E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu-Imami Bashkepunim ne permbushjen e objektivave te sigurise detare

Zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, takimi ndërministerial, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 7 Ministrive përkatëse të autorizuara për drejtimin dhe menaxhimin e QNOD-së dhe palës amerikane.

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, duke iu drejtuar të gjithëaktorëve kryesorë të funksionimit të kësaj Qendre, u shpreh: “Jam i lumtur që të gjithë aktorët janë sot këtu për të marrë në shqyrtim një nga veprimtaritë më të rëndësishme që Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare pati gjatë vitit të shkuar në stërvitjen e përbashkët me Flotën e Gjashtë Amerikane, si dhe për të nxjerrë disa mësime nga kjo stërvitje. Do të ishte e nevojshme që të shtojmë më tej bashkëpunimin në këtë nivel ndëroperacional. Padyshim që QNOD është një nga sukseset e rëndësishme të kësaj qeverie. Qendra është një model gjithashtu për vendet e rajonit, për çka unë kam pasur në vijimësi vlerësimet më të mira nga kolegët e mi të Ministrive të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit, po ashtu edhe të Italisë dhe vendeve të tjera mike dhe partnere”, - nënvizoi ministri Imami.

Nga ana e tij, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu vlerësoi rëndësinë e kësaj Qendre, si dhe shprehu mbështetjen që vendi i tij i jep në vazhdimësi institucioneve përgjegjëse në këtë Qendër.

“Qeveria e SHBA mbështet QNOD-në dhe konceptin e zhvillimit të stërvitjeve praktike, sepse vetëm nëpërmjet të punuarit në mënyrë bashkëpunuese dhe praktike në kushte reale, mundet që QNOD-ja të zhvillohet ashtu sikurse është konceptuar dhe menduar. Sa më shumë t’i mundësohet QNOD-së që të punojë së bashku me zhvillimin e këtyre stërvitjeve dhe më pas të zbatoj mësimet e nxëna, aq më e aftë do të bëhet QNOD, në përmbushjen e objektivave strategjike të sigurisë detare”, - ka theksuar ambasadori Arvizu.
Takimi vinte pas zhvillimit të disa stërvitjeve të përbashkëta ndërmjet QNOD-së dhe Flotës së Gjashtë Amerikane, të parashikuara në bazë të rekomandimeve të ardhura për mbarëvajtjen e kësaj Qendre.

Gjatë takimit u vlerësuan nismat dhe reformat e deritanishme në Forcat e Armatosura për qasjen e dokumentave strategjikë, trajnimin dhe strukturën me ato të aleancës së NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›