Arvizu: KQZ të lejohet të kryejë detyrën. Mos ndryshoni rregullat në mes të lojës
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka qenë i prerë kur kërkoi që të mos ketë ndryshime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ai tha se nuk mund të ndryshohen rregullat në mes të lojës, diçka që ishte thënë që në vitin 2011, kur kryeministri Sali Berisha vendosi të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.
KQZ ka përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. KQZ është formuar dhe është mandatuar edhe ligjërisht. Është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të respektohet pavarësia e këtij institucioni. KQZ duhet të jetë e lirë nga ndërhyrjet e një individi apo institucioni dhe kjo përfshin edhe Parlamentin e Shqipërisë.
KQZ, siç është e përbërë aktualisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet e administrimit të zgjedhjeve dhe kjo sigurisht përfshin edhe përbërjen e 89 KZAZ-të, tha Arvizu.
Ne e kemi thënë në mënyrë konsekuente, se bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë,se pika që ne kemi theksuar është një apel ndaj të gjithë personaliteteve dhe institucioneve, atyre që janë në qeveri dhe në opozitë që të veprojnë në mënyrë që të rrisin besimin e njerëzve. Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është saktësisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin që ne po flasim, vijoi diplomati amerikan.
Ai i bëri komentet në nisje të seancës për ndryshimet në KQZ.
I pyetur se si do veprojë SHBA në rast se nuk merret parasysh kjo këshillë, Arvizu tha: nuk mendoj qe askush nuk do te donte ta vendoste Shqipërinë në një kurs përplasjeje me SHBA-në, sepse qëllimi këtu janë zgjedhje te lira dhe të ndershme, sepse gjithçka ka lidhje me procesin dhe jo me rezultatin./ep