Zgjedhjet, ndërkombëtarët zbarkojnë në Tiranë. Nesër vjen Ashton
Tirana do të vizitohet nga një sërë diplomatësh ndërkombëtarë të rëndësishëm gjatë kësaj jave, në prag të zgjedhjeve dhe klimës së tensionuar së fundmi.
Kështu, gjatë ditës së nesërme, në Tiranë pritet që të vijë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton. Përveç Tiranë, Ashton do të vizitojë edhe disa vende të tjera të Ballkanit.
Unë udhëtoj drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për prespektivën europiane në rajon. Unë do të inkurajoj udhëheqësit e rajonit për të vazhduar procesin e reformave dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë thuhët në një deklaratë nga zyra e Ashton.
Tiranën do ta vizitojë të mërkurën edhe diplomati amerikan, Jonathan Moore, së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.
Moore është drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Nga ana tjetër sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit Evans dhe Petrenco do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare./b.l