E Shtunë, 31 Tetor 2026

As festa e Pavarësisë nuk i bashkon!

Për demokratët, 28 Nëntori kremton njëkohësisht dy data historike, atë të pavarësisë dhe të çlirimit, ndërsa për të majtët, festa e çlirimit është një ditë më vonë.

Gjithsesi, në kalendarin e ditëve zyrtare të pushimit është edhe data 29 nëntor, e vendosur në kohën kur në pushtet ishte Partia Socialiste. Drejtuesit kryesor të politikës shqiptare e kremtuan në skaje të ndryshme të atdheut këtë ditë.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi kombin nga qyteti i Vlorës, atje ku më 28 nëntor 1912 u ngrit flamuri me shqiponjë me dy koka, ku shënoi edhe pavarësinë e Shqipërisë, e fundit nga radhët e Perandorisë Osmane. Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bënë homazhe pranë Memorialit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve në lindje të kryeqytetit.

Ndërkohë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte në Prishtinë në kuadër të një vizite treditore, ku u kujdes të sqaronte edhe pozicionin e opozitës shqiptare, veçanërisht për Rrugën e Kombit. Edhe gjatë këtij viti, politika shqiptare vijoi të mbetej “peng” nëse ushtari i fundit gjerman iku nga trojet tona më 28 apo më 29 nëntor të vitit 1944, pak minuta para apo pas orës 24:00 të asaj nate.

Gjatë këtij viti, një vend të veçantë ka zënë edhe dëshmori i kohëve moderne të Kosovës, Adem Jashari, i cili dha jetën për pavarësinë e Kosovës së bashku me pjesën më të madhe të familjes së tij. /Start/

                                                                                             2011-11-28 16:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›