E Shtunë, 31 Tetor 2026

"As bisedime për statusin, as rajone autonome në Kosovë"

“Ne nuk mund dhe nuk do të diskutojmë për statusin e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, për integritetin territorial apo për krijimin e rajoneve autonome brenda kufijve tanë, de facto ose de jure”, ka theksuar Thaçi në një shkrim autorial të botuar në “EU Observer”. Në këtë kontekst, Thaçi ka përsëritur përkushtimin për zbatimin e plotë të Planit të Ahtisarit.

“Ne do të përfundojmë zbatimin e Planit të Ahtisaarit, duke përfshirë garancitë e saj shumë të gjera për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha grupeve etnike në Kosovë”, shkruan kryeministio kosovar. Ai ka shprehur gatishmërinë e Prishtinës për fillimin e bisedimeve me Beogradin për çështje praktike, me interes për popujt e të dy vendeve.

“Vendi im është i përgatitur të ulet me Serbinë, për të diskutuar çështjet praktike që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë. Ne jemi fqinj dhe përballemi me sfida të përbashkëta. Forcat tona të policisë duhet të punojnë së bashku për ta luftuar krimin ndërkombëtar. Dy vendet tona duhet të bashkëpunojnë në çështje praktike, si: energjia, telekomunikacioni dhe arsimi. Ne kemi interes të punojmë së bashku për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, si serbë ashtu dhe shqiptarë, nga periudha e konfliktit të armatosur”, shkruan kreu i qeverisë së Prishtinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›