E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet, shumë pak gra në lista, partitë na zhgënjyen

TIRANE-Duke marrë shkas nga zgjedhjet vendore që priten më 8 maj, Presidenti Bamir Topi kritikuar sot ashpër politikën se ka shmangur faktorin grua nga listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Gjatë ceremonisë së diplomimit të Projektit "Gratë në Qeverisje", të organizuar nga OSBE-ja, kreu i shtetit ritheksoi rëndësinë e zgjedhjeve vendore për qytetarët dhe institucionet vendore ndërsa u shpreh se partitë ende nuk e kanë shndërruar në kulturë sjelljeje barazinë dhe përfaqësimin gjinor.

“Shikoni listat e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore apo për këshilltarë në rang bashkie dhe komune. Fatkeqësisht, kemi një kontrast të thellë … Numri i kandidatëve femra është fare minimal. Kjo do të thotë se partitë ende nuk e kanë shndërruar në kulturë sjelljeje barazinë dhe përfaqësimin gjinor; ende gratë shihen kandidate jo të sigurta në një mjedis politik agresiv, ku fatkeqësisht, jo gjithnjë votohet për programet dhe vlerat e kandidatëve”.

“Kur në vitin 2009 ne patëm një rritje të numrit të grave deputete, të gjithë pritëm e besuam në një rol të tyre aktiv në uljen e konfliktualiteti politik, rritjen e shanseve për dialog dhe krijimin e një klime më bashkëpunuese politike. Fatkeqësisht bilanci i deritanishëm ka qenë gati zhgënjyes”.

Sipas kreut të shtetit kjo përbën një shenjë negative që duhet të nxisë përpjekjet e cilitdo për ndërgjegjësimin e aktorëve politikë dhe opinionit publik mbi nevojën e barazisë reale gjinore.

Topi propozoi që për të ndrequr këtë mund të bëhen dhe ndryshime në ligj.
“Ndofta për këtë do të duhet të ketë përmirësime të reja ligjore për të mos lejuar dy standarde, kandidim pa kritere për zgjedhjet mazhoritare dhe kandidim me kuota të detyrueshme për listat proporcionale. Dhe për më tepër, për të korrigjuar legjislacionin në ato nene ku sanksionohen kuota të detyrueshme kandidimi, jo kuota të detyrueshme përfaqësimi në listat fituese”.

Më tej Presidenti theksoi se rritja e pranisë së grave në vendimmarrje kërkon edhe një reflektim pozitiv të vetë grave dhe strukturave të tyre përfaqësuese në partitë politike, në parlament dhe në forumet e tyre.

Gjithashtu kreu i shtetit shigjetoi dhe gratë model në politike duke kërkuar që të shërbejnë si shembull i mirë. “ Gratë politikane duhet të jenë shembull për shoqërinë, të shërbejnë si katalizator për rritjen e natyrshme të përfaqësimit cilësor e sasior të grave, jo të jenë statike apo akoma më tej, të jenë imituese e sjelljeve tradicionale parlamentare apo pengesë për vetë promovimin e grave në karrierë politike”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart, Zëvendësambasadorja e Suedisë, Brita Olofson, njëkohësisht Drejtore e Agjensisë Ndërkombëtare për Zhvillim e Bashkëpunim, Zëvendësdrejtues i Misionit dhe njëkohësisht Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Hollandës, Hans Teunisen, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Nga ana e tij, ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart vuri theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore dhe e rritjes së numrit të tyre në politikë, çka do të duhet të tregohet edhe tani në zgjedhjet e afërta lokale, pasi nismat për forcimin e rolit të grave në shoqëri janë tregues për proceset integruese të Shqipërisë në familjen evropiane dhe përcaktues në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Volfart nënvizoi se projekt trevjeçar mbarëkombëtar, me pjesëmarrjen e një numri të madh zonjash nga rrethe të ndryshme të vendit, ka si synim realizimin për përfshirjen e sa më shumë grave në politikë në zgjedhjet vendore e parlamentare, si për kryetare bashkie e komunash, për anëtare të këshillave bashkiake, ashtu dhe për deputete, ose për një pjesëmarrje të tyre në masën 30 përqind, siç e parashikon Kodi Zgjedhor.

Në fund u zhvillua ceremonia e veçantë e ndarjes së diplomave nga Presidenti Topi për zonjat pjesëmarrëse në projekt.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›