E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e kreut të Konkurrencës, 4 deputetë të PS bashkojnë votat me PD

SHKRUAN: Fejzi Braushi 30-09-2011 11:22

Rikthimi i votimit të fshehtë për emërimet apo zgjedhjet e individëve në institucionet Kushtetuese përbën një nga pikat më të forta të propozimeve që socialistët kanë paraqitur për amendimin e Rregullores së Kuvendit. Por ndërsa shpresojnë se me këtë lloj votimi do të çlirojnë ndonjë deputet të shumicës qeverisëse për të votuar jo-politikisht dhe pa frikë për çështje të nxehta, ky parim demokratik rrezikon në të njëjtën kohë që t’i kthehet socialistëve kundër. Një gjë e tillë është evidentuar dje në sallën e Kuvendit, ku ndërsa po votohej fshehtas për kryetaren e komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, nga opozita kanë “rrjedhur” katër vota.

Votimi i fshehtë

Kuvendi në zbatim të Rregullores së tij është detyruar të zhvillojë dje edhe një votim të fshehtë për të zgjedhur kreun e Autoritetit të Konkurrencës, për të cilin ishte propozuar kryetarja aktuale Lindita Lati. Ndërsa fillimisht në votimin e disa ligjeve mazhoranca e djathtë ishte provuar se siguronte vetëm 71 vota në sallë, votimi i fshehtë për kreun e Autoritetit të Konkurrencës ka sjellë një rezultat të papritur për të dyja palët. Kështu, pas një votimi të fshehtë me elektronik kandidatura e Latit ka marrë plot 75 vota, pra katër vota më shumë sesa mazhoranca kishte në ato momente në sallë, ndërkohë që vota kundër kanë qenë vetëm 49 dhe abstenime 6. Një rezultat ky që me shpalljen në tabelën elektronike ka sjellë reagime të ndryshme në sallë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka munguar të thumbojë opozitën për kompaktësinë e saj dhe për efektet që mund të sjellë rivendosja e votimit të fshehtë edhe për të gjitha rastet nominale. “A e doni sekret ju votimin? E donin dhe të fshehtë këta votimin. Kuvendi miraton zonjën Lati si kryetare të këtij komisioni”, - tha Topalli duke ngjallur ilaritet në sallë. Kjo faktikisht nuk është hera e parë që opozitës i rrjedhin votat në votime të fshehta, pasi edhe dy javë më parë gjatë votimit të anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës shumë deputetë të majtë rezultuan votues për kandidaturat e prura nga mazhoranca.

Ligjet e tjera

Gjatë seancës së djeshme qeveria ka rikonfirmuar mazhorancën e saj, të vënë në dyshim për shkak të mungesave në sallë në seancën e një jave më parë, ku si rrjedhojë u bë i pamundur votimi i ligjit ‘Për shërbimin veterinar’. Dje ky ligj është rimarrë sërish për votim duke siguruar 71 vota, ashtu si edhe të gjitha nismat e tjera. Kështu, me 71 vota pro dhe 60 kundër Kuvendi ka miratuar edhe aktin normativ “Për varrezat e makinave”. Ndërsa marrëveshja me Austrinë për krijimin e rrjetit elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile ka marrë 72 vota. Gjatë seancës së djeshme është bërë i pamundur sërish votimi i nismave ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Megjithëse projektligji për Gjykatën Administrative dhe katër nismat për të ndryshuar Kodin Penal ishin përfshirë prapë në rendin e ditës të seancës së djeshme, votimi i tyre nuk është bërë dot i mundur pasi opozita nuk ka dashur të japë konsensusin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›