E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu për Piramidën: Kam parë ndërtesa dhe më të mira

08/04/2011  Po angazhohem në hartimin e një plani për zgjidhjen e çështjes së pronave

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi dje se do të angazhohet në hartimin e një plani me interes kombëtar, në lidhje me tokat dhe shpronësimin e tyre. Idenë e këtij plani, ambasadori Arvizu e bëri publike në një dalje publike mbrëmë në emisionin “Top Story”. Për diplomatin amerikan çështja e tokës është një problem i zgjidhshëm dhe tepër jetik për shqiptarët. Hartimi i këtij plani u shpreh ambasadori Arvizu, do të fillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Shteti ligjor duhet zbatuar. Dhe ajo që nuk e kam dëgjuar më shumë është reforma sa i përket çështjes së tokës. Një njeri shumë i urtë, një shqiptar më ka thënë se çfarë mund të bëjmë ne për vendin tuaj, në mënyrë që të inkurajojmë sa më shumë këtë proces. Sepse pronësia mbi tokën ndikon tek çdo shqiptar, të pasur të varfër apo të atyre që qëndrojnë në mes, sepse është një rrëmujë shumë e madhe. Është e zgjidhshme dhe unë i bëra disa pyetje njerëzve, dhe ata më thanë po është e vërtetë. Toka, pronësia mbi të është thelbësore. Nuk mund të premtoj ndonjë gjë të madhe për këtë. Por pasi të përfundojë 8 maji, pasi të kalojmë zgjedhjet, sepse ka dhe 9 maj e me radhë. Unë do t’i kërkoj personelit, stafit tim, që të më ndihmojë , që të hartojmë një plan që të shikojmë se çfarë mund të bëhet. Sepse jam i sigurt se njerëzit kanë menduar për këtë më herët, por në mënyrë që të rienergjizohen. T’i japim më shumë jetë këtij fokusi në këtë çështje shumë të rëndësishme kombëtare”, – deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Arvizu. Gjithashtu në intervistën e tij ambasadori Arvizu, i pyetur nga gazetari për një mendim të tij për pamjen e kryeqytetit theksoi se gropa në qendër të kryeqytetit është kthyer në një makth për të. “Sa i përket sheshit “Skënderbej”, në fakt jam shumë i shqetësuar për “kadillakun” tim. Për faktin sepse shikoj se rruga zvogëlohet dhe gropa në mes të Tiranës, zmadhohet, dhe kam frikë se mund të bie në të”. Por, ambasadori nuk la pa përmendur dhe Piramidën, ku për të cilët u shpreh se nuk është aq e bukur sa ç’e bëjnë. “Sa i përket Piramidës, kam parë ndërtesa më të bukura, ku njëra nga më të preferuarat e mia është Harku i Triumfit”, – tha Arvizu.

Gjithashtu, sa i përket ngjarjeve të 21 janarit dhe rolit të tij në qetësimin e situatës së atyre ditëve, Arvizu theksoi se është munduar të bënte më të mirën e mundshme në ato momente aspak të këndshme. I pyetur në lidhje me cilësimin e Berishës si “Burrë shteti”, ambasadori amerikan tha: “Kam dëgjuar shumë diskutime dhe spekulime me këtë çështje. Situata në Shqipëri më 22 janar ishte shumë e tensionuar. Njerëzit ishin të shumë të shokuar nga ajo ç’ka kishte ndodhur. Jam takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe kam zhvilluar biseda me zotin Rama të shtunën në mbrëmje. Kam folur rreth një orë me Prokuroren e Përgjithshme në zyrën e saj. Ishte diçka që nuk e kisha përjetuar më herët, njerëzit ishin të frikësuar. Tre persona ishin vrarë (pa llogaritur të fundit që vdiq pak ditë më vonë), dhjetëra të tjerë ishin plagosur, demonstrues, persona të cilët u gjendën aty, por edhe policë. Gjithashtu flitej për më shumë demonstrata që do të zhvilloheshin në ditë në vijim. Situata ishte shumë konfuze. Vajta takova Kryeministrin, i thashë që të anulonte tubimin, pasi pasionet politike ishin shumë të ndezura. Ai më dëgjoi me shumë vëmendje, dhe e ndjeva se ai po e peshonte këtë. Por s’është se ishte i bindur plotësisht. Por pavarësisht kësaj ai më tha se do ta bënte. Dhe brenda orës pati një konferencë për shtyp ku ai njoftoi që do ta anulonte këtë. Ai e bëri. Ishte diçka që ti e ndjen që ishte një hap i rëndësishëm. Por në takimin tonë që pata të nesërmen me zotin Rama nuk pati sukses. Dhe me vendimin e Kryeministrit u kënaqa shumë. Pasi ishte një vendim prej “Burri shteti”. Dhe këtë do t’ia thosha sërish në një situatë të ngjashme”, – tha ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›