj të jem aktiv, i fortë dhe nuk është çudi. Qëndroj në ato elemente. Sa më afër fundit të mandatit, kjo nuk është çudi. Natyrisht që po... Sa kohë jam i fortë dhe aktiv, natyrisht që po. Mbi bazën e një eksperience politike, profesionale besoj që është një moshë kur njeriu jo thjesht për interesa të karrierës, por për t’i shërbyer vendit, njeriu është gjithmonë i gatshëm. Në rast se njeriu shikon që ka për të dhënë dhe shikon një ambient pozitiv nga mjedisi, atëherë nuk ka pse të largohet, por duhet të jetë pjesëmarrës.

Kur thoni që do të ktheheni në politikë, nuk besoj se do ktheheni në PD?

Obsionet janë nga më të ndryshmet. Unë jam për të gjitha obsionet e mundshme ku njeriu ndihet i realizuar.... Unë i takoj qendrës së djathtë...

A është dikush që mund të shqetësohet nga informacioni i djathtë i Topit?

Ajo mbetet për t’u realizuar nga ju dhe mbetet që ta vendos unë, sepse sot jam President dhe dëshiroj të huazoj një shprehje që e kam për zemër: “Kurrë mos thuaj kurrë!”

Marrë me shkurtime nga emisioni “Top Story”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›