E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Forcat politike po ndeshen në fushatë si në ndeshje futbolli

FIER/BERAT – Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, në turin e tij zhvilluar dje në Fier e Berat ka kërkuar nga politika shqiptare të zgjidhë me gjakftohtësi situatat. Duke marrë shkas nga incidentet e fushatës zgjedhore të sapo nisur, diplomati e ka cilësuar politikën aktuale të shndërruar në një ndeshje futbolli. Ai u ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për demo-kracinë dhe të mos ndeshen në fushatë si në një ndeshje futbolli. “Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Ne e dimë që Partia Socialiste ka shumë shqetësime dhe ne jemi në dijeni të shqetësimeve. Prandaj unë i bëj thirrje nga Berati të gjitha forcave politike dhe në veçanti të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike që duhet të punojnë së bashku”. Nga vizita në Berat, Arvizu theksoi se 8 maji do të reflektojë vullnetin e njerëzve, të cilët nëpërmjet votës së tyre do t’i japin atë që u takon forcave politike. Të njëjtin mesazh ai përcolli dhe nga takimi në qytetin e Fierit, zhvilluar më parë. Ai bëri thirrje të ndalet dhuna elektorale dhe përparësi, sipas tij, duhet të ketë vetëm mbarëvajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Sipas Arvizus, OSBE-ODIHR ka nisur të shqyrtojë problemet zgjedhore. Ambasadori amerikan u shpreh dje se do të vazhdojë të vizitojë të gjitha qytetet, pjesën më të madhe të tyre për herë të parë. “Unë kam 4 muaj në Shqipëri dhe më kishin thënë disa herë që të vizitoja qytetin e Beratit që paska një bukuri të mahnitshme. Por përveç kësaj bukurie, në këtë zonë jetojnë dhe njerëzit dhe më shumë për këta të fundit kam ardhur, që të njoh nga afër hallet dhe shqetësimet që ata kanë”. Gjatë takimeve të djeshme, Arvizu ka dëgjuar nga krerët e bashkive të Fierit dhe Beratit problemet e qyteteve. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi shprehu falënderimet për ndihmën që qeveria amerikane ka pasur për Shqipërinë dhe në veçanti qytetin-muze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›