E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu:Negociatat me Ramën e Berishën pas 21 janarit

I ftuar në emisionin “Top Story” në “Top Channel” me gazetarin Sokol Balla, Arvizu zbuloi këndvështrimin e tij rreth asaj që ndodhi në 21 janar në Tiranë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i ka mbetur besnik vlerësimit të tij “burrë shteti” për Kryeministrin, pavarësisht debateve që ka shkaktuar ky vlerësim.

Një gjë që ju bashkon me Zoti Withers, është përdorimi i termit “burrë shteti”. Zoti Withers e përdori për liderin e opozitës, kurse ju për Kryeministrin. Kjo në fakt ka hapur edhe shumë diskutime…
Sikurse e thatë, kam dëgjuar shumë debate dhe spekulime mbi këtë çështje. Jo, në fakt e vërteta është që nuk kam qenë fare në dijeni të këtij fakti, që pararendësi im ka përdorur termin për të përshkuar dikë tjetër. Do doja t’ju kujtoja të gjithëve se si ishte situata në Shqipëri në 22 janar, që është dita e shtunë dhe besoj që të gjithë ne kemi qenë vërtet të shokuar nga ajo që ka ndodhur një natë më parë. Më kujtohet, jam takuar me zotin Topi, me Kryeministrin, dhe kam zhvilluar biseda me zotin Rama të shtunën mbrëma. Kam pasur mundësi të flas thuajse një orë në zyrën e Prokurores së Përgjithshme. Nuk besoj që Prokurorja e Përgjithshme ka mundur të vërë gjumë në sy, madje atë natë unë thuajse kam fjetur 3 orë. Mendoni pak pasojat e asaj periudhe. Unë jam gjendur në mes të trazirave në Kamboxhia dhe Kore të Jugut. Lidhur me vrasjet që kanë ndodhur në 21 janar, jam ndier jashtëzakonisht keq. Ishte diçka që nuk e kisha përjetuar më herët. Ajo që më goditi vërtet, ka qenë se sa të shqetësuar kanë qenë shumë shqiptarë, të paktën para meje. Ata kanë ardhur dhe më kanë thënë: “Zotëri, ne kemi shumë frikë. Kjo këtu nuk ka ndodhur prej një kohe shumë të gjatë. Ne kemi menduar që kjo gjë është hedhur prapa krahëve të Shqipërisë”. Prokurorët janë përpjekur të merrnin në pyetje Gardën e Republikës. Tre persona kishin vdekur dhe një tjetër vdiq më vonë. Të tjerë ishin plagosur, dhjetëra të tjerë demonstrues që gjendeshin aty edhe oficerë u plagosën rëndë. Nëse do shikonit kasetat, opozita dhe demonstruesit po shihnin mundësinë që të zhvilloheshin më shumë demonstrata dhe u aludua se si Kryeministri fliste për një tubim për paqen. Kontaktuan nga Uashtingtoni dhe na pyetën për një vlerësim dhe u thashë se njerëzit janë shumë të shqetësuar. Deri në një pikë të caktuar të kësaj jave shumë gjëra po zhvilloheshin, por po flitej edhe për një tubim homazh. Nuk ishte e qartë dhe dukej sikur do të zhvillohej të hënën apo të martën. Ishte një situatë shumë konfuze dhe në këtë çast mora vendimin, në konsultim me Uashingtonin, që mund të shfaqesha përpara kamerave dhe të bëja një apel personal. Ambasada kërkoi që të vendosej paqja, duke sugjeruar që nuk ishte koha e duhur për tubime, sepse ishte shumë  e rrezikshme. Kështu që, apeli ynë dukej sikur po shkonte në vesh të shurdhët. Vendosëm që ndërsa java vazhdonte, duhet të rrisnim pak presionin. Kështu që u kërkua të rrisja pak profilin tim dhe vendosa t’u apeloja drejtpërsëdrejti dy udhëheqësve. Fola me disa persona të stafit tim dhe u thashë që do të flas me Kryeministrin, që të mund të anulojë tubimin, sepse është një ide e tmerrshme dhe stafi im më tha: “Zoti ambasador, jeni i sigurt që do ta bëni ju këtë, sepse ai nuk ka për ta anuluar”. Unë i thashë pse jo. Dhe ata më thanë: “Sepse kjo është Shqipëria. Ai ka shumë mbështetës që ndiejnë se kjo është shumë e rëndësishme që të ketë një tubim korrespondues”. Më thanë: “Nuk besojmë që ka për të funksionuar”. Epo mirë i thashë, unë duhet të përpiqem. Unë vajta dhe ai më dëgjoi me shumë vëmendje dhe e ndjeva që po e merrte parasysh këtë, gjë por nuk është se ishte bindur plotësisht. Dhe i thashë: “Shpresoj që ju do ta mendoni thellësisht këtë gjë”. Më pas u largova. Më pas, edhe zoti Gordon, që është ndihmësekretari i Shtetit, e mori në telefon zotin Berisha. Brenda orës pati një konferencë për shtyp, ku Kryeministri njoftoi që do ta shtynte tubimin. Ai e bëri këtë dhe kjo ishte diçka që ne e ndjemë se ky ishte një hap i rëndësishëm për të zvogëluar tensionin. Njëkohësisht, po mundoheshim të bindnim edhe zotin Rama të shtynte tubimin dhe kjo nuk u realizua. Të nesërmen, kur unë dola para shtypit dhe prezantova këtë proces, vendimi që u mor për të anuluar tubimin, sipas mendimit tim ishte vendim prej burri shteti. Në atë periudhë, nuk kisha menduar që kjo gjë do të shkaktonte stuhi zjarri. Shumë njerëz më kanë thënë nëse më vjen keq që e kam thënë. E kam menduar këtë gjë. Po mund të kishte shumë mënyra të ndryshme për të thënë të njëjtën gjë, por më duhet të them se më vjen keq që kjo thënie ka krijuar kaq shumë keqkuptime dhe është bërë fokus debati. Por sa i përket substancës mbi atë që thashë, po, i rri fjalës që kam thënë. Do ta thosha të njëjtën gjë sot.
Çfarë mendoni se ndodhi në 21 janar?
Ngjarje e tmerrshme, dhe mendoj që veprimet që kanë ndodhur për të zbuluar të vërtetën, për t’u përpjekur që të shërbehet drejtësia për atë që ka ndodhur, është kursi që po ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme me hetimin. Ne kemi pasur një sërë hetuesish nga FBI që kanë ardhur këtu. Kam qenë në SHBA para pak kohësh dhe kam kontaktuar me dy prokurorë shumë të njohur aty, që do të vijnë këtu dhe do të paguhen nga SHBA për të ndihmuar. Është e qartë që ka shumë pyetje rreth asaj që ka ndodhur. Por për të bërë këtë duhet një hetim i plotë, gjithëpërfshirës, që sheh organizimin e tubimit, i cili ka qenë qëllimi i organizatorëve. Duhet të ketë një ekzaminim të objektivit së demonstratës dhe si ka qenë plani operacional. Pjesa më e madhe e demonstruesve atë ditë kanë qenë besnikë të partisë, kanë ardhur nga Tirana, e bastione të tjera dhe kanë ardhur për të treguar forcën. Por, duket qartë që ka pasur një grup të vogël njerëzish që kanë pasur një axhendë të ndryshme. Dhe unë mendoj se është e drejtë që të zbulohet qëllimi i tyre dhe kjo s’është e veçuar nga vrasjet.
Zoti Kantrimen, pyetjes a ka pasur puç shteti, i është përgjigjur jo… Po ju ç’mendoni?
Bie dakord me zotin Kantrimen.
A mendoni se Prokuroria ka kryer drejt detyrën e saj lidhur me 21 janarin?
Ky është një rast tejet kritik për zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo është një situatë tjetër politike dhe është e vështirë, Prokuroria po përpiqet të jetë objektive. Sipas rrethanave aktuale, ata kanë bërë një punë shumë të mirë.
Si e vlerësoni, si ka funksionuar në detyrat e tyre gjatë 21 janarit Kryeministri dhe ministri i Brendshëm?
Duhet të ketë më shumë procedura transparente, sa i përket trajtimit të protestave të tilla. Jam i bindur që shumë njerëz nuk e dinë si funksionon Garda e Republikës. Mendoj që do të ketë një zinxhir më profesional, sa i përket autoritetit, rolit të Kryeministrit apo ministrit të Brendshëm.
Kush i mbron fajtorët e vërtetë të Gërdecit?
Mendoj se është një pyetje 1 milion dollarëshe. Fakti që drejtësia nuk është vendosur plotësisht në rastin e Gërdecit, është e dhimbshme.
Opozita ka pasiguri lidhur me 8 majin. Pretendimet e saj janë të mëdha. Probleme me lista votuesish, regjistrimin e votuesve të dyfishtë etj. Opozita flet me frustrim të KQZ. Çfarë realisht do të bëni ju zoti ambasador, ka një shtim të prezencës së SHBA për të vëzhguar procesin?
Në fakt, doja të ngrija katër pika. Sa i përket shqetësimeve të opozitës, mendoj se ca janë të mirëngritura dhe ca më pak, por mendoj se është frustruese që këto probleme vazhdojnë. Ka të reja në sipërfaqe, por mendoj se ka një farë legjitimiteti në gjithë këtë, pasi të gjithë duam transparencë, të gjithë duam që zgjedhjet të shkojnë mirë. Unë kam shumë besim. OSBE dhe ODIHR kanë shumë persona të balancuar e objektivë dhe duhet të vendoset besim tek ta. Po ashtu, po shohim mundësinë që të kemi një amerikan dhe një europian, si këshilltarë pranë KQZ. Kjo është një çështje që do të shihet dhe mendoj që do të rrisë nivelin e besimit të njerëzve. Shumë njerëz më kanë thënë që pjesa më e madhe e rekomandimeve të ODIHR nuk janë zbatuar dhe palët kanë përgjegjësi, sa i përket kësaj. Rekomandimi që nuk është zbatuar ende, mund të zbatohet nesër dhe kjo mund të ishte çështja e vullnetit politik. Do të ishte e mrekullueshme, sikur të dyja partitë të shihnin mundësinë e një deklarate të përbashkët.
Deri ditën e fundit, kur zoti Basha ishte ministër, ju kemi parë aktivisht përkrah tij. Gjatë këtyre daljeve, ju nuk keni munguar në asnjë rast që zoti Basha do të kandidojë në Tiranë. Paralelisht keni takuar dhe zotin Rama, por në zyrën e tij dhe për të biseduar për krizën. Prania juaj përkrah zotit Basha, është mbajtje ane politike në një garë të rëndësishme në Tiranë?
Nga sa më kujtohet dhe me sa mbaj mend, ka qenë një rast në një takim që është zhvilluar për 50-vjetorin e Korpusit të Paqes. Dhe ka qenë një zhvillim i komunitetit i organizuar nga Ministria e Brendshme dhe aty ishin edhe zoti Basha, edhe zoti Poni. Ai nuk kishte njoftuar ende që do të ishte kandidati zyrtar për Tiranën, kështu që unë aludova se ai do të ishte. Por me sa di unë, ky është i vetmi rast që do të binte në këtë kategori. Ndërsa, sa i përket zotit Rama, i kam paraqitur kredencialet e mia në 3 dhjetor si ambasador i SHBA-ve. Unë kam pasur takime të shumta me zotin Rama. Që prej 2 dhjetorit, sa herë mendoni ju se jam ftuar në diçka të organizuar nga Bashkia e Tiranës në të cilën jam ftuar si diplomat? Zero. Sërish nuk dua të jem kritik, por ajo që po them është fakt. Ndoshta do kisha marrë pjesë dhe do kisha thënë diçka për kandidimin e zotit Rama.

SOKOL BALLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›