E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami Zgjedhja e Presidentit Nishani ne respekt te Kushtetutes

Deputeti Kastriot Islami e vlerëson zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në respekt të kushtetutës, ndërsa votën e tij e quan në koherencë me qëndrimin e tij, që është kundër bojkotit.
“Mazhoranca konform kushtetutës e zgjodhi atë dhe vota ime ishte koherente në qëndrimin tim. Unë e kam luftuar ashpër fenomenin e bojkotit.Vota është sekrete, kam shkuar në koherencë të qëndrimeve të mia kundër bojkotit”- u shpreh deputeti Islami në studion e Abc Neës, ndërsa shtoi se do ta maksimalizonte votën e tij për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Sipas tij nuk nuk duhet të ndodhin zgjedhjet e parakohshme. U vendos që të ketë stabilitet të mandateve dhe nëpërmjet ndryshimeve në kushtetutë të hiqet dorë nga hilet politike, të cilat shantazhojnë parlamentin për zgjedhje të parakohshme.
“Në një situatë të tillë ekonomike do ishin mbingarkesë zgjedhjet politike, të cilat mund ta fusnin vendin në një kolaps si Greqia. Nuk ishte momenti për zgjedhje të parakohshme”- u shpreh Islami.
Deputeti ka vlerësuar edhe figurën e Presidentit Nishani, pasi sipas tij është një njeri me karrierë të mirë politike, ndërsa zgjedhja e tij në krye të shtetit ishte një sukses i mazhorancës, ndërsa ka vlerësuar edhe kontributin e LSI-së në këtë proces.

Islami: PS duhet të kishte paraqitur kandidatura për president
Sipas deputetit Islami partia Socialiste luajti një lojë të dobët në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit. Këtë vlerësim deputeti e bazon në faktin që edhe pse kjo forcë politike është në minorancë, nuk duhet të kishte pasur frikë për të paraqitur kandidatura, ndërsa bojkotin në votim e cilëson shumë të rëndë dhe tregues të problemeve brenda PS-së.
“Fakti që grupi PS nuk erdhi, qoftë edhe për të votuar kundër do të thotë që ka probleme dhe lë hapësirë që të bëhet ky interpretim. Bojkoti është shumë i rëndë”- vijoi ai, ndërsa pyetjes nëse procesi i zgjedhjes së presidentit është një shans i humbur për vendit, Islami iu përgjigj absolutisht JO, sepse ndërkombëtarët kërkojnë që vendi të ketë progres dhe kjo nuk ka asnjë lloj impakti në marrjen e statusit.

Islami: PS-ja trashëgon komunistë të fundit të regjimit
Duke i ndarë sfidat e Partisë Socilaiste në tre rradhë, deputei Islami tha se kjo forcë politike nuk ka një formulë inteligjente bashkëpunimi, për të cilën i referohet bashkimit të së majtës, marrëdhënieve me aleatët dhe motivimit të PS –së.
Rrethi i parë sipas Islamit është bashkimi i së majtës, sepse një e majtë e përçarë nuk mund t’i fitojë zgjedhjet.
“PS nuk ka përgjigje për ndryshimin në sistemin zgjedhor. Rama nuk do ta ndryshonte dhe nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim që ka mbajtur në 2008’’-tha ai.
Marrëdhënia me aleatët tradicionalë të PS-së është rrethi i dytë që përballet kjo forcë politike.
“PS nuk ka formulë inteligjente për të shpërndarë pushtetin e nesërm në funksion të interesit publik”- shprehet Islami, për të cilin rrethi i fundit është ai i motivimit të PS-së, të sensibilitetve, ekuilbrave, brezave.
“Është një parti që ka patur një spektër të gjerë dhe trashëgon komunistë të fundit të regjimit me përgatitje të lartë arsimore dhe brenda saj janë 8 më të pasurit”- deklaroi Islami.
Përsa i takon lëvizjes së Fatos Nanos, ish-deputeti i PS-së shprehet se: nëse kjo është një lëvizje që synon bashkimin e së majtës atëherë do të jetë një vlerë e shtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›