E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Koha për të luftuar korrupsionin

01-02-2013 / Gazeta 55

Llalla: Jam mandatuar për t’i dhënë impuls sfidës antikorrupsion Të pranishëm në Prokurorinë e Tiranës ambasadori Arvizu dhe kryeprokurori Llalla kanë kërkuar intensifikim të luftës kundër korrupsionit. Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu i mëshoi me forcë faktit se është koha e duhur për të luftuar korrupsionin. “Dimë që Parlamenti miratoi në shtator të vitit 2012 edhe nismën për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe tani është koha për ta kapur këtë nismë dhe për të vijuar me luftën kundër korrupsionit. Duhet luftuar korrupsioni zyrtar pasi në çdo deklaratë citohet kjo fjali. Dhe ky nuk është një rresht për ta shkurar por ka një arsye se përse ai ndodhet aty, dhe kjo është për të gjithë ata persona që punojnë në prokurori. Nuk ka punë të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Zyrtarët amerikan dhe komisionerët e BE flasin për korrupsionin. Shpresojmë të shohim më shumë arrestime e procedime. T’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Prokuroria ka mbështetjen tonë”, vuri në dukje Arvizu. Ndërkohë që në gjykimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla korrupsioni është një pengesë e kapërcyeshme që kërkon impenjim në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional. Sipas tij, kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira në këtë drejtim. “Task Force pararojë në luftën ndaj korrupsionit. Jam mandatuar për t’i dhënë impuls sfidës antikorrupsion. Task Forcës nuk do t’i mungojë mbështetja jonë”, u shpreh Llalla.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›