E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Transportit ka refuzuar projektin që shmangte segmentin e tragjedisë

Share

Projekti shpëtimtar do të ishte një projekt, i cili e shmangte Qafën e Vishës, duke e lënë mënjanë Përroin e Vishës, duke kaluar në kodër dhe përmes një ure dilje në Himarë të Vjetër

Rruga nga Qafa e Vishës deri në përrua është ndërtuar me vetëdije jashtë standardeve teknike tre vjet më parë, kur kjo rrugë është rikonstruktuar. Një grup ekspertësh i kanë propozuar Ministrisë së Transportit dhe Drejtorisë së Rrugëve një projekt, i cili e shmangte Qafën e Vishës duke e lënë mënjanë Përroin e Vishës, duke kaluar në kodër dhe përmes një ure dilje në Himarë të Vjetër. Projektin e ka pasur një studio projektimi që drejtohet nga inxhinier Faruk Kaba. Ministria ka refuzuar projektin, ndoshta për shkak të shpenzimeve, dhe ka zgjedhur zgjerimin e rrugës ekzistuese, e cila është jashtë çdo standardi teknik për rrugë kryesore. Pjerrësia e rrugës shkon 20 për qind dhe ka dy kthesa të forta përgjatë saj, mbështetur në një shpat mali që rrëzon vazhdimisht gurë dhe inerte. I gjithë ky segment me një gjatësi prej rreth 1.8 km përshkon një zonë të vështirë me një koeficient të mëparshëm pjerrësie prej 20 për qind, që, pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, zbriti në 17 përqind.

Inxhinieri i zbatimit 3 vjet më parë të projektit për rikonstruksionin e segmentit rrugor të Qafës së Vishës, Edi Gjikuria, tregon për se gjatë punës për ndërtimin e këtij segmenti, që përshkon një terren të frikshëm, u regjistruan tre shkarje masive të dheut nga pjesa e sipërme e rrugës, të cilat janë të paparashikueshme në projekte të tilla. Këto raste, që u kapërcyen pa asnjë pasojë, përcaktuan edhe nivelin e lartë të vështirësive për ndërtime të kësaj kategorie. Gjithsesi, pjesë e elementëve të sigurisë, përveç gjerësisë së trefishuar të bazamentit të rrugës, krahasuar me parametrat e dikurshëm, janë edhe bordurat anësore prej betoni, në të cilat janë montuar edhe kangjellat metalike. Kangjellat janë teke dhe siç u pa, të papërshtatshëm për të shmangur tragjedinë.

Në këtë segment kanë qenë të shumta aksidentet e regjistruara në vite, të shoqëruara me shumë jetë të humbura njerëzish. Pllaka të shumta përkujtimore janë vendosur përgjatë saj, duke evokuar ngjarje të ndryshme tronditëse, të shoqëruara me humbje jetësh.

Gjatë muajve të verës ky segment është po ashtu një ferr për shoferët me makina të vjetra. Çdo pushues mund të kujtojë dikë që ka hapur rrugën dhe ka ngritur kapakun e makinës për ti hedhur ujë, ndërsa në dimër rrëshqitja për shkak të pjerrësisë së fortë dhe akullit është fatale.

Rikonstruksioni i rrugës dhe rritja e shpejtësisë së makinave ka shtuar shumë rreziqet në këtë segment. Mundësia për të riparë një projekt që shmang këtë segment do të ishte përgjigja më e mirë ndaj sigurisë së jetës së pushuesve në një nga vendet më turistike të Shqipërisë.

Tema

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›