E Shtunë, 31 Tetor 2026

As Muja, as Hasani nuk do të jenë kandidat për Prizrenin

Partia Demokratike e Kosovës, është në kërkim të një kandidati për kryetar të Prizrenit. Kryetari aktual Ramadan Muja, nuk mund të kandidohet, sepse ka probleme me drejtësinë, ndërsa Nait Hasani nuk është i preferuar nga qendra.

Dy emra të rinj që po qarkullojnë në media, si kandidat të mundshëm të PDK-së, për kryetar të Prizrenit, janë Veton Firzi, sekretar në Ministrinë e Kulturës, dhe Irfan Fusha.

Në pamundësi për ta kandiduar kryetarin aktual Ramadan Muja, i cili po përballet me një proces gjyqësor nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, PDK po e shqyrton seriozisht kandidimin e Firzit, i cili sipas burimeve të sigurta të Korierit, ka edhe përkrahjen e shoqërisë civile në Prizren dhe të partive minoritare të përfaqësuara nga Mahir Jagxhillar, Emilija Redjepi, etj.

Në anën tjetër, gazeta Kosova Sot, shkruan se sipas një burimi PDK-ja është në prag të zyrtarizimit të afaristit nga Prizreni, Irfan Fusha, si kandidat për të parin e kësaj komune. Por në të dy rastet, lajmi ngelet ende i pakonfirmuar. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›